Lekaj: Haradinaj synon postin e Presidentit, ende s’kemi emër për kryeministër

Aktuale

Lekaj: Haradinaj synon postin e Presidentit, ende s’kemi emër për kryeministër

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 18:24
Ramush Haradinaj

Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese pro ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, në votimin e Qeverisë Hoti vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve brenda një periudhe 40 ditore.

Edhe pse patëm dy qeveri të ndryshme përgjatë këtij viti, viti 2021 do të startojë me ndryshime shtesë sa i përket politikës dhe institucioneve në përgjithësi.

Një nga partitë kyçe në këto zgjedhje padyshim se është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pal Lekaj nga AAK ka deklaruar se Aleanca në këto zgjedhje do të kandidojë e vetme, teksa nuk kanë vija të kuqe për partitë politike dhe lidhjen e një koalicioni të mundshëm më vonë.

Por sipas Lekajt, AAK po synon postin më të lartë në vend atë të Presidenti dhe se aty është fokusi më i madh i Ramush Haradinaj, lider i kësaj partie.

I pyetur nëse Ardian Gjini dhe Besnik Tahiri janë dy emra të mundshëm për kandidat të AAK-së për postin e kryeministrit, Lekaj tha se një gjë e tillë as nuk është diskutuar ende.

“Sa i përket për kryeministër tek ne si Aleancë z.Haradinaj do ti prijë listës, por ne jemi të fokusuar më tepër në pozitën më të lartë kushtetuese, që është pozita e Presidentit. Në këtë pikë Aleanca e ka kandidatin e vetë të preferuar, Z.Haradinaj. Ende nuk kemi biseduar me partinë sa i përket pozitës së kryeministrit, por ne e dimë se Haradinaj është për pozitën e Presidentit dhe Aleanca nuk ka vendosur sa i përket pozitës së kryeministrit. Ditët në vijim do ta sqarojmë komplet sa i përket kryeministrit, për këtë post.Ende s’është thirr ndonjë takim s’kemi diskutuar por besoj që javën e ardhshme do të diskutohet dhe vendoset”, tha Lekaj.

Madje ai theksoi se pritet që të ketë ndryshime edhe në listën e përgjithshme kandiduese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lekaj deklaroi se AAK është e përgatitur mjaftë mirë për këto zgjedhje dhe se presin rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara.

“Mendoj se do të ketë edhe kandidat të tjerë që nuk ishin në listë më herët, personalitete të pjesës publike por edhe nga shoqëria civile.Aleanca është e përgatitur mjaftë mirë dhe presim rezultate më të mira se në zgjedhjet e kaluara. Presim meqë e bazojmë edhe sa i përket qëndrimeve të Haradinajt, edhe në përgjithësi të AAK-së por edhe të qeverisjes lokale në 7 komuna, ku ka pas performancë shumë të mirë të kryetarëve të AAK-së”, shtoi Lekaj.

Ai tha se tani për tani Aleanca në zgjedhje do të hyjë e vetme, por që nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike.

“Ne kemi diskutuar sa i përket çështjes së koalicionit në kryesi, dhe mendojmë se kësaj here AAK të shkojë e vetme në zgjedhje por s’do të thotë që ne kemi bërë barriera për subjektet tjera por mendojmë se disa konsultime që do ti bëjë Aleanca do ta sheh mënyrën më të mirë të mundshëm që i konvenon partisë.Tani për tani AAK shkon e vetme në zgjedhje. Nëse dikush na bën ftesë si Aleancë do ti shqyrtojmë mundësitë por për të gjitha kemi menduar s’do të kemi vija të kuqe me asnjë nga subjektet politike që është parti parlamentare por më tepër e kemi lënë pas rezultateve zgjedhore”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat