Del video e Mimoza Kusarit, kur e vlerësonte lartë Hashim Thaçin dhe e kritikonte Albin Kurtin

Aktuale

Del video e Mimoza Kusarit, kur e vlerësonte lartë Hashim Thaçin dhe e kritikonte Albin Kurtin

Më: 4 janar 2021 Në ora: 16:34
Mimoza Kusari

Çka do të thoshte Mimoza Kusari – Lila po t’i kërkohej të përshkruante Albin Kurtin dhe Hashim Thaçin? Kryetarja e Alternativës që ka shërbyer në shumë funksione pushteti në fakt kishte bërë përshkrime të tilla në vitin 2017.

Në një video del se ajo ka bërë deklarime mjaft pozitive për ish presidentin Hashim Thaçi dhe deklarime mjaft negative për Albin Kurtin, kreun e Vetëvendosjes.

Kusari-Lila ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, dhe në mandatin si deputete ishte ndër zërat më të ashpër në Kuvend që kritikonte kundërshtarët e ish kryeministrit Kurti.

Por, më 2017 ajo kishte pasur qëndrime mjaft interesante dhe që çudisin marrë parasysh qëndrimet aktuale.

Kusari-Lila madje edhe vlerësonte personalisht Thaçin duke thënë se nuk kishte pasur asnjë përvojë të keqe me të – e se ai si karakteristikë e kishte sjelljen e kulturuar me bashkëpunëtorët e tij.

Po ashtu, Kusari Lila e vlerëson Thaçin për rolin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si dhe për angazhimin në shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Ndërkohë, Kusari-Lila që ka mbrojtur Kurtin nga akuzat e LDK-së për sjellje anti-amerikane dhe dëmtuese për vendin, më 2017 e bënte edhe vetë një kritikë të tillë.

“Konsideroj që z.Kurti ka shku pak larg me qasjen e tij ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë,” dëgjohet duke thënë ajo.

Po ashtu, ajo kundërshton Kurtin duke e quajtur qasjen e tij në lidhje me procese të ndryshme si jorealiste. Veç kësaj ajo ka kontestuar edhe metodat që ka aplikuar Vetëvendosje për të ardhur në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat