Familjarët e personave të pagjetur bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te Obelisku i të pagjeturve

Aktuale

Familjarët e personave të pagjetur bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te Obelisku i të pagjeturve

Nga: F. Beka Më: 1 janar 2021 Në ora: 13:01
Familjarët e personave të pagjetur

Sikur për çdo vit edhe sivjet familjarë të personave të pagjetur në organizim të Shoqatës së Personave të Pagjetur “Zëri i Prindërve” në drejtimin e kryetarit Bajram Qerkinaj dhe asistentes Xhyla Haziri, ku merrte pjesë edhe Halil Ujkani, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule pranë Obeliskut të personave të pagjetur  në Prishtinë.

 Anëtarët e kësaj shoqate – familjarë të personave të pagjetur nga Mitrovica dhe rrethina vazhdimisht që nga ndërtimi i Obeliskut në afërsi të Kuvedit bëjnë homazhe dhe vendosin kurora me lule në mënyrë të organizuar.

Kësaj radhe karvanit të familjarëve përveç kryetarit të shoqatës “Zëri i prindërve” Bajram Qerkinja i printe edhe plaku i moshuar Halil Ujkani që ende vazhdon të kërkoj katër anëtarë të familjes , të pagjetur që nga viti 1999.

“Ne po bëjmë detyrën tonë – homazhe edhe nderim për secilin person të pagjetur, ndonëse ky vit nuk mund të shquhet për shumë të arritura në planin e hulumtimit dhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Po ashtu kjo qeveri (tash në mandatin teknik) nuk përmbushi obligimin për rregullimin ligjor për pensionet e familjeve të personave t[ pagjetur, ndërsa ky homazhe po bëhet pa prani të medieve edhe zyrtarëve qeveritarë – gjë që është për kritikë” ka thënë Qerkinaj.

Sipas tij, edhe mos të ishte ky numër kaq i madh i familjarëve që udhëtuam nga Mitrovica për homazhe, vetëm prania e dy burrave të moshuar Halil Ujkani dhe Bajram Qekinaj që kanë kaluar të 80-tat, është dashtë të jetë shkas dhe motiv i mjaftueshëm që zyrtarë të qeverisë të jenë të pranishëm në këtë homazhe, ky mos-respekt është jo vetëm ndaj moshës por edhe ndaj kategorisë së personave të pagjetur.

“Kategoria e personave të pagjetur dhe familjarët e tyre janë kategori e veçantë e shoqërisë sonë, të cilët tash e mbi dy dekada vazhdojnë të vuajnë dhimbjen e mos-zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre, andaj secili subjekt dhe posaçërisht përfaqësuesit e institucioneve është dashur të jenë përkrah neve sot, aq më parë ku festohet edhe Dita e Veteranëve” ka thënë Qerkinaj.

Ai ka shprehur kritikën se institucionet vazhdojnë të mos bëjnë aq sa duhet për të pagjetur, si në hulumtimin dhe presionin ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur po ashtu edhe në mbështetjen e familjeve të kësaj kategorie për integrim dhe prosperitet në shoqëri.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat