Milazim Krasniqi: Vitin e Ri duhet ta festojmë, dhe këto janë arsyet pse

Aktuale

Milazim Krasniqi: Vitin e Ri duhet ta festojmë, dhe këto janë arsyet pse

Më: 1 janar 2021 Në ora: 14:37
Milazim Krasniqi

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar dhe festës së Vitit të Ri dhe rreth asaj se a duhet të festohet kjo festë nga myslimanët.

Në një shkrim në Facebook, Krasniqi ka thënë qëndrimin e tij personal se pse festa e Vitit të Ri duhet festuar nga myslimanët.

Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se  Viti i Ri ndër ne nuk është festë fetare, por është festë shtetërore.

Ai po ashtu ka shkruar se bredhi është lodër, nuk është simbol fetar.

“Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk mirret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë:

(Ky është qëndrim personal lidhur me shënimin e festës së Vitit të Ri ndër ne.)

1. Të gjithë ne muslimanët që i përkasim kësaj hapësire gjeografike shqiptare dhe kësaj gjeokulture evropiane, me këtë kalendar e mbajmë evidencë jetën tonë, që nga lindja e deri në vdekje. Secili prej nesh. Prandaj, do të ishte hipokrizi po qe se gjatë tërë vitit orientohemi me këtë kalendar e vetëm në një ditë, në ditën e fundit të vitit, e mohojnë realitetin se administrohemi me këtë kalendar.

2. Kalendari diellor, bashkë me atë hënor, si edhe gjatësia e vitit prej 12 muajsh, janë të shpallura nga Zoti i Botëve, në Kuranin famëlartë. Pra, matja e kohës me kalendar diellor është matje e lejueshme nga Zoti.

3. Viti i ri ndër ne nuk është festë fetare. Është festë shtetërore. Administrata shtetërore shpall ditë feste dhe pushimi dhe shtetasit detyrohen ta respektojnë formalisht.

4. Bredhi është lodër, nuk është simbol fetar. Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk mirret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar.

5. Njerëzit që gjatë një viti kalendarik kanë pasur suksese e fitime, kanë të drejtë të gëzojnë në fundin e vitit, kur mbyllin bilancet e atij viti. Edhe ata që kanë pasur vështirësi e dhimbje, kanë arsye të shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

6. Mënyra se si e shënojmë ndërrimin e viteve dhe se si sillemi çdo ditë është në përgjegjësi personale. Askush prej nesh nuk ka asnjë kompetencë ta marrë në përgjegjësi askend. Secili prej nesh e kemi boll nëse arijmë veten ta mbajmë në rrugën e duhur.

7. Paçim një vit të ri të mbarë, të gjithë, o shqiptarë të dashur! Dhe qofshim nën mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit! Sigurisht, për të qenë nën mbrojtjen e Tij, duhet të punojmë sipas udhëzimeve të Tij, çdo ditë, çdo vit, gjatë tërë jetën sonë në këtë botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat