Shkëlzen Gashi komenton listat e kandidatëve për deputetë të VV, LDK dhe PDK

Aktuale

Shkëlzen Gashi komenton listat e kandidatëve për deputetë të VV, LDK dhe PDK

Më: 18 janar 2021 Në ora: 23:59
Analisti Shkëlzen Gashi

Analisti Shkëlzen Gashi i ka komentuar listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se i ka bërë përshtypje lista VV-së që i ka përfshirë të gjitha kategoritë e shoqërisë.

“Më bëri përshtypje që i ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Kur thua listë për referendum; atëherë duhet t’i përfshish të gjitha kategoritë e shoqërisë. Këtu duhet të ndodhë një ndryshim radikal – jemi në një periudhë të rëndësishme siç ka qenë ajo e vitit 1989-90”.

“Nuk mund ta bësh ndryshimin nëse thua veç ata që janë socialdemokratë duhet të futen në listë. Shumica nuk e dinë se çka është e majta dhe çka e djathta, por jo edhe VV. Më bëri përshtypje që janë të përfshirë aktivistë, të burgosurit politikë, i ka pjesëmarrësit në luftë, i ka të mbijetuarit e luftës, tash e kemi edhe të mbijetuarën e dhunës seksuale – kjo është ajo që po më bën më së shumti përshtypje”.

“Kategori tjetër që është përfshirë për herë të parë në listën e VV janë edhe Rugovistët. Vjosa Osmani, Gërvalla, Faton Peci dhe Blerim Gashani – këta janë Rugovistë të hapur publikisht me qëndrime. Këta mund të ngrenë vota edhe pse nuk pajtohen të dytë, Gërvalla dhe Gashani këta kanë moskuptime me Kurtin dhe i shprehin ato publikisht”.

“Ka edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, ish gazetarë. Këtu është i përfaqësuar edhe komuniteti mysliman dhe katolik, komuniteti i artistëve dhe çfarë më ka bërë përshtypje është përfaqësimi i grave”.

“Mungojnë dy komunitetet tjera si për shembull nuk ka turq, goran, ashkalinj, boshnjak apo malazez dhe nuk ka përfaqësues të komunitetit LGBTI”.

“Ne jemi në rrethana të jashtëzakonshme, është e njëjtë sikur kur është formuar LDK – është situatë e njëjtë. Kosova është i vetmi vend që nuk ka sigurim shëndetësor dhe e ka arsimin përtokë. Duhet të bëhet një ndryshim radikal. VV mund të befasojë me dyfishim të rezultatit sepse na ka befasuar një herë”.

Ndërsa listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka kritikuar se në 20-ëshen e parë ka njerëz që nuk kanë kurrfarë vizioni.

“Unë nuk e kuptoj qysh kjo 20-ja e parë e paska një vizion të qartë për kulturën, arsimin, këta nuk kanë kurrfarë vizioni. Po çarë vizioni këta?. Këta në rrethana normale nuk i kishe parë kurrë në këtë listë”.

“Është e turpshme me i fut në listë vetëm pse është djali i Xhemajl Mustafës apo Enver Malokut – ky është manipulim. Kjo është parti që i manipulon viktimat”.

Sipas tij, edhe në listën e PDK-së nuk ka kurrfarë ndryshimi përveç se dy liderët e saj nuk janë dhe tash kësaj partie i prinë dikush tjetër

“Tek lista e kësaj partie nuk shoh shumë ndryshme përveç se dy liderët e saj nuk janë dhe tash kësaj partie i prin dikush tjetër. Në këtë parti i ke prapë me lidhje familjare, e ke djalin e Lushtakut dhe mbesën e Thaçit”.

“I ke dy personalitete që kanë ndërruar aq shumë parti politike si Ramiz Kelmendi dhe Qerkezi. Shumica dërrmuese e tyre i kanë dy synime: prestigj dhe të ardhura financiare”.

“Çka më bëri përshtypje është se kemi dy persona që e kanë terrorizuar opinionin si analistë të pavarur dhe tash janë futur në listën e një partie politike”.

“Është një person ish i burgosur politik, Haki Morina, që ka dhënë një kontribut shumë të madh në luftë dhe pas luftës dhe është tërhequr nga këtu dhe ka shkuar në diasporë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat