Tahiri: Buxheti i Vushtrrisë s’do të shkojë më për asfaltim të rrugëve, por për zhvillim dhe punësim

Aktuale

Tahiri: Buxheti i Vushtrrisë s’do të shkojë më për asfaltim të rrugëve, por për zhvillim dhe punësim

Më: 22 janar 2021 Në ora: 14:28
Xhafer Tahiri

​Tahiri: Buxheti i Vushtrrisë s’do të shkojë më për asfaltim të rrugëve, por për zhvillim dhe punësim

Mjetet e parapara për asfaltim të rrugëve, Komuna e Vushtrrisë planifikon t’i investojë për zhvillim dhe punësim. Kjo parashihet me planin e rimëkëmbjes ekonomike, të cilin e ka prezantuar sot kryetari i Vushtrrisë, dhe pret ta paraqesë për diskutim dhe miratim në Kuvendin Komunal.

Kryetari Xhafer Tahiri tha se buxheti i vitit 2021 duhet të rishikohet në mënyrë që t’i përgjigjet planit për rimëkëmbje ekonomike. Ai përmendi tri masa kryesore për rimëkëmbjen e komunës pas krizës nga pandemia COVID-19, duke theksuar këtu një memorandum katërvjeçar për ndalim të shpenzimeve në asfaltim të rrugëve.

Tahiri: Buxhetin e komunës do ta investojmë për zhvillim, jo për asfaltim

“Plani i rimëkëmbjes ekonomike të Vushtrrisë ka tri masa themelore, masa e parë është moratorium katërvjeçar për ndalim të shpenzimeve, praktikisht transferimit nga asfaltimi në projekte zhvillimore për rimëkëmbje ekonomike. Periudha e moratoriumit është katërvjeçare. Kjo nuk nënkupton që ne nuk do të shtrojmë asfalt, por do të përdorim vetëm grantet qeveritare për të shtruar asfalt, ndërkohë që mjetet e komunës do të transferohen nga kategoria e investimeve kapitale në kategorinë e subvencioneve dhe nga kategoria e subvencioneve pastaj do të përkrahen projektet zhvillimore dhe projektet e punësimit”, tha ai.

Vlera e parë në moratorium për katër vjet është parashikuar të jetë mbi 4 milionë euro, ndërsa masa e dytë parasheh lehtësim të qasjes në kredi, për ndërmarrjet private në mënyrë që të financojnë projekte inventive dhe vazhdim të operimit të tyre.

Tahiri: Çdo vit ekonomisë në Vushtrri t’i jepet një ndihmë financiare prej 6 milionë euro

“Synohet që çdo vit Komuna e Vushtrrisë, nga buxheti i asfaltit që thamë është diku 800 mijë euro, gati 1 milion euro në vit, gjysma e këtij fondi 500 mijë euro do të përdoret për të blerë një kredi ose një projekt për mbulimin e normës së interesit, dhe synohet që çdo vit në ekonominë lokale të Vushtrrisë të jepet një infuzion financiar prej 6 milionë euro, ndërkohë që komuna do të mbulojë normën e interesit me një periudhë prej 1 viti dhe në këtë mënyrë çdo biznes në Vushtrri do të ketë qasje në financa, pa pengesa”, tha ai.

Tahiri tha se masa e tretë përfshin lehtësimin e barrës tatimore për biznese dhe për të përmirësuar likuiditetin e tyre afatshkurtër, dhe vlera e saj është rreth 500 mijë euro.

Ndërsa masa e katërt nga 14 të tilla sa janë paraparë, përfshin rritjen e punësimit dhe është paraparë shuma prej 4.8 milionë euro.

Tahiri tha se përmes kësaj mase synohet që të rinjtë për çdo vit të punësohen në punë praktike me pagesë.

Kryetari i Vushtrrisë ka bërë të ditur po ashtu se në kuadër të projekteve zhvillimore kanë paraparë ngrohtoren e qytetit, impiantin e ujërave të zeza, ndërtimin e parkingjeve publike, dhe identifikimin e të papunëve sipas strukturës dhe nevojave për punësim.

Tahiri tha se pandemia ka goditur rëndë këtë komunë duke përmendur 35 për qind të bizneseve, të cilat në vitin 2020 kanë pushuar së operuari si pasojë e kësaj. Gjithashtu, tha se 60 për qind e familjeve kanë deklaruar se në vitin e kaluar kanë pasur më pak të hyra.

Plani i rimëkëmbjes në Komunën e Vushtrrisë, me 14 masa, pritet të dalë për diskutim dhe votim në Kuvendin Komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat