Dëshmia/ Trondit Ibrahim Kelmendi: Ja pse dyshoja se Rexhep Selimi e ka qit në pritë Zahirin, Hakifin dhe Edmondin

Aktuale

Dëshmia/ Trondit Ibrahim Kelmendi: Ja pse dyshoja se Rexhep Selimi e ka qit në pritë Zahirin, Hakifin dhe Edmondin

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 19:33
Rexhep Selimi

2.4.9. Rexhep Selimi / “Dhetshi”

Rexhep Selimi është personalitet i afirmuar, tashmë, për mirë dhe për keq. Takimi i parë dhe njohja ime me Rexhepin duhet të ketë qenë në qershorin e vitit 1999, në Prishtinë. Rexhepi atëherë simulonte, me fodullëk, ministrin e brendshëm në “qeverinë e përkohshme” të Hashim Thaçit.

Meqë qysh në fillim ishim keqkuptuar, nuk kemi mundur të bëhemi miq, as sa për “rënd të gjerave”. Pyetjet e mija, sa mjete kishte pranuar “shtabi qendror”, nga dhjetori 1993 deri në janar 1998, përse “shtabi qendror” nuk i ka njohur për pjesëtarë të UÇK-së Adem Jasharin me bashkëluftëtarë dhe Zahir Pajazit me bashkëluftëtarë, përse nuk u është përgjigjur pyetjeve që ia ka bërë Bedri Islami, që ishte udhëheqës i Gurpit hetimor, i formuar në maj 1998, për të hetuar akuzat që pat bërë Hashim Thaçi në M6P, etj., e patën hidhëruar Rexhepin dhe, që atëherë e tutje, i jemi shmangur njëri-tjetrit, në takimet e rastit, në rrugë apo në lokale të ndryshme.

Unë kam dyshuar që Rexhepi i kishte qitur në pritë të policisë serbe, Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997. Rexhepi, prandaj, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Bedri Islami. [Rezultatin e atij hetimi, Kryetari i Kryesisë së Lëvizjes, Bedri Islami, e ka prezantuar në librin e tij “Enigma e një vrasje të trefisht“.

Peng më ka mbetur një informatë e historianit Hakif Bajrami, i cili e ka shkruar një studim për Zahir Pajazitin. Në konfidencë, Profesori
Bajrami më pat thënë se gjatë hulumtimeve për veprimtarinë e Zahir Pajazitit, ka dëshmi, edhe me shkrim, se në rrugën Prishtinë- Mitrovicë, të bllokuar nga policia serbe, më 31 janar 1997, ku i ishte ngritur prita Zahir Pajaziti, ishte identifikuar Rexhep Selimi.

Hetuesia e Kosovës, fatkeqësisht, nuk ka ndërmarrë hetimet për ato vrasje „enigmatike“, edhe pse shpeshherë asaj i janë bërë edhe kërkesa publike. Në vitin 2006, policia hetimore e Kosovës, e kryesuar nga Fadil Syleviqi, pat sajuar një „grup“, si gjoja organizues të trazirave të vitit 2004.

Në atë „grup“ e kishin përfshirë edhe vëllain tim. I shqetësuar për atë padrejtësi, u angazhova për të hulumtuar, kush ishte kryekomplotisti.

Më rezultoi se ai ishte Fadil Syleviqi. Gjithashtu, u informova se Rexhep Selimi kishte miqësi të madhe me Fadil Syleviqin. Rexhepin e gjeta në një rostoran, për të cilin thuhej se është i tij. Ai më pat thënë se për hatër të vëllit tim do të intervenonte te Syleviqi por „qenka bërë vonë, meqë procesi gjyqësor kishte filluar“…

Në atë rast e pyeta, nga e kishte gjithë atë miqësi me Fadil Syleviqin. Rexhepi m‘u përgjigj: „ka qenë pjesëtar shumë i vlefshëm i UÇK-së“. U trondita. „Edhe pse e ka zhdukur mjekun Hafir Shala?!“ ia ktheva dhe u largova nga tavolina ku isha i ulur vetëm me të. Rexhepi më ka neveritur, kur, gjatë një rrëfimi të tij, në një emision televiziv, pat thënë se, pasi kishte darkuar në byrektorën „Bosna“, përballë pallatit të Radio Prishtinës, në Prishtinë, kishte shkuar prapa pallatit, ku ishin ca gërmadha që i qaunim „pavione“, dhe aty e kishte hedhur një granatë xhepi, për t’i trembur refugjatët serbë, që pushteti serb i kishte strehuar aty. Nuk i kishte hije gjithë atij „komandanti“ të shiste madhëri me atë akt zuzar, sepse edhe refugjatët serbë, nga Bosnja, ishin viktima, që po shpërdorshin nga pushteti serb për të shtuar përqindjen e popullsisë serbe në Kosovë.
 

Edhe një rrëfim i tij për „shtabin qendror“, bërë para disa muajve: “Shtabi qendror nuk kishte komandant, ishim udhëheqje kolegjiale e shokëve të barabartë“. Atë (dez)informim e pata keqkutuar si dilitantizëm të tij, në çështjet ushtarake, edhe pse ai vetë krekosej se kishte rol të madh komandues në UÇK. Urrjetje të madhe për të më pat shkaktuar (dez)informimi publik që pat bërë Ramiz Lladrovci, kur pat thënë: “Rexhep Selimi e ka dëbuar gjatë luftës Bekim Berishën51 nga Kosova…“ [Parafrazim.] Habit fakti që parlamentari Dick Marty nuk e ka akuzuar edhe Fadil Syleviqin për krime, meqë, sipas Rexhep Selimit, edhe Fadili paskësh qenë kuadër i rëndësishëm i UÇK-së!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat