​Hoti vizion Handikosin, premton mbështetje

Aktuale

​Hoti vizion Handikosin, premton mbështetje

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 12:38
Pamje nga takimi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot shoqatën Handikos, nga ku ka premtuar se do të vazhdojë përkrahja institucionale për personat me aftësi të kufizuara.

Ai ka thënë se përkundër pandemisë, se do të mundohen që mbështetja për kategori të shoqërisë sonë, të bëhet pjesë e organizimit të rregullt të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Hoti: Do t’iu qëndrojmë mbrapa këtyre personave

“I përgëzojmë për punën që po bëjnë, të mbështetur, pak prej Qeverisë dhe më shumë nga donatorët të ndryshëm, në ofrimin e shërbimeve për këtë kategori të shoqërisë sonë shumë të ndjeshme. Dhe pandemia e ka vështirësuar ofrimin e këtyre shërbimeve, në pamundësi që personat që kanë nevoje të marrin këto shërbim dhe jo vetëm shërbimet, por për të kaluar kohë të përbashkët në komunikim dhe shërbime tjera që ofron kjo qendër. Vërtet është unike kjo qendër, me reputacion të jashtëzakonshëm... Do t’iu qëndrojmë mbrapa me të gjitha kapacitetet që kemi. Do të mundohemi që mbështetja që japim për Handikosin të bëhet pjesë e organizimit të rregullt e institucioneve qendrore, por edhe lokale”, ka thënë Hoti.

Ndërsa drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi ka thënë se gjatë këtij takimi kanë ngritur shqetësimet dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ai ka thënë se mungesa e shërbimeve është shumë e madhe, andaj kërkon që në këtë drejtim të bëhet plotësimi i legjislacionit.

Maliqi: Mungesa e shërbimeve për persona me aftësi të kufizuar është e madhe

“Ne gjatë vizitës i ngritëm shqetësimet që na preokupojnë si organizatë, por edhe nevojat, apo të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, si nga ana e mungesës së shërbimeve, por edhe mungesës së respektimit apo të drejtat e personave me aftësi të kufizuar duke u bazuar në ligjet në Kosovë, por jo vetëm duke u bazuar në kuadrin ligjor aktual, por gjithsesi edhe në plotësimin e ligjeve tjera në përafrimin e standardeve evropiane deri diku, sepse e kemi përmend që Kosova vetëm 30 për qind i përmbush ato standarde. Presim që viti 2021, kushdo qoftë që është në qeveri, të punojë me përkushtim që ta bëjmë një plan konkret. Mungesa e shërbimeve është jashtëzakonisht e madhe edhe mungesa e zbatimit të legjislacionit aktual, dhe plotësimit të legjislacionit që duhet të bëhet patjetër”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka thënë se vetëm një numër i vogël i personave me aftësi të kufizuar janë punësuar në institucionet e Kosovës, për arsye se ligji ende nuk po zbatohet si duhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat