Haziri: Jemi krenarë që po normalizohet mësimi në shkollat e Gjilanit

Aktuale

Haziri: Jemi krenarë që po normalizohet mësimi në shkollat e Gjilanit

Më: 18 janar 2021 Në ora: 14:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë të vitit shkollor, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me drejtorin e Arsimit, Nazim Gagica, kanë qëndruar në shkollën fillore “Thimi Mitko”, për të parë nga afër procesin mësimor.

“Drejtoria e Arsimit ka arritur që ta nis mësimin në shkolla në mënyrën më të mirë dhe jemi krenarë që mësimi po normalizohet në shkollat tona. Normalizimi i procesit mësimor si tendencë nuk është vetëm që ta provojmë këtë, por edhe ta zbatojmë. Besojmë shumë që po shkojmë drejt mbylljes së pandemisë”, tha kryetari Haziri.

Ai ka konfirmuar se po punohet në ndërtimin e aneksit të shkollës “Thimi Mitko” për të krijuar kushte më të mira, derisa në 11 shkolla tjera po punohet sipas planeve.

“Çerdhja e re në lagjen Arbëria përfundon sivjet, sikurse edhe objektet përcjellëse për infrastrukturë shkollore. Po shkojmë drejt mbylljes së investimeve në infrastrukturë, ku mësimdhënësit dhe nxënësit do të kenë hapësirë më të madhe veprimi. 3.2 milionë euro nga të hyrat komunale shkojmë gjithmonë në arsim, ndërsa mjetet tjera shkojnë në bujqësi e shëndetësi”, ka shtuar Haziri.

Haziri ka apeluar prindërit që në rast që shohin simptoma tek fëmijët e tyre, të mos i sjellin ata në shkollë, sikurse edhe për mësimdhënësit, në mënyrë që ta parandalohet infeksioni.

“Sot kanë lëvizuar rreth 25 mijë qytetarë, pra një e treta e banorëve është në lëvizje, dhe ta preventojmë e të mos lejojmë në asnjë mënyrë që të bëhemi burim i infeksionit”, shtoi Haziri.

Drejtori i DKA’së, Nazim Gagica, ka bërë të ditur se në të githa shkollat e Gjilanit mësimi ka filluar me kohë, ndërkohë që paraprakisht janë furnizuar me mjete higjienike dhe sanitare.

“Besoj që deri në Qershor kemi material të mjaftueshëm sanitar e higjienik. Lutem për kujdes të shtuar, edhe të nxënësve, mësimdhënësve dhe menaxhmetit. Faleminderit kryetarit Haziri për mbështetjen e madhe”, tha Gagica.

“Ditën e parë e kemi filluar shumë mirë, duke i respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK. Nxënësit dhe mësimdhënësit kanë qenë në shkollë që të gjithë. Nuk kemi ndonjë rast të konfirmuar me COVID-19 dhe shpresojmë shumë që gjithçka do të ecë mbarë”, tha nga ana tjetër, drejtoresha e “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat