Rastet urgjente që referohen nga mjekët, MSH duhet t’i dërgoj për shërim jashtë vendit brenda 72 orëve

Aktuale

Rastet urgjente që referohen nga mjekët, MSH duhet t’i dërgoj për shërim jashtë vendit brenda 72 orëve

Më: 7 janar 2021 Në ora: 10:42

Ministria e Shëndetësisë ka filluar tashmë t’i dërgojë për trajtim jashtë vendit pacientët të cilët janë në gjendje të rëndë e me shumë djegie të shkaktuara nga shpërthimi i së martës në Ferizaj, i cili la të lënduar 42 persona.

Dy nga këta pacientë mëngjesin e së martës janë nisur për në Turqi, ndërsa edhe dy të tjerë janë në pritje.

Nga mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Plastike, janë gjashtë pacientë të cilët janë udhëzuar për trajtim jashtë vendit, ndërsa deri më tani Turqia ka pranuar t’i trajtojë katër prej tyre.

Në lidhje me këtë për Telegrafin ka folur zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola, i cili tha se janë tri mundësi që i ka Kosova për dërgimin e pacientëve jashtë vendit.

“Ne i kemi tri mundësi, që t’i dërgojmë në Turqi, Maqedoni të Veriut ose Shqipëri, nëse janë urgjent ata për 72 orë dërgohen, por duhet të kemi kujdes sepse duhet të zgjedhet edhe spitali edhe kirurgu që merret me rastin specifik, pasi varet edhe prej llojit të djegies, varet ku është i djegur, varet në cilin spital është kirurgu më i mirë plastik i cili pranon t’i trajtojë, të gjitha këto duhet të merren parasysh”, tha Gola.

Gola theksoi se nëse pacientët janë në gjendje të rëndë dhe dokumentet e tyre janë të nënshkruara nga tre mjekë, atëherë ata për 72 orë duhet të dërgohen jashtë vendit.

“Nëse dokumentet për këto gjashtë raste janë nënshkruar nga tre mjek edhe janë raste urgjente, ne e kemi obligim që brenda 72 orëve t’i dërgojmë jashtë vendit”, tha zëvendësministri Gola.

Neni 5, i Udhëzimit Administrativ për Trajtim Mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike në Kosovës, rregullon edhe procedurën për rastet emergjente.

Sipas këtij Neni, “aplikimi për rastet emergjente dorëzohen në Divizionin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, brenda afatit prej 72 orësh (3 ditë), nga momenti i lëshimit të raportit emergjent dhe fletëlëshimi për rastet e spitalizuara, duke mos llogaritur ditët e vikendeve dhe festave zyrtare”.

Image

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat