Pas reshjeve të fundit në liqenin e Badovcit dhe Batllavës rritet niveli mbi dy metra

Aktuale

Pas reshjeve të fundit në liqenin e Badovcit dhe Batllavës rritet niveli mbi dy metra

Më: 11 janar 2021 Në ora: 13:50
Foto ilustrim

Reshjet e mëdha të shiut kanë rritur nivelin e ujit në të gjitha liqenet e Kosovës. Në liqenin e Batllavës dhe Badovcit është rritur niveli i ujit prej mbi dy metrave, ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina.

Sipas këtij njoftimi pas këtyre të reshurave KRU-Prishtina është në gjendje të furnizojë qytetarët 24-orë me ujë.

“Liqenet artificiale Badovci dhe Batllava kanë një ngritje të nivelit të ujit prej mbi 2 metra, por që kjo rritje e nivelit nuk ka ndikuar ende në rritje të turbullirës, por me ardhjet e shumta në liqe, pritet turbullim i ujit, me ç’rast do të ndërmarrim veprime konkrete karshi situatës. Ekipa e Laboratorit së bashku me përgjegjësit e këtyre sistemeve prodhuese, po marrin mostra gjatë tërë ditës për të parë më afër cilësinë e ujit të pijshëm në rezervuare dhe rrjetin shpërndarës të ujit për të evituar ndotjen eventuale. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujit dhe kanalizimit, me ekipe shtesë janë duke e monitoruar dhe ndihmuar situatën në terren, të fokusuar në zonat e shërbimit ku ka më shumë vërshime. Me kapacitetet maksimale që kemi jemi në gjendje gatishmërie 24 h pandërprerë, aty ku qytetarët kanë nevojë për ofrimin e shërbimeve tona”, thuhet në njoftimin e KRU-Prishtina.

Po ashtu sipas këtij njoftimi Departamenti i Cilësisë së ujit është duke bërë kontrolle në të gjitha zonat ku ka vërshime.

“Në të njëjtën kohë Departamenti i Cilësisë së ujit dhe burimeve po mbikëqyr cilësinë e ujit në burime sipërfaqësore dhe nëntokësore, sipas planit operacional për kontrolle të kualitetit në të gjitha zonat e shërbimit ku furnizimi bëhet nga Kompania Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Gjendja aktuale me vërshime është më e rënduar në Fushë Kosovë ku kemi marrë veprime parandaluese duke i larguar nga prodhimi pjesërisht 2 puse nëntokësore, për të ruajtur cilësinë e ujit në plotni! Sistemet prodhuese në NJOU Shtimje ,Lipjan ,Peran ,Vragoli dhe Miradi  të cilat  furnizimin e kanë nga puset nëntokësore janë afër rrezikut për t’u vërshuar, andaj jemi duke punuar me kapacitete të reduktuara”, thuhet në komunikatën e KRU-Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat