Sot vendoset fati i kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin

Aktuale

Sot vendoset fati i kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin

Më: 20 janar 2021 Në ora: 07:57
Ilustrim

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vetëm edhe sot kohë që t’i verifikojnë listat e partive politike, të cilat mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit. Procesi i verifikimit ka filluar që nga e hëna.

Listat e partive politike me kandidatët për deputetë do t’u nënshtrohen verifikimit në gjashtë institucione.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, ka thënë Elezi.

Për procesin e verifikimit të kandidatëve janë deklaruar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Ne si KGjK tashmë e kemi një databazë në të cilën janë të regjistruar të gjithë personat e dënuar me Aktgjykime të formës së prerë. Të dhënat nga ky regjistër mund të verifikohen në një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë. Dy ditë, për të bërë këtë verifikim janë mëse të mjaftueshme për ne si institucion. Procesi i verifikimit është fare i thjeshtë, meqë thjeshtë verifikohet nëse ndonjë kandidat i subjekteve politike ekziston në këtë databazë apo jo.”

Në rast se KGJK-ja gjen se persona që kanë kandiduar për deputetë kanë dënime të plotfuqishme, Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.

Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat