​LDK: Të zbatohen vendimet e Kushtetueses për pastërtinë e listave zgjedhore

Aktuale

​LDK: Të zbatohen vendimet e Kushtetueses për pastërtinë e listave zgjedhore

Më: 22 janar 2021 Në ora: 18:58
Ardita Dushi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dënuar sulmet ndaj kreut të KQZ-së duke kërkuar nga të gjitha partitë politike në vend që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të drejtësisë për pastërtinë e listave zgjedhore nga ata që e kanë shkelur ligjin.

Në një konferencë për media sonte, Ardita Dushi, deputete e LDK-së, ka shprehur qëndrimin e kësaj partie lidhur me zhvillimit e fundit me rastin e certifikimit ose jo edhe të kandidatëve të dënuar në tri vjetët e fundit për vepra të ndryshme penale, e për të cilët Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i ka propozuar të certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, përfshirë edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Dushi: Të zbatohen vendimet e Kushtetueses për pastërtinë e listave zgjedhore

“Arsyetimi për certifikim në KQZ se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme dhe nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është i paqëndrueshëm, sepse vendimet e organeve të drejtësisë duhet të zbatohen në tërësi dhe pa asnjë përjashtim. LDK kërkon nga subjektet politike në garë për zgjedhjet e 14 shkurtit që ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të drejtësisë për pastërtinë e listave zgjedhore nga ata që e kanë shkelur ligjin.

Ndërkohë që KQZ ende nuk ka marrë vendim të prerë për përfshirjen për jo të 47 kandidatëve që kanë vepra të ndryshme penale në listat zgjedhore të subjekteve politike, LDK ka dënuar sulmet e fundit ndaj kreut të këtij institucioni.

Dushi: LDK e dënon ashpër fushatën linçuese ndaj Valdete Dakës

“Për LDK-në asnjë parti politike dhe asnjë kandidat nuk është mbi ligjin dhe kjo duhet të vlejë për të gjitha partitë politike. LDK e dënon ashpër fushatën linçuese ndaj Valdete Daka. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të hetojnë dhe dënojnë ata që po sulmojnë kreun e KQZ-së. LDK gjithashtu kërkon nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë ambasadat e vendeve mike që të dënojnë përpjekjet e partive politike për kapjen dhe shantazhimin e institucioneve të pavarura”, ka porositur Dushi.

Dushi në këtë konferencë për media nuk ka pranuar të komentojë pyetjet e mediave të pranishme, me arsyetimin se ‘adresimet do të jenë të përditshme’.

Për shkak të paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje, pika që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vitet e fundit, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim në mbledhjen e KQZ-së ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankimim për më vonë.

Ndryshe, më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur, se 47 kandidatë në listat e partive që janë paraqitur në KQZ, janë shpallur fajtorë për vepër penale me vendim të shkallës së prerë të gjykatave.

Këta si të tillë mund të mos kenë të drejtë të garojnë në zgjedhje, ndonëse KQZ-ja akoma nuk e ka thënë fjalën e fundit. Nga 28 subjekte politike, që kanë aplikuar për certifikim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, 15 prej tyre kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme, kishte deklaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ky konstatim me përgjigje sipas tij, ka ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Këshilli Gyqësor i Kosovës pas verfikimit të emrave. "Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vitet e fundit”, ka thënë Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat