“Verbëria e aromës” që po shkaktohet nga COVID-19

Aktuale

“Verbëria e aromës” që po shkaktohet nga COVID-19

Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

E.K. nga Fushë Kosova, ka tash e tre muaj që e ka fituar betejën ndaj coronavirusit. Megjithatë, lufta me të akoma s’ka përfunduar. Ajo më pas ka rezultuar negative ndaj COVID-19, mirëpo vazhdon të ketë çrregullime. Tani ka probleme me humbjen e shijes.

Këtë shqetësim thotë se e ka që nga koha kur ishte përballur me simptomat e para të coronavirusit. Megjithatë edhe tre muaj pasi e ka kaluar virusin, shija nuk i është kthyer plotësisht.

Duke mos dashur të identifikohet, gruaja thotë se pos shijes, ka çrregullim edhe me nuhatje duke mos ndier aromën e gjërave dhe ushqimeve të ndryshme.

Kjo simptomë, që në termin mjekësor njihet si Anosmia apo “verbëria e aromës”, është duke u manifestuar tek dhjetëra persona si simptomë e post-COVID-19.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë në udhëzimin e saj për sa i përket pandemisë globale, thotë se humbja e shijes dhe aromës mund të jenë simptomat fillestare të sëmundjes.

Se mund të ekzistojnë dyshime të tilla, e ka konfirmuar edhe mikrobiologu kosovar, Lul Raka.

“Tek disa persona, shija nuk kthehet menjëherë pas shërimit”, i ka thënë ai shkurtimisht.

Humbja e shijes, aromës apo e oreksit ndikojnë edhe në gjendjen emocionale të pacientit.

Këtë e ka konfirmuar edhe psikoterapeuti Yll Avdijaj, i cili thotë se ka pacientë që janë përballur me simptoma të tilla e që më pas i kanë manifestuar në forma të ndryshme.

“Duke u bazuar në rastet që kemi punuar gjatë kësaj pandemie, e sidomos me personat të cilët kanë qenë të prekur nga COVID-19, e që më pas kanë kërkuar edhe trajtim psikoterapeutik, dëshmojnë për gjendjet e tyre se si kanë kaluar gjatë periudhës së izolimit duke qenë të infektuar. Një nga shqetësimet ka qenë edhe çështja e simptomës në humbjen e shijes dhe aromës. Ajo çka e tërheq vëmendjen më shumë në këtë çështje janë komentet e tyre kur thonë: ‘kur e humba shijën dhe aromën, mendoja çka nëse nuk do të më rikthehet prapë. Si do të jetoj pa shijuar dhe pa ndier aromën’. Sigurisht se përjetimet e tilla tek këta persona, sjellin edhe pyetje ekzistenciale që lidhen me vetë rëndësinë dhe kuptimin e jetës dhe mënyrën se si do të dukej më pas kjo gjendje”, ka deklaruar Avdijaj.

Avdijaj tutje shton se personat që janë përballur me simptoma të tilla, kanë kaluar në faza depresive të cilat paraprakisht janë paraprirë me përjetime stresi, ankthi apo sulme paniku.

“Në raste të mos trajtimit të këtyre problematike, në aspektin psikologjik, mund të përfundojnë si përvoja traumatike të cilat më pas mund të pasohen me gjendje ankthi”, ka shtuar tutje ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat