Listat e kandidatëve, KQZ nuk certifikon VV-në, AAK-në dhe Nismën

Aktuale

Listat e kandidatëve, KQZ nuk certifikon VV-në, AAK-në dhe Nismën

Nga: Bota sot Më: 22 janar 2021 Në ora: 15:45

(E plotësuar 21:15) - Lista e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Kjo për shkak se nuk kanë larguar kandidatët e listuar nga KGJK-ja

Ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor as si subjekt politik.

Në anën tjetër KQZ certifikoi listat e PDK-së dhe LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe të Listës Serbe.

Kjo pasi në listat e tyre nuk ka asnjë kandidatë që ka probleme me ligjin.

Eshref Vishi përfaqësues i Nismës Socialdemokrate, vendimin e KQZ-së për mos certifikim të subjektit politik që ai përfaqëson dhe listës së kandidatëve për deputetë e ka quajtur politik.

Vishi: Vendimi për certifikim të subjekteve politike dhe listave të kandidatëve ishte politik dhe tendencioz

“Vendimi për certifikim të subjekteve politike dhe listave të kandidatëve ishte politik dhe tendencioz ndaj subjektit Nisma. Nuk është përgjegjësi e anëtarëve të KQZ-së të shqetësohen për përmbajtjen e listës së subjektit politik. Është e drejtë e tyre të votojnë në bazë të rekomandimeve të Zyrës për regjistrimin e partive politike, por u pa që as rekomandimet e zyrës nuk u përfillen, por as fjalimet tona lidhur me respektimin e procedurave ligjore. Ne do të ankohemi në bazë të ligjit”, tha ai.

Me këtë vendim nuk u pajtua as Lëvizja Vetëvendosje.

Sami Kurteshi tha se krejt qëllimi ka qenë që të mos certifikohet lista e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurteshi: Lista e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj

“Lista e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj. Vetëm po iu tregoj një rast. Kemi një vendim gjyqësor për njërin nga kandidatët. Ky ka kryer vepër penale rrezik të trafikut publik dhe ky është dënimi për cka dikush do me largua nga lista”, tha ai.

Ibrahim Selmanaj nga AAK-ja tha se do të vazhdojnë të ndjekim rrugët ligjore.

“AAK nuk ka votë kundër njerëzve të cilët do të kandidohen dhe procesi duhet të vazhdojë mbi bazën e asaj qysh edhe i kemi ndërtuar dhe i kemi ligjet e aplikuara në Kosovë. Unë uroj secilin subjekt politik të jetë i suksesshëm në garë dhe iu uroj të gjithëve dhe atyre të cilët nuk kaluan sot do të filtrohen dhe do të jenë në garë”, tha ai.

***

Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma nuk kanë arritur të marrin certifikimin e listave zgjedhore nga KQZ-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe janë certifikuar.

VV-ja nuk ka zëvendësuar kandidatët në listën e saj të cilët kanë problem me ligjin, që kanë qenë pesë prej tyre. Vetëm pesë anëtarë të KQZ-së kanë votuar për, kurse tetë kanë abstenuar.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është certifikuar me 11 vota për si subjekt politik, ndërsa me 6 vota nuk është certifikuar lista e saj.

Lista e LDK-së është certifikuar me 10 vota për. Kjo parti ka ndryshuar një kandidat që i kërkohej për shkak të ligjit.

Po ashtu, lista e PDK-së me 10 vota për është certifikuar nga anëtarët e KQZ-së. Partia kishte zëvendësuar një kandidat ditët e fundit.

KQZ-ja ka certifikuar edhe Listën Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.

​KQZ certifikon listat e PDK-së dhe LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar për certifikimin e listave të partive politike me kandidatë për deputetë. Listat e Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë certifikuar, përcjell Bota sot.

Ndërsa, listat e LDK-së dhe PDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Kjo pasi në listat e tyre nuk ka asnjë kandidatë që ka probleme me ligjin.

***

Lista për deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është certifikuar nga KQZ-ja.

Kjo pasi që ‘pro’ certifikimt të listës së VV’së kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KQZ’së.

“5 vota për, s’cerfitikohet lista”, ka thënë Valdete Daka.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zëvëndësuar emrat që kanë probleme me ligjin e që janë rekomanduar të zëvëndësohen.

KQZ-ja nuk certifikon as Vetëvendosjen e AAK-në

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zëvendësuar kandidatët në listën e saj të cilët kanë problem me ligjin, që kanë qenë pesë prej tyre.

Në KQZ nuk është votuar për certifikimin e kësaj liste.

Vetëm pesë anëtarë kanë votuar për, kurse tetë kanë abstenuar.

KQZ-ja nuk certifikon Nismën, në radhë votimi për VV-në

Nisma Socialdemokrate nuk i ka zëvendësuar 12 prej kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore.

Nisma ka kërkuar që të certifikohet subjekti me të gjithë kandidatët e saj në listë, por anëtarët e tjerë të KQZ-së kanë dalë kundër.

Nisma ka pasur 110 kandidatë në listën e saj.

 Daka e hedh në votim, gjashtë vota ‘pro’ që listat të kalojnë veç e veç, votimin e kundërshton VV

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka hedhur në votim nëse duhet të kalojnë listat në pako apo veç e veç.

Për kalimin e listave në pako kanë qenë vetëm pesë vota “për” dhe gjashtë abstenime, derisa për kalimin e secilës listë veç e veç kanë qenë gjashtë vota “për”.

Një votim të tillë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka thënë që rekomandimi i zyrës për certifikim të hudhet ashtu siç është.

Përfaqësuesi i PDK’së ka kërkuar vazhdimin e votimit të listave veç e veç.

Daka gjithashtu ka thënë se si mund të ankohen pastaj partitë politike nëse lista kalon në pako.

Zyra për certifikimin e partive dhe listave i ka rekomanduar KQZ’së miratimin e listave të gjitha partive në pako.

Buleshkaj i përgjigjet përfaqësuesit të PDK-së: Po e luani rolin e prokurorit dhe gjykatësit

Yll Buleshkaj nga Zyra për Certifikimin dhe Regjistrimin e Partive Politike, i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, pasi ky i fundit e akuzoi për ndryshim të qëndrimit rreth certifikimit të listave të deputetëve.

Buleshkaj në fjalimin tij tha se nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e Buleshkajt, dhe se ai po e luan rolin e prokurorit dhe gjykatësit.

“Nuk çon peshë deklarimi i tij, edhe roli që e bënë të gjyqtarit e të prokurorit Me pas çu peshë ndoshta e kishim marrë një vendim që iu kish pëlqye të gjithëve por ish kanë kundër ligjit. Araniti nuk po hyjmë me shiku se çka keni bërë në anën personale. Këtu kam ardhë si drejtor, kjo është një punë që e kemi kryer si zyre, dhe e kemi jep një rekomandim. Është çështje e juaja se si vendosni. Zyra nuk i quan listat të pastra ose jo, sepse nuk është në kompetencën tonë”, tha ai.

Ndryshe, Elshani ka thënë se Buleshkaj mund të jetë shantazhuar pasi që ka ndryshuar qëndrim rreth certifikimit të listave me kandidatët për deputetë.

“Ke ndryshuar interpretimin brenda 24-orëve për certifikimin e listave. Veprimi yt është sulm kundër ligjeve të Kosovës, ky veprim i yti dhe atyre që të kanë dërguar po iu bënë shërbim armiqve të Kosovës. Zotëri Buleshkaj a jeni i vetëdijshëm për rekomandimin që keni bërë”, ka pohuar ai.

Ndryshe, Yll Buleshkaj nga Zyra për Certifikimin dhe Regjistrimin e Partive Politike, i ka rekomanduar KQZ-së të certifikojë listat me kandidatët për deputetë, ku disa prej tyre kanë probleme ligjore.

***

PDK i drejtohet shefit të Zyrës të Certifikimit: A jeni kërcënuar apo të është ofruar ryshfet se keni ndërruar qëndrim?

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se Yll Buleshkaj nga Zyra për Certifikimin dhe Regjistrimin e Partive Politike ka ndryshuar qëndrim rreth certifikimit të kandidatëve për deputetë.

Elshani ka thënë se Buleshkaj nuk do ta sillte një rekomandim që të certifikohen kandidatët që kanë probleme me ligjin, duke thënë se ai mund të jetë shantazhuar.

“Ke ndryshuar interpretimin brenda 24-orëve për certifikimin e listave. Veprimi yt është sulm kundër ligjeve të Kosovës, ky veprim i yti dhe atyre që të kanë dërguar po iu bënë shërbim armiqve të Kosovës. Zotëri Buleshkaj a jeni i vetëdijshëm për rekomandimin që keni bërë”, ka pohuar ai.

Ndryshe, Yll Buleshkaj nga Zyra për Certifikimin dhe Regjistrimin e Partive Politike, i ka rekomanduar KQZ-së të certifikojë listat me kandidatët për deputetë, ku disa prej tyre kanë probleme ligjore.

***

 Vazhdojnë tensionet në KQZ, Daka kërkon votim për secilën parti veç e veç, kundërshton VV-ja

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se rekomandimi i zyrës për certifikim të partive politike dhe kandidatëve do të vendoset në votim, megjithatë ajo ka thënë se do të votojnë për secilën parti veç e veç.

Daka ka thënë se KQZ asnjëherë nuk kanë votuar në paketë.

“Do të votojmë për secilën listë veç e veç. Rekomandimin e kemi dhe do të votojmë për secilën parti”, ka thënë Daka.

Ajo ka lexuar edhe Nenin 26 paragrafin e parë, ku thuhet se duhet të shqyrtohet secila listë e partive veç e veç.

Një gjë e tillë po kundërshtohet nga dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

Kurteshi madje ka drejtuar akuza për përfaqësuesin e LDK’së për presion tek zyra për certifikim.

***

Partitë zëvendësojnë kandidatët për deputetë, mbetën 26 për t’u certifikuar

Në mbledhjen e KQZ-së për certifikimin e kandidatëve për deputetë, u tha se partitë kanë zëvendësuar 21 kandidatë nga listat e tyre, si rrjedhojë kanë mbetur vetëm 26 të certifikohen.

“Ka disa parti që i kane zëvendesuar vullnetarisht deputetët, AAK-ja, LDK, Lista Serbe e disa të tjera të minoriteteve”, tha Ylli Buleshkaj.

“Nga 47 në listë kanë mbet vetëm 26”, shtoi ai.

Daka: KGJK-ja na ka kthyer përgjigje se të dhënat për 47 kandidatët janë të sakta

Kryetarja e KQZ’së ka thënë se sot pas mbledhjes së Komisionit, i ka kërkuar përgjigje shtesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të rikonfirmuar verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë, që janë të dënuar sipas formës së prerë në tri vitet e fundit.

Daka thotë se KGJK’ja i ka kthyer përgjigjen se të dhënat për kandidatët për deputetë janë të sakta.

“Ju informoj se verifikimi i kandidatëve është bërë sipas data bazës qendrore e evidencës penale pranë sekretariatit të KQZ’së. Në këtë databazë regjistrohen të gjitha sanksionet penale të shqiptuara me aktgjykim të prerë”, thuhet në letrën të cilën e lexoi Daka në konferencë.

“Ne kemi konfirmim nga gjykatat e vendit, dhe kemi marrë konfirmim për saktësinë e dhënave dhe faktin se të cilat dënimet e plotfuqishme janë të proceduara në sistem”, thuhet tutje.

***

Ka filluar sërish mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet të vendoset për certifikimin e kandidatëve për deputetë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kishte ndërprerë mbledhjen pasi kishte kërkuar nga Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike, dokumente shtesë për kandidatët të cilët kanë probleme ligjore.

Ndryshe, Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike, i kishte rekomanduar KQZ-së të certifikojë listën me kandidatë për deputetë, duke theksua se disa mund të kenë probleme me ligjin por që nuk kanë mundur të verifikojnë. 

***

Në 17:30 votohet për certifikimin ose jo të kandidatëve që kanë probleme me ligjin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë vendim sot në orën 17:30 për procesin e certifikimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, e cila tha se deri atëherë do të jenë gati dokumentet shtesë që kanë kërkuar.

Ndryshe, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar diskutimi rreth procesit të certifikimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Zyra për regjistrimin e partive politike (ZRPPC) i kanë dërguar një rekomandim KQZ’së për të certifikuar listat e partive politike ashtu siç janë.

Yll Buleshkaj ka thënë se qasja e zyrës që drejton është gjithpërfshirja para largimit.

Image

Përfaqësuesi i kësaj zyre në mbledhje ka thënë se nuk kanë pasur kapacitetet që të verifikojnë të gjitha informacionet e marra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Zyra nuk ka arrit te zbatoje ne plotën për piken q. Për atë arsye zyra iu rekomandon qe ta certifikoni listën ashtu siç është Nuk kemi kapacitete qe te verifikojmë informatat qe  na ka dërguar KGJK-ja. Qasja është gjithperfshirja para largimit”, ka thënë Yll Buleshkaj nga kjo zyrë.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se një rekomandim i tillë nuk thotë asgjë rreth asaj se kush i përmbush kërkesat dhe kush jo.

Ajo thotë se është detyrë e zyrës që të respektojë të gjitha dispozitat e Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet.

Si pasojë e kësaj Daka ka thënë se zyra për certifikimin e partive politike duhet të sjellë të gjithë dokumentacionet dhe komunikimin e kësaj zyre me të gjitha institucionet tjera.

“Nga ky rekomandim nuk e kemi te qarte se kush i plotëson kushtet nga kandidatet dhe kush jo. Unë para vetes e kam një rekomandim se a I përmbushin këta kandidate kriteret. Se kemi te qarte se kush I përmbush kërkesa dhe kush jo. Kjo është detyra e pare e zyrës, qe I pranon dokumentet. I verifikon dhe I klasifikon. Dhe pastaj e bën rekomandimin, gjithmonë duke u respektuar dispozitat e nenit 29.Kisha dashtë qe neve ten a sillen dokumentet. Ne kemi një rekomandim qe nuk thotë asgjë”, ka thënë Daka.

***

Është ndërprerë mbledhja e KQZ-së në pikën ku pritej të certifikoheshin kandidatët për deputetë.

Kjo pas rekomandimit të zyrës për Certifikimin e Kandidatëve dhe Partive Politike.

Mbledhja është shtyrë për dy orë, derisa të kompletohen të gjitha dokumentet dhe rekomandimet e nevojshme dhe të njëjtat më pas t’i dërgohen anëtarëve të KQZ-së, të cilët edhe e kanë kërkuar këtë.

Pas dy ore, pritet votimi për certifikimin ose jo të kandidatëve për deputetë.

Kundër këtij propozimi kanë dalë anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosje.

Ndryshe, Zyra për Certifikim gjatë kësaj mbledhjeje të KQZ-së rekomandoi që listat me kandidatët për deputetë të certifikohen ashtu siç janë, pra edhe ata kandidatë që kanë probleme me ligjin.

Kjo për arsyen sepse sipas tyre nuk është arritur të krijohet një opinion i qartë në lidhje me nenin 29 pika Q që ka të bëj me kriteret për certifikimin e kandidatëve.

KGJK ndërkaq më herët gjatë javës ka bërë të ditur se janë gjithësej 47 kandidatë që kanë probleme me ligjin, në mesin e të cilëve edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Përfaqësuesi i LDK-së në KQZ lëshon mbledhjen

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhje ku pritet të merret vendimi për 47 kandidatët që kanë probleme me ligjin.

Derisa kryesuesja e komisionit, Valdete Daka kërkon 1-2 orë pushim për shqyrtimin e dokumentacionit rreth rekomandimit që ia bëri Zyra për regjistrimin e partive politike (ZRPPC), përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti ka lëshuar sallën.

Zyra për regjistrimin e partive politike (ZRPPC) i kanë dërguar një rekomandim KQZ’së për të certifikuar listat e partive politike ashtu siç janë. Yll Buleshkaj ka thënë se qasja e zyrës që drejton është gjithpërfshirja para largimit.

Anëtarët e tjerë kërkojnë shqyrtimin e dokumentacionit dhe pastaj të merret vendimi, ndërsa përfaqësuesit e VV-së kërkojnë që vendimi të merret tani.

***

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka propozuar që mbledhja e KQZ’së të shtyhet për dy orë, me qëllim të marrjes së dokumentacioneve shtesë nga Zyra për certifikim të partive politike, zyrë kjo që ka bërë një rekomandim me qasjen certifikim përpara përjashtimit nga lista.

Daka ka thënë se ka anëtarë të KQZ-së që s’janë të bindur që një rekomandim i tillë është i bazuar në ligj.

“Propozoj që mbledhja të shtyhet për dy orë, deri në përgatitjen e të gjithë dokumentacionit, për t’ia shpërndarë të gjithë partive politike, dhe pastaj mblidhemi”, ka thënë kryetarja e KQZ-së.

Një gjë e tillë po kundërshtohet nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama dhe Sami Kurteshi, të cilët po kërkojnë hedhjen në votim të rekomandimit.

‘Sabër bre pak..s’mundesh me ma ndalu’, përplasje mes përfaqësuesit të VV-së dhe Dakës

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku pritet të merret vendimi për 47 kandidatët që kanë probleme me ligji është duke zhvilluar debat.

Alim Rama përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosjes ka pasur një përplasje me kryesuesen e komisionit, Valdete Daka, e cila gjatë kohës sa ishte duke folur Rama, u mundua t’ia ndalojë fjalën.

“Më fal kryesuese, sabër bre pak, sabër qetësi merre me të lirë.  Cdo vonesë ndikon në proces zgjedhor”, thotë Rama.

Ndërsa, ishte duke vazhduar të flasë se sa shumë mund të ndikojë në procesin e zgjedhjeve nëse sot nuk votohen kandidatët për deputetë.

Më fal a bon ta kryjë se unë kërkujt nuk i ndërhyna në fjalë..Kryesuse s’mundesh me ma ndalu, unë du me shpreh mendimin tem..Ju mundeni me dalë por mbledhja s’u kry”, ia kthen Rama.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ditë më parë ka bërë të ditur se 47 kandidatë për deputetë janë identifikuar se janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat