Kryetari Mustafa përkujton Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Aktuale

Kryetari Mustafa përkujton Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Më: 21 janar 2021 Në ora: 09:12
Isa Mustafa

Në 15 vjetorin e vdekjes së Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e përkujton me këto fjalë:

“Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova.

Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.

Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik.

LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës. Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi e cila është emblema më e mirë e Kosovës tonë të sotme dhe të ardhshme.

Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte Presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë miqësi LDK-ja do të vazhdoj ta ruaj dhe kultivoj më tutje sepse nuk kemi alternativë tjetër.

Lavdi jetës dhe veprës së Gandit të Ballkanit, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat