Viti i COVID-19/ Hoti e Zemaj përulen para punonjësve shëndetësorë: Ishit gardianë, Ju jemi borxhlinjë!

Aktuale

Viti i COVID-19/ Hoti e Zemaj përulen para punonjësve shëndetësorë: Ishit gardianë, Ju jemi borxhlinjë!

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 12:09
Pamje nga takimi

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme ka vizituar menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Me këtë rast ai falënderoi punonjësit shëndetësorë për punën që kanë bërë gjatë këtij viti. Derisa ka thënë se si Qeveri janë në përpjekje për furnizim edhe me vaksinën antiCOVID.

“Gjithë ne kur të zgjohemi në mëngjes shkojmë në punë, por ju shkoni në punë duke e dit që mund ta merrni virusin dhe t’ia rrezikoni jetën edhe familjes suaj. Ka qenë vit historik, Na ka kthy pas në vitet e 50’të e 60’ta kur kemi parë kronika televizive, në përpjekje të zhdukjes së atyre viruseve. Besoj që kemi mësu nga ky vit, pasi që e gjithë bota, edhe ne kemi qenë të surprizuar nga kjo që erdhi, por mënyra se si e menaxhuat këtë situatë, deri tash është model, është bërë punë e jashtëzakonshme. Në veçanti, kur i kemi parasysh resurset e kufizuara, e di për telashet me furnizim me barna e oksigjen. Është e jashtëzakonshme, pasi që asnjë pacient s’ka pas moment qe s’ka pas shtrat ku të shtrihet. E di që është dashtë të punohet 24 orë, duke flejtë e pushu në zyre e klinika.

Jemi mundu të japim mbështetjen e nevojshme si Qeveri, Jemi para një situate të re, kur po presim që vaksina të shprëndahet, kemi bërë përpjekje që të jemi në mesin e vendeve të para që të marrin këtë vaksinë.

Ju u jemi borxhlinjë pa përjashtim, jemi në fund të kësaj pandemie, të paktën edhe 3 a 4 muaj”, tha kreu i Qeverisë në detyrë.

Ndërsa, Valbon Krasniqin, UD i Drejtorit të SHSKUK-së, tha gjatë këtij viti janë ballafaquar me probleme të shumta, por që kanë arrit t’ia dalin me sukses. I njëjti ka apeluar qytetarët që t’i kalojnë festat e fundvitit në shtëpitë e tyre.

“Jemi furnizuar me shtrerër shtesë, me gjithë mungesa të barnave, arritëm ta menaxhojmë sistuatën. Furnizimi me oksigjen ishte sfidë, pasi që s’e paramenduam një gjendje të tillë, qysh në ditët e para arritëm të vendosim rezervuare dhe brenda 10 ditëve të tjera 2 o 3 spitale me rezervuare të oksigjenit, për ta mbyllur këtë problematikë. Të gjitha spitalet do të furnizohen me oksigjen të lëngshëm, krahas këtyre, kemi fillu spitalin për Nëna dhe Fëmijë në Prizren.

Disiplina në punë do të jetë objektivi ynë kryesor. I sigurojmë qytetat që do të vazhdojmë me shërbime më gjithë pacientët, pavarësisht numrit të madh. Por, apelojmë qytetarët që festat e fundvitit t’i kalojnë në familjet e tyre dhe t’i respektojnë masat antiCOVID”, tha ndër të tjera Krasniqi.

E, i pari i shëndetësisë, Armend Zemaj tha se janë pikërisht punonjësit shëndetësor ata që kanë bërë krenare Kosovën, dhe se i ka mbështetur edhe kur janë goditur nga të tjerët.

“Edhe unë si ministër edhe qeveria e kemi pas prioritet mbrojtjen e punës suaj që e keni bërë me dinjitet dhe humanizëm, jeni shndërru në gardianë, edhe pse dikush dëshironte që ju të gabonit, por që unë s’kam lejuar.

Por, ju keni arrit ta bëni Kosovën krenare, nga dallim nga vendet më të avancuara. E do të vazhdojmë me të njëjtit përkushtim e punë, duke kërkuar edhe llogaridhënie”, tha Zemaj.

Teksa, Naser Ramadani, në emër të IKSHPK-së tha se është bërë një punë gjigante, e që s’ishte e lehtë lufta me një virus të panjohur.

“Do të vazhdojmë ballëhapur deri në rastin 0 dhe s’do të ndjejmë asnjëherë lodhje e as s’do të dorëzohemi. IKSHPK ka punuar që nga dita e parë me një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë, pasi që vetëm të bashkuar do t’ia dalim”.

Ai shprehu ngushëllime për familjarët që humbën më të dashurit e tyre nga COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat