Rrëzimi i Qeverisë Kurti, Hoti: S’mund të lejonim qeverisjen që s’ka komunikim me SHBA-në

Aktuale

Rrëzimi i Qeverisë Kurti, Hoti: S’mund të lejonim qeverisjen që s’ka komunikim me SHBA-në

Më: 21 janar 2021 Në ora: 22:15
Hoti

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është shprehur i bindur se vendimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ani se në kohë pandemie, ishte i duhuri.

“Unë jam i bindur sot që vendimi që kemi marrë atëherë ka qenë plotësisht i drejtë. Nuk ka pasë logjikë dhe nuk kemi pasë mundësi që ne si LDK të lejojmë që të vazhdojë një qeverisje e cila ka diskomunikim me SHBA-të – duke i ngrirë fondet e MÇ-së me vendim të shkruar, merren kërcënime nga zyrtarët e lartë amerikanë për tërheqje të trupave, si dhe u ndërpre plotësisht komunikimi. Ne kërkonim që të gjenim një dakordim për procesin e dialogut në konsultim edhe me partnerët e tjerë evropianë, derisa ai [Albin Kurti] çohej dhe shkruante letër në emër të qeverisë zyrtarëve të ndryshëm për qëndrime dhe teori të ndryshme”.

Ai ka thënë se Albin Kurti nuk duhej të vepronte pa dakordimin me partnerët e koalicionit qeverisës, derisa në këtë pikë e ka lavdëruar veten – ani se edhe partnerët e tij, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, e akuzuan shpesh herë se nuk po konsultohet me ta.

“Nuk qeveriset ashtu – qeveriset duke u ulur bashkë me partnerët, ashtu siç kam bërë unë për secilin vendim të madh”.

“Unë i kam bërë dakordimet e plota për procesin e dialogut me partnerët e koalicionit, partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Unë çdo veprim e kam bërë në përputhje me ato parime”.

Shefi i qeverisë në detyrë, në Rubikon ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasë vetëm një dakordim për dialogun – që ky proces duhet të nisë.

“Dakordimin që e kemi pasë është që procesi i dialogut duhet të fillojë. Pengesat që kanë qenë në proces të dialogut nga qeveria paraprake të hiqen – si për shembull taksa. Orientimet dhe insistimi jonë ka qenë që procesi i dialogut duhet të fillojë. Ne kemi bërë përpjekje maksimale dhe kemi dërguar edhe një rezolutë në Kuvend sepse krijoheshin teori të paqena nga ish-kryeministri [Albin Kurti]. Grupi jonë parlamentar ka dërguar në Kuvend rezolutë për të marrë vullnetin e Kuvendit edhe një herë që dialogu të udhëhiqet nga qeveria, por ka qenë e pamundur që të vijmë te një dakordim për të vazhduar përpara. Ai e shndërroi në kauzë dhe filloi konfrontimin e hapur me ambasadorin Richard Grenell dhe administratën e SHBA-ve dhe filloi ndarjen se kah zgjedhim ne si Kosovë – Evropa, apo Amerika. U ndërpre plotësisht komunikimi mes Qeverisë së Kosovës dhe administratës së SHBA-ve”.

“Nuk ka pasë dakordim për Zajednicë dhe as shkëmbime territoriale. Ka pasë dakordim që dialogu duhet të fillojë me parime të qarta në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019.

“Kërkesa e partnerëve tanë ndërkombëtarë ka qenë që taksa duhet të hiqet për një periudhë të caktuar kohore dhe t’ japin shansë procesit të dialogut. Në procesin e dialogut nuk ka asgjë të dakorduar, siç diskutohej, dhe duhet të ulemi në tavolinë të dialogut dhe ta udhëheqim atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat