​Ismaili: Në tre muajt e parë të qeverisjes PDK do të fillojnë shërbimet e para të sigurimeve shëndetësore

Aktuale

​Ismaili: Në tre muajt e parë të qeverisjes PDK do të fillojnë shërbimet e para të sigurimeve shëndetësore

Më: 22 janar 2021 Në ora: 20:56
Uran Ismaili

Sigurime shëndetësore, barna falas për persona me sëmundje kronike, vaksinimin antiCOVID-19 të 70 për qind të popullatës, mjek për çdo familje, e investime në sistemin shëndetësor ka premtuar Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas Uran Ismailit nga kjo parti, në emër të pandemisë, dy qeveritë e kaluara kanë blerë shumë më shtrenjtë pajisje e barna. Ndërkohë, shtoi se kjo tregon qartë përkeqësimin në shëndetësi vitin e fundit, e që e bën të domosdoshme rimëkëmbjen në shëndetësi.

Rimëkëmbje shëndetësore e prezantuar nga Partia Demokratike e Kosovës ka katër shtylla kryesore, ku shtylla e parë është "Pandemia nën-kontroll".

Ismaili: Qeverisja e PDK-së do të vendosë kontakte të menjëhershme me prodhuesit kryesorë në botë 

"Do të fillojmë me vaksinimin për të gjithë. Zbulimi i një vaksine efektive ka qenë një ndër lajmet më të mira që kemi dëgjuar kohëve të fundit. Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka ende asnjë vaksinë, nuk ka as datë të fillimit dhe as se si do të bëhet vaksinimi dhe kur do të përfundojë pandemia. PDK konsideron se vaksinimi është prioriteti më i lartë për shëndetin publik. Qeverisja e PDK-së do të vendosë kontakte të menjëhershme me prodhuesit kryesorë në botë dhe me një transparencë të plotë do të nënshkruajë kontratën për blerjen e vaksinës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Do të funksionalizojmë 30 qendra të vaksinimit në të gjithë Kosovën. Qytetarët do të kenë qasje të lehtë. Do të jenë publike të gjitha kriteret se kush do të vaksinohet i pari, siç janë personeli shëndetësor, personat në moshë të shtyrë dhe ata me sëmundje kronike", ka theksuar Ismaili.

Ai ka siguruar se PDK do të ndjekë trendin e përcaktuar nga Bashkimi Evropian ku deri në fund të verës do të vaksinohen 70 për qind e qytetarëve. Ismaili tha se përveç në Prishtinë, qytetarët do të kenë mundësi të vaksinohen edhe në gjashtë qendra të tjera regjionale.

Përveç tjerash, PDK ka paraparë edhe një pako mbështetëse për personat e prekur me COVID-19, meqë qytetarët në mungesë të ndihmës financiare nuk kanë arritur të trajtohen si duhet.

Ismaili: Plani ynë parasheh që çdo i infektuar me COVID të merr ndihmë 250 euro

"Plani ynë parasheh që çdo i infektuar me COVID i regjistruar në IKShP të merr një ndihmë financiare prej 250 euro për t'i bërë ekzaminimet e duhura dhe për t'i marrë ilaçet. Një pako e tillë mbështetet se përpos aspektin shëndetësor, do të ndihmojë edhe gjendjen ekonomike të tyre. Natyrisht nuk kemi harruar as aspektin e shëndetit mendor. Duke ditur se ankthi, depresioni, janë në pikat më të larta për shumë dekada si pasojë e goditjes me COVID, PDK do të hartojë plan të veçantë për trajtimin e tyre. Sidomos të punëtorëve shëndetësorë të cilët tani afër një vit janë në vijën e parë antiCOVID", ka thënë Ismaili.

Shtylla e dytë e planit të Rimëkëmbjes për Shëndetësinë të PDK-së është "Mjek për çdo familje", e cila parasheh që në çdo 2 mijë banorë në Kosovë, të jetë mjeku familjar, i cili do të përcjellë gjendjen e tyre shëndetësore.

Uran Ismaili ndërkaq ka folur edhe për sigurimet shëndetësore dhe barnat falas.

Ismaili: Në tre muajt e parë të qeverisjes të fillojnë shërbimet e para të sigurimeve shëndetësore

"Në tre muajt e parë të qeverisjes të fillojnë shërbimet e para të sigurimeve shëndetësore. Për një kohë të gjatë qytetarët tanë kanë shpenzuar para nga gjepat e tyre për shërbime mjekësore dhe barna. Familjet janë të rënduara që nga shpenzimet e larta çdo muaj. Edhe Banka Botërore i ka dhënë theks të veçantë faktit se një pjesë e madhe e tyre shkon në shpenzimin e barnave. Prandaj në planin tonë një ndër shërbimet e para të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do të jetë ofrimi i barnave falas për personat me sëmundje kronike. Do të jetë një listë prej 580 formave të barnave që do të jepen gjithmonë falas", ka theksuar ai.

Sipas Uran Ismailit, dy qeveritë paraprake kanë punuar pa vizion dhe pa dinamikë, duke shkaktuar kështu pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale. Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës ka hartuar një program, i cili i përgjigjet më së miri pandemisë.

Ismaili: Sigurimi shëndetësor afron mjekun me qytetarin

"Fillon sigurimi shëndetësor si mburojë financiare për qytetarët, afron mjekun dhe qytetarin si dhe modernizon sistemin shëndetësor. Një program që rikthen punët e mira që ne i nisëm në vitin 2017. Por, të cilat u ndalën nga qeveria Kurti dhe Hoti. Ata i ndalën shërbimet falas në shërbimet publike, që ishin jetike për qytetarët. I ndalën stentimet në zemër në QKUK, përderisa ato vazhduan në spitalet private. Detyruan qytetarin që për një shërbim të cilin e merrte falas, të paguajë mijëra euro, në një kohë krize të thellë ekonomike", ka deklaruar Ismaili.

Në planin e Rimëkëmbjes për Shëndetësinë është sistemi shëndetësor modern, i cili sipas Ismailit do të ketë vlerën 150 milionë euro për katër vjetët e ardhshme dhe do të krijojë efekte të dukshme dhe reale. Veç tjerash, ka premtuar se do të blihen pajisje në vlerë 50 milionë euro për QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme. Ndërkohë, që është përmendur edhe ndërtimi i spitalit të Prishtinës me kapacitet prej më shumë se 200 shtretër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat