Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Kosovës

Aktuale

Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Kosovës

Më: 6 janar 2021 Në ora: 13:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kazermën „Adem Jashari“ të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), sot për vizitë ishte kryeministri i Kosovës, zoti Abdullah Hoti, ku së bashku me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, ministrin e Mbrojtjes, zotin Anton Quni, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, Drejtorin e NALT-it gjeneral Frank Best dhe stafin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, iu adresuan oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve, pas miratimit nga deputetet e Kuvendit të Kosovës të vendimit për pjesëmarrjen e FSK-së në misione ndërkombëtare paqeruajtëse në kuadër të ushtrisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), konkretisht me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Kryeministri Hoti, para ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së dhe stafit të lartë të Ministrisë të Mbrojtjes, pos tjerash tha: „Një fillim i mbar i vitit me këtë vendim. Për vendime të tilla duhet distancë e caktuar kohore për të rezonuar dhe kuptuar plotësisht se sa të rëndësishme janë. Vendimin që e mori Kuvendi i Kosovës, është ndër hapat më të mëdhenj historikisht që e kemi bërë si shtet dhe si FSK, drejt integrimit të plotë të FSK-së, në strukturat euro – atlantike. Të jesh krah partnereve tanë për ruajtjen e paqes, ku pak popuj në botë si qytetarët e Kosovës e din se sa e rëndësishme është kjo”.

Në fjalën e tij, ministri Quni, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: „Si Ministër i Mbrojtjes, ndjehem i privilegjuar, të jam sot në këtë takim për të ndarë bashkërisht emocionin e ngjarjes më të madhe që nga legjitimimi i mandatit ushtarak të FSK-së para dy vitesh, pra vendimit historik të djeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit“.

Ministri Quni, me këtë rast ka vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizimin e të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, i cili ka rezultuar me këtë sukses të jashtëzakonshëm: „Ju, me rezultatet e jashtëzakonshme të arritura në qendrat dhe institutet profesionale, akademitë ushtarake e kolegjet e luftës, keni dëshmuar nivel të lartë të kulturës e dijes akademike ushtarake para aleatëve tanë si garanci e fuqishme se dini dhe mund të realizoni detyra planifikuese shtabore, si dhe ato të komandimit e drejtimit strategjik të forcave e njësive operacionale“.

Në fund, ministri Quni, me theks të veçantë ka falënderuar bashkëpunimin e ngushtë dhe të shumanshëm me SHBA-të. „Besimi i SHBA-së, aleatit tonë të natyrshëm e shton edhe më shumë vlerën e kësaj të arriture historike. Ne me forcat amerikane jemi ndjerë gjithmonë NJË. Tani me forcat amerikane, përveç zemrave e mendjeve do t ‘i kemi NJË edhe trupat e armët tona në misionet e shenjta në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit për mbarë njerëzimin.

Ky është misioni ynë drejt përmbushjes së vizonit tonë për integrimin në NATO, respektivisht familjen euroatlantike, aty ku kemi qenë historikisht me qenien e identitetin tonë mijëvjeçar“.

Ai e përmbylli fjalën e tij, me urimin: „Urime e na priftë e mbara në sukseset tona të reja“!

......

Në vazhdim fjala e plotë e Ministrit Anton Quni:

Fjala e Ministrit Quni para ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve dhe stafit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes

I nderuar kryeministër Hoti,

I nderuar gjeneral Rama,

Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë e zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së,

Si Ministër i Mbrojtjes, ndjehem i privilegjuar, të jam sot në këtë takim për të ndarë bashkërisht emocionin e ngjarjes më të madhe që nga legjitimimi i mandatit ushtarak të FSK-së para dy vitesh, pra vendimit historik të djeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Me krenari e them se ne si Ministri e Mbrojtjes, paraprakisht kemi ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore duke bashkërenduar aktivitetet ndërinstitucionale, ndërshtetërore e diplomatike të mbrojtjes për të realizuar objektivin tonë strategjik, të qeverisë dhe shtetit tonë në përgjithësi.

Pra efektivët tanë, sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’i bashkohen Gardës Kombëtare të Iowa-s, në misionin e parë të mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane.

Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë të FSK-së,

Si njëri nga bashkëluftëtarët, bashkëpunëtorët e kolegët tuaj, e di se rruga deri te kjo e arritur historike ka qenë shumë e vështirë. Është dashur angazhim dhe përkushtim i jashtëzakonshëm politik e diplomatik, por rolin kryesor për këtë të arritur e keni ju me performancën tuaj në secilin veprim, sjellje e aktivitet tuajin.

Ju, me performancën tuaj në kurse trajnuese, individuale e grupore, stërvitje në njësitë tuaja dhe ato të përbashkëta ndërkombëtare me partnerët tanë, keni bindur dhe fituar besimin e plotë të aleatëve tanë se jeni të denjë për të realizuar detyrat tuaja taktike e operative në operacione të përbashkëta.

Ju, me rezultatet e jashtëzakonshme të arritura në qendrat dhe institutet profesionale, akademitë ushtarake e kolegjet e luftës, keni dëshmuar nivel të lartë të kulturës e dijes akademike ushtarake para aleatëve tanë si garanci e fuqishme se dini dhe mund të realizoni detyra planifikuese shtabore, si dhe ato të komandimit e drejtimit strategjik të forcave e njësive operacionale.

Ju, me performancën e përditshme gjatë veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes si dhe stërvitjes e operacioneve të FSK-së duke aplikuar parimet, vlerat dhe standardet më të larta ushtarake, keni bindur aleatët tanë se jeni të denjë për të realizuar detyrat me besnikërinë tonë tradicionale, me respektin për mikun, me shërbimin vetëmohues ndaj vlerave të humanizmit, lirisë dhe paqes, me nderin, me integritetin si dhe me guximin e natyrshëm për t’u përballur me rreziqet.

Besimi i SHBA-së, aleatit tonë të natyrshëm e shton edhe më shumë vlerën e kësaj të arriture historike. Ne me forcat amerikane jemi ndjerë gjithmonë NJË. Tani me forcat amerikane, përveç zemrave e mendjeve do t ‘i kemi NJË edhe trupat e armët tona në misionet e shenjta në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit për mbarë njerëzimin.

Ky është misioni ynë drejt përmbushjes së vizonit tonë për integrimin në NATO, respektivisht familjen euroatlantike, aty ku kemi qenë historikisht me qenien e identitetin tonë mijëvjeçar.

Urime e na priftë e mbara në sukseset tona të reja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat