Ismet Beqiri merr një vendim të rëndësishëm: Kam vendosur...

Aktuale

Ismet Beqiri merr një vendim të rëndësishëm: Kam vendosur...

Nga: N. H Më: 12 janar 2021 Në ora: 19:15
Ismet Beqiri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, përmes një shkrimi në Facebook, njofton se ka vendosur që të mos kandidojë si deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai thotë se këtë vendim e ka marrë me dëshirën e tij, ndërsa ka theksuar se ka liruar hapësirën për kandidatë tjerë nga dega e tij.

“Kam marrë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar zërin e tyre dhe me gjithë qenien time jam munduar që të bëhem reflektim i punës së mirë, që më është besuar për vite me radhë. Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe deputet të ardhshëm”, shkruan ai.

Ja shkrimi i tij:

Të dashur qytetarë,

Anëtar dhe veprimtarë të LDK-së,

Me 14 shkurt do ti kemi zgjedhjet nacionale.

Besimi që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës për vite me radhë do të vuloset edhe njëherë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deri më tani kam qenë në listat e LDK-së në 8 palë zgjedhje (2 lokale dhe 6 nacionale).

Në të gjitha këto unë dhe Dega ime kemi dalur fitues.

1 mandat Këshilltar Komunal,

1 mandat Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe

6 legjislatura Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kam marrë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar zërin e tyre dhe me gjithë qenien time jam munduar që të bëhem reflektim i punës së mirë, që më është besuar për vite me radhë.

Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm.

Për këtë kam marrë edhe pëlqimin e Degës time, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë.

Si çdo herë do të jem, në krye të Degës që i qëndroi përherë besnik LDK-së, për të dalur fitues edhe nga këto zgjedhje.

Kontributi im si Nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i një prej Degëve më të fuqishme në Kosovë, do të jetë maksimal për suksesin tonë në këto zgjedhje.

Me punë e përkushtim, drejt fitores së radhës.

I falenderoj votuesit e mi besnik që për më shumë se 20 vite më dhanë besimin e tyre, të cilin me punë të ndershme nuk ua kam keqpërdorur asnjëherë. Dëshmia më e mirë është përkrahja juaj mbi 2 dekada.

Shihemi shpejt edhe në proceset tjera zgjedhore.

Fundi i një rrugëtimi nënkupton fillimin e një rrugëtimi të ri.

Përjetë me LDK-në.

I juaji,

Ismet Beqiri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat