A do të mundë të votojnë në zgjedhje Thaçi e të tjerët? Flet Gjykata Speciale

Aktuale

A do të mundë të votojnë në zgjedhje Thaçi e të tjerët? Flet Gjykata Speciale

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 13:11
Hashim Thaçi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Për këtë arsye, zgjedhjet parlamentare në vend do të mbahen brenda 40 ditëve. Por, a do të mundë të votojnë në këto zgjedhje të akuzuarit e Speciales që gjenden në Hagë?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati po qëndrojnë në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor, pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ndërkohë, gjatë kohës kur ata po qëndrojnë në Hagë, në Kosovë po vazhdojnë zhvillimet politike.

Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, pasi vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Këto zgjedhje, për herë të parë do të mbahen pa prezencën e ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-shefit të Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, dhe krerëve të OVL-UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Por, a do të mundë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Në një përgjigje, zyra për informim e Dhomave të Specializuara ka deklaruar se kjo çështje do të adresohet sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet dhe kanë thënë se do të ofrojnë përkrahje për t’u mundësuar të akuzuarve që të votojnë.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta adresojnë këtë çështje sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet. Nëse kërkohet në mënyrë specifike, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Qendra e Ndalimit e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të ofrojnë përkrahje për organizimin praktik të realizimit të procedurave të votimit”, kanë deklaruar nga Dhomat e Specializuara.

Se të akuzuarit e Hagës mund të votojnë e thotë edhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Image

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi deklaroi se sipas nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme votuesi i cili gjendet jashtë Kosovës, mund të votojë nëse ka aplikuar për votim jashtë Kosovës.

“Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 96 është përcaktuar mënyra e votimit jashtë Kosovës. Sipas këtij neni, votuesi me të drejtë vote i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkohë, shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, janë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata po akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat