Hoxhaj: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën ishin frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

Aktuale

Hoxhaj: Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën ishin frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë

Më: 17 janar 2021 Në ora: 11:13
Vëllezërit Gervalla, Kadri Zeka

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 39 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekës.

Përmes një statusi në Facebook, Hoxhaj tha se mbi sakrificën e tre heronjve u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare.

"Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë.", shkroi ai.

Hoxhaj kujtoi eshe një varg nga Jusuf Gërvalla, duke thënë se veprat e dëshmorëve, të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të UÇK-së na shërbejnë si yjet e vetme që na ndriçojnë rrugën drejt rimëkëmbjes së dinjitetit kombëtar.

Lexoni të plotë statusin:

39 vite më parë u vranë tinëzisht në Gjermani tre veprimtarët e çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Jugosllavia mendoi se duke vrarë kokat e ilegales, do ta shuante rezistencën e popullit shqiptar. Por, në të vërtetë, aty ku ranë tre veprimtarët, u lindën mijëra të tjerë.

Mbi sakrificën e tre heronjve u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare. Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë.

"Unë nuk i shoh yjet / pështjellë në terr" thotë një varg i poetit Jusuf Gërvalla. Sot, në terrin e agjendave për rishkrimin e historisë së luftës sonë të drejtë çlirimtare, kur nuk shohim asnjë yll tjetër, veprat e dëshmorëve, të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të UÇK-së na shërbejnë si yjet e vetme që na ndriçojnë rrugën drejt rimëkëmbjes së dinjitetit kombëtar.

PDK-ja është një parti e themeluar nga veprimtarë që vepruan në diasporë, nga të burgosurit politikë, nga luftëtarët e UÇK-së. Pra, nga shokët e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut. Prandaj, natyrshëm, si struktura të PDK-së, sot e përkujtojmë me nderim veprën e tre Heronjve të Kosovës – Jusufit, Bardhoshit e Kadriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat