Ç’duhet kuptuar nga vizita e Vjosa Osmanit në Shqipëri? Analistët përplasin idetë

Aktuale

Ç’duhet kuptuar nga vizita e Vjosa Osmanit në Shqipëri? Analistët përplasin idetë

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 21:41
Analistët

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Shqipëri javën e kaluar përcolli një sërë mesazhesh, ndërsa kërkoi mbështetje të shtuar nga ana e Shqipërisë për të miratuar një rezolutë për të dënuar krimet serbe të kryera në Kosovë.

Analistët në Shqipëri e Kosovë e analizuan në mënyra të ndryshme vizitën e saj, teksa debatuan gjatë dhe me argumente në emisionin "Ilva Now" në Euronews Albania.

Analisti Agon Maliqi tha në Euronews Albania se znj. Osmani duhet të ishin më e matur në deklaratat e saj. Sipas tij, në fjalimin e kryeparlamentares së Kosovës u vu re një lloj ndërhyrjeje në punët e brendshme, duke ditur faktin se Shqipëria në më 25 prill mban zgjedhjet parlamentare.

“Padyshim u duk sikur deklarata e Osmanit, por edhe z. Kurti një ditë më parë u bënë pjesë e debatit në Shqipëri. Ishte një lloj ndërhyrje e brendshme. Në nivel institucional shihet një raport i ftohtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Deklarata të tilla nga ajo pozitë nuk janë të dobishme dhe të nevojshme për atë post. Duhet të ruhet një lloj raporti, sepse këto deklarata duhet të bëhen në momentin e duhur”, tha ai.

Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, Arben Kashahu, tha se artikulimet e Osmanit nga njëra anë, por edhe “nervozizmi” i kryeministrit nga ana tjetër reflektuan një “falimentim të projektit Rama-Vuçiç për shkëmbim territoresh”.

“Prononcimet e znj. Osmani dhe nervozizmi i Ramës reflektuan dhe falimentuan projektin Rama-Vuçiç, me implikimin e shkëmbimit të territoreve. Është një projekt i artikuluar në disa mënyrë. Reflektoj po ashtu dështimin e kryeministrit për t’u sjellë si burrë shteti. Rama u soll si analist, si publicist, por jo si burrë shteti. Ka detyrimin kushtetues. Pritja ishte e ftohtë. Nuk kishte një deklaratë për shtyp. Është hera e parë që Rama mban një qëndrim të tillë”, tha ai.

Për ekspertin e komunikimit Julian Zyla retorika e përdorur nga ushtruesja e detyrës së Kosovës, Vjosa Osmani i “ngjasonte një mini-fushate”. Përballë gazetares Ilva Tare në Euronews Albania, z. Zyla tha se diskursi i artikuluar nga znj. Osmani në Shqipëri nuk ishte në emër të popullit të Kosovës.

“Fjalimi i saj nuk ishte në emër të popullit të Kosovës. Sa i përket retorikës së saj konkrete, ishte një mini-fushatë e saj”, shtoi ai.

Plator Nesturi theksoi se Vjosa Osmani u vetëpozicionua si person politik dhe jo si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

“Kështu që në rastin konkret ishte një shfaqje, ku i mëshonte anës politike dhe figurës së Vjosa Osmanit dhe për më tepër të lëvizjes politike që ka përfshirë Kosovën”, tha ai.

Nga Kosova, analisti Rron Gjinovci u shpreh se nuk ka parë asgjë të jashtëzakonshme në fjalimin e Vjosa Osmanit në Parlamentin e Shqipërisë, por veçoi se ka pasur reagime negative nga dy kahe, ata që mbështesin kryeministrin Edi Rama dhe ata që e shohin Kosovën si inferiore. 

“Nuk kam parë asgjë të jashtëzakonshme tek fjalimi i ushtrueses së detyrës së Presidentes, por kam parë diçka të jashtëzakonshme tek reagimet. Reagimet në Shqipëri janë të dy llojeve; të atyre që janë rreshtuar me Ramën dhe që nuk u shkon për shtat asgjë që ka thënë Presidentja e Kosovës dhe atyre që Kosovën janë mësuar ta shohin si inferiore”, tha Gjinovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat