Dy njësi të FSK-së në misionin jashtë vendit, ky do të jetë destinacioni i parë

Aktuale

Dy njësi të FSK-së në misionin jashtë vendit, ky do të jetë destinacioni i parë

Më: 7 janar 2021 Në ora: 19:37
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, pritet që në mars 2021, të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018. Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka zbuluar më 6 janar se në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën", ka deklaruar Rama.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.

Këto detaje janë zbuluar një ditë pasi Kuvendi i Kosovës me 92 vota për dhe asnjë votë kundër, miratoi vendimin e 31 dhjetorit 2020 të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Çfarë njësish do të marrin pjesë?

Zyrtarisht ende nuk dihet se sa do të jetë numri i kontingjentit të Kosovës në këtë mision, edhe pse përgatitjet për të ka shumë kohë që kanë nisur. Besa Kabashi -Ramaj, eksperte në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, tha Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja pritet të jetë simbolike, por e një rëndësie të veçantë.

“Është konfirmuar se njësitë që kanë për të shërbyer bashkë me Forcat e Ushtrisë së SHBA-së, do të jenë nga Mirëmbajtja dhe Logjistika, pra këto janë dy fushat në të cilat FSK-ja do të ndihmojë në kuadër të misionit të përbashkët me SHBA-në”, tha Kabashi-Ramaj.

Por kjo sipas saj, nuk e zbeh rëndësinë dhe rrezikshmërinë e misionit.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se kjo vjen me rreziqe, por të gjithë oficerët, nënoficerët e FSK-së e kanë këtë parasysh në momentin që bëhen anëtarë të kësaj force. Kështu që ata janë shumë mirë të përgatitur që të marrin përsipër edhe rreziqe të tilla”, shtoi ajo.

Pjesëmarrje simbolike, hap historik

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se misioni mund të jetë simbolik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin.

“Është lajm i mirë, historik, neve tani na mbetet të kryejmë obligimet tona në aspektin profesional. Ne qysh në start kemi punuar në bazë të standardeve të NATO-s, dhe vetë fakti që e kemi NATO-n brenda institucionit tonë, kjo e ka rëndësinë e vet”, tha gjenerallejtënant Rama duke rikujtuar se NATO-ja ka qenë pjesë aktive e zhvillimit të FSK-së që nga viti 2009.

Për Besa Kabashi-Ramajn, vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit, që është marrë me partnerin kryesor strategjik, dëshmon se “Kosova ka ndërtuar një forcë që e ka standardin dhe besueshmërinë paralel me ushtarët e Ushtrisë më të fuqishme në botë”.

“FSK-ja ka filluar transformimin si rezultat i Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë në vitet 2012-2014, dhe aty ka filluar edhe qëllimi FSK-së për zbarkimin jashtë vendit si shenjë e profesionalizmit, por edhe dëshirës së Kosovës për të dhënë për të tjerët, atë që partnerët e Kosovës e kanë dhënë në vitin 1999 e tutje. Kështu që ky është kontributi i Kosovës për botën dhe për partnerët e saj strategjik”, tha ajo.

Vendimi ka hyrë në fuqi

Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.

Ajo i ka uruar paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët do të marrin pjesë në këtë mision.

“Si presidente në detyrë dhe Komandante Supreme e FSK-së, i uroj paqeruajtësit e parë kosovarë, të cilët bënë historinë dhe do të jenë në funksion të paqes krahas SHBA-së, aleatëve tanë strategjik”, ka thënë Osmani.

Edhe Ambasada e SHBA-së e ka mirëpritur vendimin.

“Votimi unanim i kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet me Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë” thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat