Dënohet gjuha e partive politike ndaj RTV Dukagjinit

Aktuale

Dënohet gjuha e partive politike ndaj RTV Dukagjinit

Më: 21 janar 2021 Në ora: 23:44
Ermal Panduri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi të enjten siç tha gjuhën linçuese të dy subjekteve politike, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike ndaj Radio televizionit Dukagjini, pasi që ky i fundit në një emision debatues publikoi një anketë lidhur me rezultatet e pritshme të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se gjuha linçuese është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni të drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale.

“Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bënë thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t'i drejtojnë ato tek organet kompetente. Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij Asociacioni.

Të dy subjektet politike thanë se do të ndërpresin bashkëpunimin me këtë televizion, të cilin e akuzojnë për mbështetje të lëvizjes Vetëvendosje dhe për përhapje të siç thanë, lajmeve të rreme.

Partia Demokratike e Kosovës që ka qenë më e zëshmja në reagimet ndaj Radiotelevizionit Dukagjini. Të enjten në një konference për gazetarë, shefi i shtabit të kësaj partie, Betim Gjoshi, tha se subjekti i tyre ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin .

“Nga sot, asnjë përfaqësues i PDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë debat politik apo çfarëdo emisioni tjetër në këtë televizion propagandues dhe manipulues. Përjashtim bëjnë vetëm ato debate që tashmë janë xhiruar gjatë ditëve të kaluara. Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin”, tha zoti Gjoshi.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për opinion tha se RTV Dukagjini po përdorë të gjithë potencialin e vet mediatik në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje duke publikuar siç thuhet sondazhe të porositura për të çuar përpara një bindje politike.

“Ndërlidhja e ngushtë e RTV Dukagjini me “Lëvizjen Vetëvendosje!” shpërfaqet në secilën natë nëpërmjet të ashtuquajturave sondazhe online, që sërish, ndonëse s’kanë asnjë saktësi, asnjë profesionalizëm e së këndejmi asnjë vlerë për të ndërtuar opinion, paraqiten si fakte mbi të cilat ndërtohet lajmi. Ky prezantim sistematik dëshmon jo vetëm joprofesionalizmin e një medium në vend, por edhe keqpërdorimin e hapësirës publike në kohë fushate e para saj”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike duke nënvizuar se me këtë nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk do të tolerojë fushatën fake news ndaj saj”.

Drejtori i Radiotelevizonit Dukagjini, Ermal Panduri që njëherësh edhe udhëheq debatin politik në këtë televizion, tha se këto sulme po rrezikojnë punën e 150 punonjësve të këtij mediumi dhe se pret nga subjektet politike të tërhiqen nga kjo gjuhë dhe të kërkojnë falje.

Zoti Panduri tha se “RTV Dukagjini në sondazhin të cilit po i referohen subjektet politike, që po kërcënojnë me mospjesëmarrje, ka respektuar me përpikmëri të gjitha kriteret që kërkohen nga Komisioni i Pavarura i Mediave. Bazuar në Rregulloren e KPM-së, mediat janë të obliguara të bëjnë të ditur se kush është: Porositësi, Kryerësi, Numri i Respodentëve dhe Margjina e Gabimit”, tha ai duke nënvizuar se debatet politike gjatë gjithë̈ kohës në RTV Dukagjini kanë qenë të balancuara politikisht dhe do të vazhdojnë̈ të jenë të tilla.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Human Rights Watch, i publikuar në fillim të këtij viti nxori në pah se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë shënjestra të frikësimit, kërcënimeve në rrjetet sociale dhe sulmeve fizike, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale për këto vepra janë të ngadalshme./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat