Hoxhaj shpalos prioritetet

Aktuale

Hoxhaj shpalos prioritetet

Më: 13 janar 2021 Në ora: 17:29
Enver Hoxhaj

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër të vendit Enver Hoxhaj, e ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje në 5 debate televizive, për siç tha të debatojnë  për platformat e të dy partive pasi sipas tij në këto zgjedhje gara është në mes të PDK-së dhe të LVV-së.

Hoxhaj, në një konferencë për media ku ka prezantuar planin qeverisës të PDK-së për rimëkëmbjen e vendit, tha se tek qytetarët vërehet optimizmi që pas këtyre zgjedhjeve PDK do të dal si partia më e votuar.

“T’i krahasojmë ofertat se kush e ka programin më të mirë për ta quar Kosovën përpara. Për më shumë e ftoj z.Kurti në 5 debate televizive, një debat për ekonominë, një debat për shëndetësinë, një debat për sundimin e ligjit, një debat për sistemin arsimor  dhe një debat për politikën e jashtme dhe një debat të fundit të gjashtin me 12 shkurt për të gjitha temat e mundshme që është i interesuar z.Kurti të debatojë. Ju mund të pyetni pse, sepse demokracia nuk është monolog edhe zgjedhjet nuk janë monolog, zgjedhjet janë dialog dhe unë jam i gatshëm të dialogojë dhe të jem rival në këto zgjedhje me dy parti politike, se ne garojmë për vendin e parë dhe të shtyhemi në rrafshin politik dhe përmbajtjesor në një debat të tillë. Në debate të tilla do të kenë mundësi që të tregojmë para qytetarëve se kush është më i përgatitur për këto zgjedhje dhe unë kudo që kam lëvizur në Kosovë në këto javët e fundit ka një besim të madh, ka një shpresë të madhe, ka një optimizëm të madh që subjekti më i votuar, më i madh në Kosovë pas zgjedhjeve do të jetë PDK”, tha ai.

Ai ka prezantuar 5 prioritetet e Partisë Demokratike të Kosovës, derisa ka theksuar se nuk ka parti tjetër e cila ka më shumë përvojë, dije, guxim dhe vendosmëri se PDK për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve të Kosovës.

“Në këtë drejtim ata i kanë kthyer sytë nga PDK-ja e cila është i vetmi subjekt që mund ta nxjerr vendin nga kriza politike, nga balta dhe moqali politik të cilin e kanë futur të dy partitë politike si LVV dhe LDK… Së pari prioritet i parë do të jetë rimëkëmbja ekonomike e vendit në kontekstin e pandemisë dhe pas pandemisë. Së dyti përballja e menjëhershme me shëndetin e njerëzve për shkak të pandemisë dhe zhvillimi i një sistemi modern shëndetësor. Së treti, zbatimi dhe promovimi i sundimit të ligjit, i forcimit të ligjit dhe i luftës së pa kompromis  ndaj korrupsionit. Së katërti ndërtimi i një sistemi modern arsimor ku vetëm në vitin 2020 për shkak të pandemisë dhe dështimeve të qeverisë e kemi një gjeneratë të humbur të atyre që e kanë qenë në shkollat fillore, të mesme dhe në universitet. Prioriteti i fundit është politika e jashtme dhe rikthimi apo ringritja e Kosovës si shtet në hartën e shteteve sovrane dhe të pavarura”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj teksa ka folur për listën për kandidat për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se si parti kanë programin më të mirë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Së pari ne ende kemi afat, por çka mund të them është 10-shja e parë, 10-shja e dytë, 10-shja e tretë, 10-shja e katërt, e pestë do të jetë numri i parë i atyre që garojnë për të qenë deputetë që nuk krahasohet me asnjë parti politike qoftë për shkak të profilit të tyre profesional, qytetar, patriotik, moral dhe të përvojës. 10-shja e parë do të jetë një befasi e cila mund ta tejkalojë goxha shumë edhe imagjinatën tuaj, do të ketë edhe aderime tjera, natyrisht që aderimet që do të hyjnë do të jenë të profileve krejt tjera që kemi pasur deri më tash. Së dyti, ne në këto zgjedhje garojmë me programin më të mirë, unë sot i prezantova 5 prioritetet e PDK-së në këto zgjedhje dhe besoj që të shtunën do ta prezantojë listën e cila pothuajse është e përmbyllur”, tha ai.

Ai foli edhe për koalicionet e mundshme pas zgjedhore, për çka tha se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik në Kosovë, derisa tha se me Nismën Socialdemokrate kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë.

“Në raport me Nismën kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me Nismën dhe kryetarin e saj  z.Limaj, por ne garojmë në këto zgjedhje të vetëm për shumë arsye, së pari ne garojmë në këto zgjedhje me identitetin, logon dhe programin dhe me ekipin e qartë të PDK-së dhe duam që t’i ftojmë qytetarët e Kosovës që t’i japin sa më shumë besim PDK-së dhe ne të japim llogari para tyre. Së dyti, edhe në 2019 kemi garuar të vetëm dhe së treti në këto zgjedhje hyjmë si partia e vetme opozitare që ka vendi, krejt kanë qenë në pushtet, të vetmit që nuk kemi qenë jemi ne, prandaj është e pamundur që të bashkëpunosh me parti që kanë qenë në pushtet kur 2020 ka qenë një vit i mbrapshtë dhe një vit i dështimit dhe dështimin e bartin të gjitha partitë politike që kanë qenë në qeveri. Unë nuk jam prej atyre që tregojë as në konferenca, as në studio se kush çka i tha”, tha ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër të vendit tha se aktualisht Kosova kërcënohet nga katër rreziqe, dy prej tyre tha se janë pandemia dhe pasojat e saj ekonomike, rreziku i tretë tha se buron prej mungesës së stabilitetit politik dhe krizave të vazhdueshme të klasës politik dhe rreziku i katërt Hoxhaj tha se vjen nga Gjykata Kushtetuese në Hagë, ku tha se nuk janë duke u gjykuar thjesht heronjtë e vendit themeluesit e shtetit, por, duke u gjykuar është vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat