Reagojnë nga VV: Vendimi i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit kandidimin për deputet

Aktuale

Reagojnë nga VV: Vendimi i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit kandidimin për deputet

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 07:15
Albin Kurti

Në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është hedhur poshtë vota e deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Ky vendim nga analistë dhe njohës të sistemit të drejtësisë po shihet si penalizim i disa ish-deputetëve dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, të cilëve do t’u pamundësohet kandidimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen brenda 40 ditësh.

Mirëpo, ndryshe e shohin këtë vendim të Kushtetueses në Lëvizjen Vetëvendosje. Në një përgjigje nga zyra për Informim e këtij subjekti politik thonë se Albin Kurti e Albulena Haxhiu nuk janë dënuar me burgim.

“Me aq sa kemi arritur ta lexojmë siç duhet komunikatën nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ajo në pikën 2 të këtij aktgjykimi ka ndërlidhur nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me nenin 70.3 të Kushtetutës së Republikës, pra me rastet e dënuara me një vit e më shumë burgim. Në rastin tonë, përkatësisht në rastin e z.Kurti dhe znj.Haxhiu, ata nuk kanë pasur dënime me burgim, por dënime me kusht, dhe dënimet e me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja”, thuhet në përgjigjen e LVV.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua pamundëson Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Miftaraj ka thënë tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka “një hile të madhe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat