Lufta kundër korrupsionit, Lumezi: Kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm

Aktuale

Lufta kundër korrupsionit, Lumezi: Kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm

Më: 22 janar 2021 Në ora: 11:15
Aleksandër Lumezi

(E plotësuar 12:39) - Platformë elektronike që dëshmon për mospërputhjen në mes të ardhurave dhe pasurisë

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve tha se vendi i tij më kënaqësi do të mbështesë themelimin e platformës së re elektronike që do të lejojë identifikimin automatik te mospërputhjes në mes të ardhurave dhe pasurisë së dikujt.

“Zvicra ka kënaqësinë të mbështes themelimin e platformës së re elektronike që do të lejojë identifikimin automatik te mospërputhjes në mes të ardhurave dhe pasurisë së dikujt. Kjo platformë do të përdoret për të mbështetur hetimet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, shpëlarjen ë parasë dhe konfiskimin e pasurisë se fituar në mënyrë të jashtëligjshme”, u shpreh Kolly.

Në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ambasadori zviceran deklaroi se mbështetja e Zvicrës për drejtësinë në Kosovë ka qenë gjithmonë e drejtuar në tri pika kyçe.

“Së pari, mbrojtja dhe përparimi i sundimit të ligjit në Kosovë kërkon institucione të forta, profesionale dhe të pavarura. Së dyti, korrupsioni pengon zhvillimin, ndikon negativisht në tregun e punës dhe anon pasurinë në favor të disave. Së treti, të gjithë në Kosovë duhet të zbatojnë ligjin, askush nuk është mbi ligjin”, theksoi Kolly.

 

Szunyog: Pritjet janë të mëdha për luftën kundër korrupsionit

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve deklaroi se pritjet e tyre janë të mëdha kur flitet për rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Ai tha se lëndët e kësaj natyre duhet të trajtohen në mënyrë më efikase dhe profesionale.

“Ne vazhdojmë të besojmë në mundësinë e arritjes së rezultateve më të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, lëndët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë më efikase dhe profesionale. Pritjet tona janë të mëdha kur flitet për specializimin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, veçanërisht kur flitet për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha Szunyog.

Ambasadori i BE-së tha se puna e prokurorit fillon me udhëheqjen e hetimit por nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës, prandaj ai nënvizoi se fitorja në luftën kundër krimit vjen vetëm kur jepen dënime të formës së prerë në gjykatë.

Veç kësaj, ai përmendi konfiskimin e pasurive si thelbësore në luftimin e krimit ekonomik. Sipas tij, është i lartë numri i konfiskimeve paraprake të pasurive të kryera gjatë procedurave penale por ende mbetet i ulët numri i konfiskimeve përfundimtare.

“Në mënyrë që të lehtësohet më tej rikuperimi i të ardhurave të krimit dhe që pasuritë të konfiskohen në mënyrë efektive, BE-ja dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e inkurajojnë Kosovën që ta themelojë sa më shpejt fondin për këtë qëllim specifik. Do të duhej të kishte përparim në zbatimin e legjislacionit në lidhje me konfiskimin, veçanërisht të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim. Ne shpresojmë edhe që gjatë vitit 2021 më në fund të miratohet dhe të hyjë në fuqi drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale. Legjislacioni i ri sjell disa ndryshime në procedurat penale, të cilat nëse zbatohen siç duhet shpresohet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin e ndjekjes penale të lëndëve”, tha shefi i Zyrës së BE-së.

 

Kryesuesi i KPK-së tregon prioritetet e Këshillit për këtë vit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve, ka përmendur shkurtimisht disa nga prioritetet e Këshillit për këtë vit.

“Avancimi i sistemit të administrimit të të gjitha niveleve, përfshirë fuqizimin e kornizës ligjore dhe strukturës organizative përkatëse. Forcimi i integritetit të sistemit prokurorial të prokurorëve dhe stafit. Ngritja e nivelit të llogaridhënies dhe kontrolli permanent i punës. Avancimi i sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve. Ngritja e nivelit të transparencës. Avancimi i kritereve për rekrutim mbi bazë të meritave. Zhvillimi i mëtejmë i sistemit të ngritjes në karrierë. Përmirësimi i vazhdueshëm i planifikimit, buxhetit dhe kushteve për punë. Ngritja profesionale e prokurorëve dhe stafit administrativ. Bashkëpunimi dhe koordinimi me partner vendor dhe ndërkombëtar”, numëroi Maloku prioritetet e Këshillit.

Ai kujtoi se që prokurorët të kenë besimin e publikut duhet të punojnë pa u ndaluar dhe të krijojnë një ambient ku ka qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë. 

Selimi: Vetingu mbron ndershmërinë e prokurorit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve deklaroi se i di sfidat me të cilat prokurorët ballafaqohen por përsëriti se ata janë shtylla kryesore e mbrojtjes së Kosovës dhe e mbrojtjes së sundimit të ligjit.

Selimi u shpreh se me ndryshimet e fundit në procedurën penale prokurorët tashmë do të kenë më shumë mundësi të ndjekin të korruptuarit dhe rastet e krimeve të luftës, por ai nuk harroi të përmend edhe procesin e vetingut.

“Ne kemi bërë ndryshim edhe në sistemin e vetingut, të cilin e kemi bërë bashkë me juve. Ky veting do të jetë për ta mbrojtur ndershmërinë e prokurorit dhe për ta mbrojtur prokurorinë. Ne e kemi bërë edhe rishikimin funksional, një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë, që prokurorisë do t’i jap forcë, pavarësi dhe punë”, deklaroi Selimi.

 

Osmani: Suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit, kërkoj vetëm shtet të së drejtës

Presidetja në detyrë, Vjosa Osmani deklaroi në Konferencën Vjetore të Prokurorëve se suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit, prandaj të gjithë, qoftë përfaqësuesit e institucioneve por edhe të gjithë qytetarët e vendit duhet të ofrojnë kontributin maksimal për të siguruar institucione të pavarura, kredibile e profesionale të cilat luftojnë krimin e korrupsionin, ruajnë integritetin institucional e mbi të gjitha e bëjnë Republikën një vend të dëshirueshëm për të rritur fëmijët tanë.

“Gjykatësit dhe prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç faktit që duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të njëjtit edhe në publik të kenë perceptimin dhe besimin e qytetarëve dhe publikut se të njëjtit janë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare. Prandaj, integriteti i prokurorëve është bazament i punës së tyre, bashkë me profesionalizmin dhe etikën e punës. Prandaj, dua t’ju përcjellë mesazhe inkurajimi për punë të mëtutjeshme, duke u treguar të pakompromisë ndaj shkelësve të ligjit”, deklaroi Osmani.

Ajo tha se integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës.

“Si presidente në detyrë, dhe përgjatë gjithë karrierës sime, kam kërkuar vetëm shtet të së drejtës, rend dhe ligj. Tani, i gjithë kapaciteti im institucional e profesional, është në dispozicion të kësaj kauze. Do të jem aleati juaj kryesor, për aq sa kam kompetenca kushtetuese, për t’u ndihmuar në këtë drejtim”, përfundoi Osmani.

Kosnett, prokurorëve: Mos iu frikësoni llogaridhënies, përqafojeni atë

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett në konferencën vjetore të prokurorëve ka thënë se sot nuk po kërcënohet vetëm shëndeti ynë, por edhe vetë demokracia.

Kosnett përmendi ngjarjet e fundit që ndodhën në Washington kur ndodhi certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Si të gjithë ju, edhe unë u trondita nga ngjarjet e kohëve të fundit në Washington. Dhuna politike e 6 janarit ishte përkujtuese e zymtë e brishtësisë së demokracisë, rëndësisë së sundimit të ligjit dhe rrezikut të gënjeshtrave dhe keq informatave.

Sadoqoftë shqetësuese ishin këto ngjarje, kjo nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet tona demokratike janë testuar. Më duket e udhës t’i kthehem historisë për udhëzime.  Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm”, u shpreh Kosnett.

Ambasadori amerikan përmendi edhe kontributin që kishte dhënë Anton Çetta për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.

Kosnett shtoi se nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, Anton Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes.

Ambasadori në fund porositi prokurorët që të mos i frikësohen llogaridhënies.

“Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri”, u shpreh Kosnett.

***

Konferenca vjetore e Prokurorëve ka nisur me fjalimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili theksoi se 12 muajt e kaluar ishin përplot me sfida dhe vështirësi porse kanë treguar se janë të gatshëm dhe të aftë të veprojnë në mënyrë adekuate, duke iu përgjigjur me sukses nevojave të kohës, ku edhe përkundër rrethanave të shkaktuara nga pandemia Covid-19, Lumezi shtoi se puna e Prokurorit të Shtetit nuk u ndalua për asnjë moment, duke i kryer kështu me përgjegjshmëri detyrat institucionale të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

Lumezi theksoi faktin se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime - lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale. Respektivisht, janë zgjidhur edhe 5 mijë e 935 kallëzime – lëndë penale të bartura nga vitet paraprake.

Prokurori i Shtetit tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është agjendë shtetërore e Republikës së Kosovës dhe një element shumë i rëndësishëm në rrugën integruese të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane.

“Në këtë drejtim kemi shënjestruar edhe tetë raste të reja që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe krimet e tjera të rënda, duke e dërguar në 69 numrin e rasteve të shenjëstruara. Gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, me ç’rast kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë”, tha Lumezi.

Lumezi tha se rëndësi të madhe i kanë kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë raste me 34 persona, nga gjithsejtë 8 raste sa i ka pranuar në punë.

“Falë një hetimi të gjatë të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit dhe një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si me Policinë dhe Inspektoratin Policor, në shtator të vitit 2020 është zhvilluar një operacion i madh në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ku me urdhër të prokurorisë u shkatërrua një vatër e madhe e krimit të organizuar, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të gjërave me vlerë”, shtoi Lumezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat