Tomë Gashi zbulon arsyet e vonesës së Kushtetueses për publikimin aktgjykimit, ja kur do të mbahen zgjedhjet

Aktuale

Tomë Gashi zbulon arsyet e vonesës së Kushtetueses për publikimin aktgjykimit, ja kur do të mbahen zgjedhjet

Më: 6 janar 2021 Në ora: 10:53
Tomë Gashi

Kanë kaluar dy javë që kur Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Aktgjykimi i plotë rreth rastit të Etem Arifit, vota e të cilit ndikoi që qeveria Hoti të jetë e pavlefshme, nuk është publikuar ende, duke pamundësuar kështu edhe shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Avokati Tomë Gashi përmend arsyet pse është duke u vonuar aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të ketë shumë arsye pse është duke u vonuar nxjerrja dhe publikimi i Aktgjykimit me të cilin përveç që është shpallur jo legjitime, e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, qeveria Hoti, gjykata e ka paska problem që të arsyetojë se si është e mundshme që në të njëjtën kohë qeveria Hoti të shpallet jo ligjore, qeveri e votuar nga një kriminel, ish- deputet i dënuar me 15 muaj burg efektiv dhe po ashtu të lejojë që kjo qeveri të vazhdojë të qeverisë me Kosovën edhe më tutje”, ka thënë Gashi.

Një ndër arsye tjera të vonesës, sipas Gashit, është për shkak që aktgjykimi duhet të përkthehet në gjuhët zyrtare të Kosovës.

Ai e konsideron fatkeqësi përkthimin e aktgjykimit në gjuhën serbe, gjuhe kjo që sipas tij, nuk do të duhej të ishte.

“Arsyeja tjerë mund të jetë se Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë aktgjykimin, por i njëjti është duke u përkthyer në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës që fatkeqësisht është edhe gjuha serbe, e cila në një shtet normal nuk do të duhej të ishte fare, sepse kemi më pak se 3 për qind që e përdorin këtë gjuhë dhe askund në botë pakica serbe nuk ka të drejta siç ka në Kosovë, që përfaqësuesit e tyre tashmë në Listën Serbe i keqpërdorin në çdo moment që munden e kurdo që iu jepet rasti. Ata nuk po e “keqpërdorin” kur kemi të bëjmë me çështjen e pagesave që i marrin nga buxheti i Kosovës, nga taksat tona që në raste të caktuara me pagesa të Kosovës haptas punojnë kundër shtetit që i paguan”, ka pohuar Gashi.

Ndonjë presion eventual apo kërkesë miqësore e dikujt që të shtyhet sa më shumë që është e mundur publikimi i aktgjykimit, është arsye tjetër.

“Arsye tjetër për mos publikim të aktgjykimit mund të jetë edhe ndonjë presion eventual apo kërkesa miqësore e dikujt që të shtyhet sa më shumë që është e mundur publikimi i aktgjykimit. Ndërsa, partitë politike që janë pushtet t’i konsolidojnë në radhët e veta aq sa munden, sepse janë të vetëdijshëm se do të përballen me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me mllefin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që iu vodhën votat dhe vullneti i 6 tetorit 2019”, ka theksuar Gashi.

Pritjet e aktgjykimit janë që të qartësojë edhe nëse me vendimin e Kushtetueses i pamundësohet kandidimi në këto zgjedhje disa politikanëve të dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit, përfshirë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Duke folur rreth mundësisë së kjo çështje të jetë një ndër arsyet e vonesës së publikimit të aktgjykimit, Gashi thotë se nuk ka të bëjë aspak.

“Fare nuk është e vërtetë që aktgjykimi nuk po publikohet për shkak se gjyqtarëve iu nevojitet kohë të gjejnë zgjidhje juridike, për atë që është thënë se në të ardhmen nuk mund të kandidojë për deputetë askush që në 3 vitet e kaluara është dënuar. Kjo nuk ka të bëjë fare me Lëvizje Vetëvendosje, e as me Albin Kurti dhe zyrtarët e lartë të VV-së që kanë dënime të kushtëzuara, e që ato sanksione penale nga viti 2018 e që nuk prodhojnë kurrfarë pasoja juridike në bazë të dispozitave ligjore”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, menjëherë pas publikimit të aktgjykimit presidentja në detyrë, Vjosa Osmani do t’i shpallë zgjedhjet e reja.

“Zgjedhjet e reja, do të shpallen në ditën që do të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ngase presidentja në detyrë Vjosa Osmani, i ka përfunduar të gjitha konsultimet me partitë politike pas bërjes së njoftimit të Gjykatës Speciale para dy jave e më tepër se qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme me 3 qershor 2020, ngase votat e 61 për këtë qeveri ka qenë vota e një deputeti të dënuar me dënim me burg prej 15 muaj”, ka thënë tutje Gashi.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë. Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion  mosbesimi që u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte partner i koalicionit me Vetëvendosjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat