A është debati mbi diasporën që çoi në sulmin fizik ndaj Valon Sylës?

Aktuale

A është debati mbi diasporën që çoi në sulmin fizik ndaj Valon Sylës?

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 20:13
Valon Syla

Në mesditën e së martës u rrah në kryeqytet gazetari Valon Syla nga një person që tashmë është lajmëruar në Policinë e Kosovës.

Kjo e fundit nuk ka treguar ende arsyet pse ndodhi sulmi, megjithatë dyshimet janë se motivi ishin disa postime të fundit të Sylës në Facebook për diasporën.

Në deklaratën e tij të fundit, Syla shkroi se të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë shpenzojnë për nevojat e tyre dhe nuk është se e ndihmojnë kushedi se sa ekonominë e Kosovës.

“I lus gërrnaçat që në këtë turrë mi ndreq dhëmbët hatri jonë këtu. Me na ndreq edhe ekonominë tu i ndreq dhëmbët e juaj. Kqyrni ndreqnu edhe thonjtë, feniratnu, edhe poliratni kerret. Hani edhe naj qebap, naj redbull, kush e blen një kofe me akull me vodkë 1L edhe ma mirë… Se ma lirë është. Se a për neve pe bleni? Ne në Gjermani e Zvicër s’ja u qet. Fleni si sardina në konzervë midis Evropës. Për ata mos na teshni. Se për veti e keni. Mirë se vini në Kosovën e lirë. Mos e teproni, se dalim fitim. #albanologji #gërrnaça”, ishte postimi që nxiti edhe shumë reagime në rrjetet sociale.

Por, një postim të ngjashëm e kishte edhe pak ditë më herët Syla pikërisht për të njëjtën temë.

“Qenka nisë diaspora për Kosovë. Po e proklamojnë si inekcion ekonomik… edhe kishe po vinë me na majtë; Ngoni gërrnaça. Me pas efekt ekonomik, duheni me kriju punësim. Për ka 200 euro që ja u leni plakave bashkë me korona-virus, kurrfarë efekti ekonomik s’është. ‘Xhamadani vija-vija është korona, trus te shpija’  Është dhuratë për familjet e juaja, është ndihmesë, por s’është esenciale për Kosovë. Merrne vesh se për veti e keni çdo shpenzim dhe çdo dhuratë që ja bëni familjeve të juaja dhe njerëzve që i doni, por se keni për ne, për Kosovë. E keni për më të afërmit tuaj. Edhe mos rreni… se jeni bo të gërditshëm. A e dini se 1 njeri me majt në Kosovë kushton minimumi 320 euro për muaj, ose 3840 euro në vjet. Kosova i ka 1.7 milionë banorë, për me majtë Kosovën duhen 6.5 miliardë e 280 milionë euro. Nga ju vinë vetëm rreth 400 milionë remitenca, tjerat bleni banesa, konzumoni e tjerë, që i afrohen 900 milionshit. Pra nja 5.5 miliardë i prodhojmë e i harxhojmë ne këtu, na që sjemi diasporë. Paratë e juaja janë konzum ma i vogël se kosovarët që së bashku i harxhojnë në Shqipëri çdo verë, përafërsisht 3 miliardë euro. Kush s’i përmend se marre është. Pra nalnu, pak. Se ky është llaf i fukareve budallë. Andaj dhuratat e familjeve të juaja mos na përmendi neve se marre është.  Ecni tash, pini redbulla, makiato, pak qebapa. dhe ngoni tallava e leni naj bakshish qaty. Knaqnu e mos na teshni se për veti jeni ardhë. Gërrnaça, mirë se vini. #albanologji #gërrnaçi”.

Sot pas sulmit Syla ka deklaruar se të gjitha këto deklarata të tij nuk ishin ofendim për të gjithë diasporën, por për një grup, për të cilin po thotë se kanë qasje primitive.

Megjithatë, Syla këtë debat mbi ‘dobinë’ e diasporës për Kosovën e ka nisur edhe vite më herët, që po ashtu ka pasë kritika të ashpra.

Ai pati deklaruar se një pjesë e tyre ende nuk është shkëputur nga “mentaliteti primitiv i viteve 90-ta”.

“Problemin më të madh që e kemi është me këtë pjesën që kanë dalë në diasporë me mentalitetin e viteve 90-ta dhe ka mbetur në primitivizmin e mentalitetit që e ka trashëguar atje, që Kosova ka evoluar stërfish se s’po them që ne jemi më të mirë, sepse jemi nga i njëjti brum veç që ne kemi evoluar pak më shumë dhe diaspora ka mbetur me disa tipare tjera që unë mendoj se janë primitive. Për shembull mënyra e jetesës primitive, martesa, shkollimi i ulët, prandaj mendoj që në Prishtinë në 20 vjetët e fundit është bërë shumë përparim”, kishte thënë Syla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat