Bie numri i pacientëve dhe interesimi për testim për Covid-19

Aktuale

Bie numri i pacientëve dhe interesimi për testim për Covid-19

Më: 1 janar 2021 Në ora: 07:34
Valbon Krasniqi

Në orët e para të vitit të ri 2021, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka vizituar ekipet kujdestare në Klinikën Infektive e cila tash e sa muaj po trajton pacientët me Covid-19.

Ai bëri të ditur se numri i përgjithshëm i pacientëve të shtrirë nëpër klinika në nivel vendi nuk e kalon numrin 500, për çka tha se ka një trend në rënie të numrit të rasteve të reja.

“Numri i përgjithshëm i të shtrirëve në nivel vendi përfshi spitalet e përgjithshme dhe klinikat infektive Covid të quajtura tashmë në QKUK është nën 500, kështu që kemi një trend në rënie si të numrit të rasteve të reja të infektuara po ashtu edhe të rasteve të spitalizuara. Urojmë që ky vit i ri të vazhdojë me këtë trend të rënies dhe të kemi numër sa më të vogël të të infektuarve”, tha ai.

Drejtoresha e Klinikës Infektive Lindita Ajvazi, tha se në Infektivë janë të shtrirë 79 pacientë, derisa tregoi edhe për gjendjen e tyre.

“Për momentin në klinikë i kemi të shtrirë 79 pacientë, prej tyre 60 përqind janë me oksigjenoterapi dhe tre pacientë janë në respiratorë. Ende kemi pacientë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, mirëpo krahasuar me ditët paraprake, ditëve të fundit kemi një rënie të numrit të pacientëve të spitalizuar”, tha ajo.

Drejtori i Mikrobiologjisë në IKShPK Xhevat Jakupi, bëri të ditur se ditëve të fundit ka pasur një rënie të interesimit për testim për Covid-19.

“Nëse flasim nga aspekti i testimeve ne kemi një rënie të nivelit të interesimit për testim, kjo me siguri korrespondon edhe me gjendjen aktuale të shpërndarjes së infeksionit në mesin e popullatës. Shumica dërrmuese e njerëzve që tash kërkojnë testim janë të lidhura me udhëtim jashtë vendit. Realisht kapacitetet për testim janë shtuar në masë të madhe krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe do të vazhdojnë të zgjerohen në janar të këtij viti dhe besojmë që situata sa i përket testimit është përmirësuar dukshëm”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, sonte ka vizituar edhe Klinikën Emergjente në QKUK dhe Klinikën Gjinekologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat