Burrë e grua në një Konsullatë

Aktuale

Burrë e grua në një Konsullatë

Më: 22 janar 2021 Në ora: 00:27
Fidan Ibrahimi dhe Besa Ibrahimi janë në raport familjar - burrë e grua. Të dy këta janë pjesë e stafit të Konsullatës së Përgjithshme në Frankfurt nga viti 2019

Punësimet e diplomatëve që kanë lidhje familjare kanë vazhduar ndër vite dhe përjashtim nuk bëjnë as konsullatat e përgjithshme. Fidan Ibrahimi dhe Besa Ibrahimi në raport familjar janë e burrë e grua, kurse në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt njëri është konsull e tjetra asistente administrative.

Megjithëse rregulloret e brendshme të MPJ-së inkurajojnë bashkëshortët dhe anëtarët e tjerë të familjes që ta shoqërojnë personelin diplomatik ose konsullor, në asnjë mënyrë një anëtar i familjes nuk guxon të shërbejë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të bashkëshortit apo bashkëshortes

Nëpër konsullatat e Kosovës vazhdojnë të punësohen diplomatë e nëpunës që kanë lidhje familjare. Fidan Ibrahimi dhe Besa Ibrahimi janë në raport familjar - burrë e grua. Të dy këta janë pjesë e stafit të Konsullatës së Përgjithshme në Frankfurt nga viti 2019. Fidan Ibrahimi është konsull, ndërkaq gruaja e tij asistente administrative.

Sipas një liste që e ka siguruar Ktv, kjo konsullatë numëron dhjetë punonjës, por në faqen zyrtare të Ministrisë janë të vendosur vetëm emrat e konsujve.

I kontaktuar, Ibrahimi ka thënë se sqarimet do t’i japë ministria. Por, përgjigjet nga ky dikaster dhe Konsullata e Frankfurtit kanë munguar edhe pse media ka adresuar pyetje prej së martës.

Megjithëse rregulloret e brendshme të MPJ-së inkurajojnë bashkëshortët dhe anëtarët e tjerë të familjes që ta shoqërojnë personelin diplomatik ose konsullor, në asnjë mënyrë një anëtar i familjes nuk guxon të shërbejë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të bashkëshortit apo bashkëshortes.

Angazhimi dhe punësimi i anëtarëve të familjes, të cilët i plotësojnë kushtet, duhet t’u nënshtrohen kushteve të njëjta, si kategoritë e tjera të personelit ose kandidatëve për punë.

“Angazhimi dhe punësimi i anëtarëve të familjes, të cilët i plotësojnë kushtet u nënshtrohen kushteve të njëjta si kategoritë e tjera të personelit ose kandidatëve për punë. Në asnjë mënyrë një anëtar i familjes nuk guxon të shërbejë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të bashkëshortit/es së tij ose saj. Çfarëdo çështje që ka të bëjë me nepotizëm ose konflikte të mundshme të interesit duhet të referohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme për vëmendje të posaçme të drejtorit të përgjithshëm dhe Drejtorisë Ligjore”, thotë neni 15 i rregullores.

Konsullata e Kosovës në Frankfurt udhëhiqet nga Fatmire Musliu, së cilës i ka përfunduar mandati dhe posa të akreditohet zëvendësimi i saj, ajo do të kthehet në MPJ.

Ky nuk është rasti i vetëm kur brenda një misioni punojnë diplomatë që kanë lidhje familjare.

Vëzhgues të punës së shërbimit të jashtëm thonë se rastet e tilla janë edhe një tregues tjetër i instrumentalizimit të këtij shërbimi nga individë dhe grupe me ndikim politik.

“Mendoj që rastet e tilla nëse vazhdojnë të shfaqen shpesh përforcojnë bindjen se misionet diplomatike shihen si vende pune nga individë apo grupe të caktuara që mund të kenë lidhje të forta politike. Në këtë drejtim shihen si mundësi për t’u akomoduar në punësim edhe individë të së njëjtës familje”, ka thënë Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

“Që nga themelimi i shërbimit të jashtëm në vitin 2008, ka më shumë se një rast të raportuar në media, me ç’rast misionet diplomatike shihen vetëm si vende pune dhe iu përshtaten si të tilla individëve dhe familjarëve të tyre. Për shkak se ka ndodhur më shumë se një herë, nuk po flasim për një ngjarje të izoluar”, ka potencuar Berisha.

KOHA pati raportuar vitin e kaluar se, Ministria e Jashtme ishte përkujdesur që Shpend Kallaba dhe reja e tij, Bubulina Krasniqi, të shërbejnë brenda të njëjtit mision diplomatik në Ambasadën e Kosovës në Budapest. Përpara se të dërgoheshin në këtë mision, ata kishin shërbyer në Sofje.

Ndërkaq, në Federatën e Zvicrës ishin rehatuar eksponentë të PDK-së. Aktivistja Valbona Fazliu-Rrecaj nuk kishte arritur të zgjidhej deputete në vitin 2010, por qeverisja e drejtuar nga ky subjekt politik, atë dhe bashkëshortin e saj, Visar Rrecaj, i pati dërguar si diplomatë në një shtet.

Edhe gjatë qeverisjes së ministres Haradinaj ka vazhduar praktika, ku të fuqishmit e politikës rehatojnë familjarë, bashkëpartiakë dhe miq.

Sipas Berishës, shërbimi i jashtëm do të duhej të nënshtrohej një rishikimi total dhe mbi bazën e gjetjeve të këtij rishikimi të ndërmerrej një reformë gjithëpërfshirëse, “e cila më pastaj do të ofronte një mundësi për të pasur një fillim të ri në njëfarë forme, me një bazë ligjore të përmirësuar, por edhe me praktika institucionale të përmirësuara”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat