Lushaku: 41.60%, jo aq shumë sa Vetëvendosje ta krijojë vet qeverinë

Aktuale

Lushaku: 41.60%, jo aq shumë sa Vetëvendosje ta krijojë vet qeverinë

Më: 16 janar 2021 Në ora: 00:52
Opinionistja Jehona Lushaku

Opinionistja Jehona Lushaku po vlerëson se rezultati prej 41.60% i sondazhit më të ri të prezantuar, ku PIPOS e nxjerr Vetëvendosjen subjektin e parë në zgjedhjet e 14 shkurtit, është i pamjaftueshëm për të krijuar qeveri pa partnerë koalicioni.

Ajo në Edicionin e Analizës, theksoi që Vetëvendosje duhet qartë të tregojë tutje planin e saj për të kuptuar nëse është ai ndryshimi për të cilin e votojnë qytetarët.

”Pritet shumë që partia Vetëvendosje të fitojë një përkrahje në formën e referendumit, por sipas sondazhit 41.60% nuk është aq e madhe sa për të krijuar qeveri vet dhe për të qeverisur në të ardhmen”.

”Ndaj dhe është shumë interesant se çfarë diskursi mund të përdorë kjo parti në të ardhmen. Prandaj është shumë interesant se Lëvizja Vetëvendosje çfarë diskursi do të përdorë gjatë kësaj kampanje zgjedhore, çfarë qasje do ketë kundrejt partive të tjera, ne e dimë që ka pasur një vijë të kuqe për PDK-në, a do të jetë apo nuk do të jetë mbetet të shihet në praktikë”.

”Në demokraci është shumë vështirë me vendos vija të kuqe, posaçërisht në sistemet elektorale siç i kemi ne këtu. Është shumë interesant për të parë se sa do të ketë përafrim programesh”.

”Nëse flasim për qeverisjen e ardhshme dhe parimet që lideri i Vetëvendosjes insiston, atëherë duhet te shkohet deri në fund në kërkesat tona për t’na i sqaruar se sa do të respektohen këto parime. Ne e dimë që marrëveshja e fundit me Vjosa Osmanin e cila dëshiroi ta formonte një iniciativë, do të kishte potencialisht vlerat bazë të djathta të qendrës për shkak të historisë së saj që ka qenë në LDK”.

Lushaku konsideron se duhet të ketë një pasqyrim të qartë për të nxjerrë në pah se cili ishte kompromisi që Vjosa Osmani kaq lehtë nisi bashkëpunim me Albin Kurtin.

”Dhe është shumë interesant se si u absorbua kaq lehtë brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe vërtetë është interesant me ditë se çka ka qenë kompromisi i brendshëm”.

”Nëse flasim për politika dhe mirëqeverisje duhet me folë përtej individëve, për qasjen ndaj politikave, për tregun, rregullimin e tregut, konkurrencën. Janë shumë pyetje esenciale që secila parti që merr udhëheqjen e qeverisjes duhet t’i ketë të qarta dhe duhet të ketë një lloj kompromisi me atë partinë tjetër apo personat që ka bërë koalicion”.

”Dhe është shumë e rëndësishme për ne se nëse flasim duke thënë se e votojmë Vetëvendosjen për ndryshim, atëherë ndryshimi duhet të jetë i qartë se çfarë do të jetë”.

”Ndaj unë e shoh që meqë kjo përqindje nuk është e mjaftueshme për qeverisje vet, është shumë e rëndësishme për t’u sqaruar se kush janë partnerët e Lëvizjes Vetëvendosje në të ardhmen dhe me çfarë kompromisesh do të hyhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat