KQZ’ja i ka thirrur edhe më herët në telefon mërgimtarët, kështu ishin anuluar votat e tyre

Aktuale

KQZ’ja i ka thirrur edhe më herët në telefon mërgimtarët, kështu ishin anuluar votat e tyre

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:42
Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës, në formularët për votim të shkruajnë edhe numrin e telefonit. KQZ do t’i telefonojë ata dhe nëse nuk lajmërohen, aplikacioni i tyre do të refuzohet. Kjo u kundërshtua, por nuk është hera e parë që KQZ merr një vendim të tillë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Istogut në vitin 2017 ishin anuluar për shkak të konstatimit se janë bërë keqpërdorime në votat me postë.

Fletëvotimet e dërguara me postë, për kryetar të Komunës së Istogut, kishin qenë në pliko të njëjta, fletëvotime të printuara të gjitha njëjtë dhe të dërguara me postën e njëjtë për kandidatin e AAK’së për kryetar, Gani Dreshaj.

Në këto fletëvotime, 99 për qind ishin për Gani Dreshajn, ndërkaq vetëm 1 për qind për kandidatin e LDK’së, Haki Rugova.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte pranuar të qëndrueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për anulimin e zgjedhjeve të raundit të dytë në Istog.

PZAP kishte bërë të ditur se disa nga votuesit, emrat e të cilëve ishin në fletëvotime, ishin të vdekur.

Kjo ishte konstatuar edhe në certifikatën e vdekjes, e në disa raste edhe me fotografi të lapidareve.

Kështu kishte rezultuar se fletëvotimet e personave të vdekur i kishte dërguar dikush në emër të tyre dhe të njëjtat ishin numëruar si fletëvotime të rregullta.

Procesi i votimit me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Istogut kishte rezultuar i paligjshëm.

Më 26 nëntor të vitit 2017, nga 60 persona nga Austria, emrat e të cilëve ishin në listën e votuesve, 56 prej tyre nuk ishin lajmëruar, e në vend të tyre ishte lajmëruar sekretaria e operatorit është i paqasshëm, ndërsa 2 votues që janë lajmëruar kanë qenë gjermanfolës, 1 votues i regjistruar kishte deklaruar se nuk ka votuar fare në raundin e dytë të zgjedhjeve, ndërkaq në shkresat e lëndës kishte rezultuar se i njëjti kishte votuar.

Një tjetër votues ishte paraqitur në emër të bashkëshortes, por kishte deklaruar se ajo nuk ka votuar e as nuk ka aplikuar për t’u regjistruar si votuese jashtë Kosovës.

Nga dhjetë votues nga Mali i Zi të kontaktuar nga PZAP, tetë nuk janë lajmëruar, por vetëm është lajmëruar sekretaria e operatorit se numri konkret është i paqasshëm, ndërkaq dy të tjerë kishin deklaruar se personi i kërkuar nuk e posedon atë numër të telefonit.

Njëjtë ka ndodhur edhe me votuesit nga Sllovenia. 9 prej tyre është lajmëruar sekretaria e operatorit, ndërkaq 1 tjetër ka refuzuar të flasë për arsyen e thirrjes.

PZAP kishte konstatuar se zarfet e dërguara nga shtete të ndryshme, ishin të njëjta për nga formati, ngjyra dhe firma.

Pas krejt këtyre gjetjeve, PZAP kishte marrë vendim për anulim të zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të Komunës së Istogut.

“Paneli vlerëson se në këtë situatë zgjidhja e vetme e drejtë, është që raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale për Kryetar të Komunës së Istogut, të përsëritët dhe të shkohet në rivotim, pasi nuk është e drejtë që të anulohen vetëm fletëvotimet me postë, ndonëse është e qartë që me këto vota është manipuluar, nuk e kemi sigurinë e plotë të themi se të gjitha janë të manipuluara, sepse ka mundësi që në mesin e këtyre votave ka pasur edhe vota të rregullta. Me qëllim që do votë e qytetarëve të shkojë në destinacionin e saj, e vetmja zgjidhje e drejtë dhe jodiskriminuese është rivotimi edhe atë në të gjitha vendvotimet e Komunës së Istogut”, thuhej në vendimin e PZAP’së.

PZAP kishte kërkuar nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve që me rastin e riorganizimit të raundit të dytë të zgjedhjeve në Istog, të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të eliminuar parregullsitë e evidentuara.

KQZ kishte dalë me një vendim për votimin përmes postës.

Sipas këtij vendimi, votuesit e regjistruar suksesshëm për votim përmes postës për Komunën e Istogut, të cilët kishin aplikuar në datat e caktuara, duhet të dërgonin dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe numrin e telefonit kontaktues, ku do të kontaktoheshin për verifikim.

Kjo po bëhej me qëllimin për të vërtetuar se a janë votues që kanë aplikuar suksesshëm dhe personalisht nga jashtë Kosovës.

Votuesit jashtë Kosovës të cilët ishin regjistruar suksesshëm për Komunën e Istogut, të cilët nuk do të sillnin dëshmi zyrtare shtesë për adresën dhe numrin kontaktues të telefonit, në një periudhë të caktuar nga KQZ’ja, do të ktheheshin si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, në qendrat e votimit sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil.

Ndërkohë, të hënën KQZ ka vendosur që edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, votuesit jashtë Kosovës duhet të ndjekin procedurat e njëjta si ato të vitit 2017.

Ata duhet të regjistrohen për votim përmes emailit. Sipas vendimit të KQZ’së, një aplikues mund të aplikojë prej një e-maili për vete dhe për rrethin e ngushtë familjar, që kanë të njëjtin mbiemër.

Por, në formularët e aplikimit, duhet të shënohet edhe numri i telefonit i personit që aplikon, nëse i njëjti nuk lajmërohet në telefon, do të humbë të drejtën e votës.

Ndaj këtij vendimi të KQZ’së pati kritika të ashpra.

Kundër vendimit të KQZ’së ka dalë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani.

Përmes një letre dërguar KQZ’së të hënën, Osmani ka deklaruar se e drejta e votës është fundamentale dhe e garantuar dhe si e tillë nuk mund të kushtëzohet me një telefonatë.

“Ky vendim, e specifikisht pika IV e tij, mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante”, ka shkruar Osmani në letrën dërguar KQZ’së.

Ndërkaq edhe pse dy anëtarë të saj në KQZ, Ismail Kurteshi dhe Alim Rama, e votuan vendimin për diasporën, Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar ankesë në PZAP.

“Përfaqësuesit tanë për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja. Kjo teknikisht nuk është e mundshme dhe ligjërisht është e ndaluar”, thuhet në reagimin e VV’së.

Ankesë në PZAP ndaj vendimit të KQZ’së, ka dërguar edhe OJQ “Germin”.

Lirim Krasniqi nga Germin, ka kërkuar që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ta rishqyrtojë ose ta anulojë komplet vendimin e KQZ-së për votuesit nga diaspora.

“Ne si përfaqësues të organizatës Germin sapo deponuam ankesën kundër vendimit të KQZ-së. Ne konsiderojmë që ky vendim ka potencial që të shkel të drejtat themelore zgjedhore që rregullohen me Kushtetutën e Kosovës. Ne shpresojmë që PZAP do ta marrë parasysh ankesën tonë dhe do të veproj konform ligjit. Ekzistojnë elemente të të drejtave kushtetuese dhe tejkalimit të kompetencave të KQZ-së”, ka deklaruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat