Nisin hetimet për vdekjen e Fadil Syleviqit, Prokuroria e kualifikon si “të dyshimtë”

Aktuale

Nisin hetimet për vdekjen e Fadil Syleviqit, Prokuroria e kualifikon si “të dyshimtë”

Më: 16 janar 2021 Në ora: 13:49
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për vdekjen e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqit. Ai është gjetur i vdekur pasditen e djeshme në një mal. Rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”.

Në afërsi të Liqenit të Badovcit, dje është gjetur një trup i pajetë. Pas arritjes së Policisë në vendngjarje u mësua se viktima është Fadil Syleviqi, ish-zyrtar i PK’së.

Për këtë rast, Prokruroria Themelore e Prishtinës tashmë ka nisur hetimet.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ulaj ka thënë se rasti është kualifikuar si ‘vdekje e dyshimtë”, derisa ka shtuar se prokuroria dhe policia janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka filluar hetimet lidhur me këtë rast. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është kualifikuar si “vdekje e dyshimtë” dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Insititutin e Mjekësisë Ligjore, Prishtinë. Po ashtu, ju njoftojmë se prokuroria në bashkëpunim me policinë, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit në fjalë​”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Lajmin për vdekjen e Syleviqit e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi.

 “Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është  i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Por çfarë kishte thënë Syleviqi në një deklarim të fundit që e kishte pasur për media?

Ai ishte kontaktuar, pasi gazetari Milaim Zeka kishte publikuar një foto të tij ku shihej bashkë me Salih Mustafën e arrestuar nga Gjykata Speciale.

Në një prononcim për Gazetën, ish-hetuesi kishte thënë që fotografi ishte më e vjetër se një vit.

“Ajo fotografi është një vit e vjetër sigurisht, mezi e identifikova cili është ai vend. Është foto shumë e vjetër. Nuk kam koment diçka lidhur me të”, thotë ai, teksa shton se sa i përket Speciales nuk ka pasur kontakt me Mustafën.

“Unë në atë drejtim nuk kam pasur kontakte”, kishte thënë ai.

Media e kishte pyetur Syleviqin nëse ka marrë ftesë për intervistim nga Specialja. Ai ka bërë të ditur se nuk prononcohet më shumë për këtë temë, duke shtuar se deri më tani nuk ka ftesë.

“Këto janë personale, nuk jam për me u prononcu, thjesht nuk kam ftesë, këtë mundem me thanë me tepër jo”, kishte thënë ai.

Ndryshe, Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllëzërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat