Si komunikonte NATO me UÇK-në gjatë luftës?

Aktuale

Si komunikonte NATO me UÇK-në gjatë luftës?

Më: 23 janar 2021 Në ora: 09:31
NATO, UÇK

Rrëfimi i kolonelit nga Shqipëria, Spiro Butka, zëvendësshef shtabi i UÇK dhe më pas i TMK. Mikroperacioni tepër sekret i amerikanëve “Dora e tërthortë” që i parapriu betejës së Koshares dhe Luftës së Pashtrikut.

Përbërja luftarake e të dy palëve

Në zbërthim të idesë së operacionit dhe qëllimit të tij, në ballafaqim me realitetin luftarak të ri, pas fillimit të bombardimeve të njëpasnjëshme nga ana e NATO-s në interes të UÇK-së, nisur nga ndërtimi i rreshtimeve luftarake të të dy palëve, del se përbërja luftarake e tyre në këtë përballje, për forcat tona konsistoi në pjesëmarrjen e FRONTIT OPERATIV me Drejtimin I Operativ; Drejtimin II Operativ; Drejtimin III Operativ; Zona Operative e Drenicës; Zona Operative e Pashtrikut; Zona Operative e Dukagjinit; Zona Operative e Shalës; Zona Operative e Llapit; Zona Operative e Nerodimës dhe Zona Operative e Karadakut, të cilët gjatë veprimeve luftarake, u mbështetën fuqimisht nga forcat ajrore të NATO-s, në të gjithë thellësinë e territorit të Kosovës. Për forcat serbe përbërja e tyre konsistoi në pjesëmarrjen e K52K Prishtinë, me Br243T, Br354M, Br549M, Br52AO, R52AK dhe Br52KL, duke u mbështetur fuqimisht nga Korpusi Special i Beogradit.

Dëndësia dhe raporti i forcave

Përballja në këtë veprimtari luftarake e të dy palëve, në përputhje me situatën e krijuar, sidomos pas ndërmarrjeve të inkursioneve të njëpasnjëshme të NATO-s nga ajri, rezulton një superioritet i shmangshëm i forcave tokësore serbosllave nga ana numerike dhe pajisja me armatim e teknikë të pjesshme të kohës. Megjithatë, mbështetur në veprimtarinë luftarake të brendshme në Kosovë të mbi njëzet brigadave, të cilat karakterizoheshin nga sulmi i rrufeshëm luftarak në lëvizje e veprim dhe përqendrimi i forcave të frontit operativ të përbërë nga tri Drejtime Operative, e mbështetur fuqimisht nga aviacioni bombardues i NATO-s, ky raport zbutej dhe arrinte që UÇK-ja të krijonte epërsi vetëm në drejtimin e goditjes kryesore për sasinë e Brigadave të Lehta Malore dhe atyre të Drejtimeve Taktike. Gjithsesi, edhe pse në sfondin e pamjes ushtarake ky raport forcash nuk paraqiste dukuritë e realitetit të kërkesave normale, zhvillimet e mëpasshme treguan dhe vërtetuan, se iniciativa e ndërmarrë, jo vetëm që nuk ishte e nxituar, por tepër e guximshme, e arsyeshme dhe e justifikueshme. Kjo për shumë arsye bindëse, por më tepër për atë që ka për të mbetur në jetë të jetëve kryesore, është se lufta zhvillohej në territorin e një populli dhe nga vetë ky popull. Kushdo që lufton duhet të mendohet mirë në ndërtimet e raporteve, kur lufta zhvillohet kundër një populli, e aq më tepër kundër një kombi. Kjo është vërtetuar nga eksperienca e shumë luftërave, por më së tepërmi rezultatet e kësaj dukurie u vërtetuan në shumë vende e popuj, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Detyrat luftarake

Si në çdo veprimtari tjetër luftarake, ashtu edhe në operacionin e mirënjohur “Shigjeta”, në zbatim të idesë së këtij operacioni, u përpilua Urdhri Luftarak, me të gjitha kërkesat e anekset e tij. Ndoshta jo ashtu në mënyrë perfekte e shkollareske, si praktikohet në akademitë ushtarake gjatë proceseve mësimore e stërvitore, por gjithsesi ashtu në nxitim e sipër, si në kushtet e luftës, për kohën që kishim në dispozicion e që e lejuan situatat imponuese. Ky urdhër luftarak përmban të gjitha detyrat konkrete për njësitë e repartet përkatëse, që morën pjesë në këtë operacion dhe në ballafaqim të fakteve konkrete, do të përmend se në atë dokument u pasqyrua realiteti i armikut, pra i forcave serbe, detyra e frontit operativ (operacionit “Shigjeta”), ideja e vendimit, detyrat luftarake të D.1.O; D.2.O; D.3.O; detyrat e artilerisë, detyrat e aviacionit mbështetës të NATO-s, sinjalet e komunikimit, gatishmëria për mësymje, vendndodhja e VK e Frontit Operativ dhe drejtimi i lëvizjes së saj. Urdhri u shoqërua me një plan veprimesh luftarake, ku u zbërthyen hollësisht, zbatimi i detyrave, që u kërkuan nga ky urdhër luftarak.

Plani i veprimit

Në planin e veprimeve të këtij operacioni, në mënyrë paraprake u zbërthyen proceset më kryesore të fillimit të operacionit, deri në momentin e fillimit të sulmit, sepse për më pas detyrat për çdo drejtim operativ apo taktik, janë të parapara e të shkoqitura në urdhrin luftarak, të shpjeguar më sipër, e që përmban numrin e mirëfilltë 01. Ky plan veprimesh përmban zhvillimet e hollësishme të operacionit “

Shigjeta”, duke filluar që nga lëvizja e grupeve të zbulimit për sigurimin e kalimit, lëvizjen dhe marshimin e eskalioneve të para nga rajoni i përqendrimit për në bazën e nisjes; marshimin e eskalioneve të dyta për në rajonet e përqendrimit; lëvizjen e rezervave për në vendvendosjet e tyre dhe disa masa informimi të detyrueshme, për t u kryer nga zbatuesit e këtij operacioni. Vetëkuptohet që gjatë hartimit të këtij plani, për marrjen dhe zbatimin e masave paraprake, u punua nga të gjithë drejtuesit, ditë e natë, që nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Azem Syla, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht komandanti i operacionit, kolonel Bislim Zyrapi dhe nga të gjithë shtabet përkatëse, duke filluar që nga shtabi i operacionit, ata të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e repartet poshtë në batalione, kompani dhe deri tek luftëtari i thjeshtë. Vlen të theksohet se gjatë organizimit të këtij operacioni, u përdorën mjete ndërlidhjeje e komunikimi të sofistikuara, mjete këto që ndihmuan pozitivisht, në ecurinë e zhvillimit të këtij operacioni. Ato u siguruan nga një ekip i veçantë i SHBA, të atij shteti që nuk u ndal asnjëherë për dhënien e ndihmës konkrete, si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe. Me anën e këtyre mjeteve u transmetuan urdhra, detyra dhe udhëzime të ndryshme, në interes të zhvillimit me sukses, të veprimeve luftarake të operacionit. Gjatë këtyre komunikimeve u përdorën kode e shifra të pathyeshme, të ndërtuara posaçërisht dhe enkas për këtë qëllim, duke siguruar fshehtësinë e plotë, gjatë gjithë zhvillimit të veprimeve operacionale, si për palën tonë, ashtu dhe për atë të bashkëveprimit me forcat ajrore të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s.

Zhvillimi i veprimeve operacionale

Operacioni “Shigjeta” është i një lloji të veçantë, jo vetëm nga mënyra e planizimit, organizimit, zhvillimit dhe drejtimit, por dhe të zbatimit të formave të reja të luftimit, në përshtatje me kohën, vendin, situatat politike, ekonomike, veprimtarinë diplomatike, e aq më tepër për atë të planizimit të luftës psikologjike, që u aplikua e zhvillua me sukses, gjatë gjithë gjerësisë e thellësisë frontale. Kjo veprimtari e re, e zbatuar gjatë operacionit “Shigjeta”, konsistoi në një seri manovrash të lëvizjeve taktike të forcave nga fronti në thellësi, anasjelltas dhe paralel me frontin, duke krijuar imazhe të rreme, për sasinë numerike të forcave dhe të mjeteve në përdorim, gjatë këtyre veprimeve operacionale.

Në theksim të të rejave të aplikuara gjatë zhvillimit të operacionit “Shigjeta”, është në të mirë jo vetëm të së tashmes, por dhe të ardhmes, për të nxjerrë në pah zhvillimet, se si janë kryer këto veprime gjatë këtij operacioni. Kështu, në vazhdimësi të këtij zbërthimi, theksojmë se ky operacion, nuk u fillua e u vazhdua njëherësh në të gjithë frontin, por u nda në dy faza për një arsye të vetme dhe kryesore. Ajo kishte të bënte me mungesën e theksuar të municioneve e pjesërisht të armatimit, në njësitë e UK.së, që vepronin në brendësi të territorit të Kosovës. Nisur nga kjo gjendje paraoperacionale, u pa e arsyeshme e u gjykua, që duke shfrytëzuar ndërhyrjen e fuqishme të NATO-s dhe çoroditjen e forcave Serbe pas ndërhyrjes ajrore të aleancës, të jepej një goditje e shpejtë dhe e befasishme me forcat frontale të Drejtimit Operativ Nr.2 në kufirin imagjinar drejt Koshares, duke filluar në këtë mënyrë dhe fazën e parë të operacionit “Shigjeta”.

Faza e parë e këtij operacioni, e njohur edhe si Beteja e Koshares, u studiua e u vlerësua me imtësi gjatë planizimit të saj, duke u zbërthyer me hollësi në interes të zhvillimeve të mëtejshme, nga vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapi e stafi i tij drejtues i këtij operacioni. Në këtë fazë

forcat e inkuadruara, që sipas urdhrit luftarak u quajtën Drejtimi i 2-të Operativ, morën për detyrë të mësyjnë në brezin: Bardoc (6020-6030), Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095), Vlana(0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me focat e ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethojnë dhe asgjësojn armikun përballë dhe të kapin vijën Ferizaj(1030-9050), Lipjan (1000-0095), në të pastajmen, duke futur në luftim eskalionin e dytë, të vazhdonin mësymjen në drejtim të qytetit të Prishtinës. Kjo betejë e vërtetë, e zhvilluar nga UÇK-ja, me pjesëmarrjen e forcave të emërtuara sipas këtij kodimi operacional Drejtimi i 2-të Operativ, përfshinte Br138; 134; ZO Dukagjinit dhe forcat e tjera në krah, front dhe thellësi. Sipas referimit të ngjarjeve të zhvilluara të asaj kohe dhe dokumentacionit ekzistues, del që urdhrin për fillimin e Betejës së Koshares, si faza e parë e operacionit “Shigjeta”, e ka dhënë vetë ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, kolonel Bislim Zyrapi, urdhër të cilin, ia ka komunikuar për veprim komandantit të Br138 Rrustem Berisha, aktualisht dhe komandat i Drejtimit të 2-të Operativ.

Rëndësia e madhe e këtij operacioni, i cili fillon me fazën e parë të tij, Betejën e Koshares, del akoma më tepër, me interesimin e madh që i ka kushtuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nëpërmjet ministrit të saj të Mbrojtjes të asaj kohe, Azem Syla, i cili së bashku me antarë të tjerë të këtij operacioni dhe të SHP të UÇK-së, pas kontrollit dhe inspektimit të veprimeve përgatitore, nga afër të këtij operacioni, në konsultim të ngushtë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kolonel Bislim Zyrapin dhe komandantin e Drejtimit të 2-të Operativ, përkatësisht komandantin e Brigadës 138, Rustem Berishën, vendosën dhe sulmi filloi i befasishëm, në orët e hershme të mëngjesit, e pikërisht në orën 3,30 të datës 9 prill 1999.

Vetëkuptohet që sulmi ishte tepër i furishëm dhe plotësisht i befasishëm. Lufta për kapjen e Koshares nuk u zhvillua si në vaj, si e përshkruajnë disa autorë shkrimesh këndej dhe andej kufirit. Kjo betejë ishte sinonim i veprimit të rrufeshëm luftarak të UÇK-së, në përballje me forcat serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Mirëpo, si në të gjitha përpjekjet luftarake të UÇK-së, për vite me radhë në të gjithë thellësinë e Kosovës, ashtu edhe në Koshare, fitoi sulmi shpirtëror luftarak i shqiptarëve të Kosovës Shqiptare, i cili mposhti ushtrinë e blinduar serbe të pseudo-Jugosllavisë së ngelur në vdekje e sipër.

Sulmi në kufirin shqiptaro-shqiptar, i mbrojtur nga sllavët e jugut, me dëshirën e një Serbie të Madhe, ishte vepër vetëm e UÇK-së, asaj UÇK-je që në radhë të parë simbolizonte gjakun e derdhur jo vetëm në shekuj, por në veçanti, atë të derdhur në këtë luftë të fundit, atë të derdhur në Prekaz nga Jasharajt legjendarë, atë të Zahir Pajazitit, Luan Haradinajt, Mujë Krasniqit, Ilaz Kodrës e deri tek Agim Ramadani, pikërisht këtu në Koshare.

Jehona e Koshares pati një ndikim të veçantë në ide, mendim e veprim, e sidomos në atë moral si faktor kryesor, në zhvillimin e arritjen e suksesit luftarak. Kjo betejë krijoi kushte të reja furnizimi, jo vetëm për Kosharën, por për të gjitha zonat e tjera operative në thellësi. Me këtë veprim, SHP i UÇK-së realizoi njërin synim të operacionit “Shigjeta”, duke i treguar mbarë opinionit ndërkombëtar, se UÇK-ja nuk ishte një ushtri vetëm për luftë guerile e partizane, por ishte një ushtri, që kur e lyp nevoja, di të sulmojë frontalisht, e jo vetëm kaq, por të realizojë objektivin, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme kundërshtarit, asaj ushtrie që e quante vetën si të pathyeshme.

Faza e dytë e operacionit “Shigjeta”, mbështetur në ecurinë e veprimeve luftarake në thellësi të Kosovës, e sidomos atij në Koshare, u organizua, u zhvillua e u drejtua në kushte më të përshtatshme se sa “Shigjeta-1”, pra Beteja e Koshares. Lufta e Pashtrikut, siç quhet në fjalorin e përditshëm, sipas kodifikimit operacional në kuadrin e përgjithshëm të operacionit “Shigjeta”, u quajt “Shigjeta-2”. Kjo fazë e gjithë “Shigjetës”, mbajti këtë emër me shifrën e koduar “2”, deri në fillimin e sulmit të Drejtimit të 1-rë Operativ mbi forcat serbe në brezin: Bërdoc (6020-6030), Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095), Vlana (0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me Drejtimin e 2-të Operativ, forcat e ZO të Dukagjinit, ZO të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethonte dhe asgjësonte armikun përballë dhe të kapte vijën: Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095). Në vazhdim, duke futur në luftim eskalionin e dytë në bashkëveprim me D.2.O. dhe ZO të Pashtrikut, ZO të Dukagjinit, ZO të Drenicës, ZO Mitrovicës, Z O Llapit, Z O Narodimes dhe Z O Karadakut, të vazhdonin luftimin mësymës në thellësi të Kosovës, në drejtim të qytetit të Prishtinës.

Lufta në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, e sidomos në drejtim të Pashtrikut, ishte një ndeshje luftarake shumë e rreptë, sepse forcat serbe, pas Betejës së Kosharës, në drejtimin e Pashtrikut dhe zonës përreth tij, kishin bërë një koncentrim të madh të forcave, përgjatë gjithë vijës kufitare. Përveç të gjitha forcave organike të Korpusit 52 të Prishtinës, në këtë zonë kufitare, ushtria serbe në këtë pjesë të kufirit kishte futur në formacionin e përgjithshëm luftarak edhe Brigadën Parashutiste të Korpusit Special të Beogradit, forcat e së cilës kishin një përgatitje të lartë e të veçantë. Komandës të

operacionit “Shigjeta”, vetëkuptohet që i dolën probleme lidhur me këtë gjendje luftarake të ndërlikuar, por që u kalua me një moral tepër të lartë dhe me intensifikim të madh sulmesh e goditjesh, të fuqishme, të njëpasnjëshme e të suksesshme.

Në vazhdim të zhvillimeve të mëtejshme, pas shumë përgatitjeve të forcave të UÇK-së në Burrel, Tiranë, Kolsh dhe Helshan, si dhe për sulmin në Koshare, pati debate e konsultime, tepër të frytshme, e sidomos me pjesëtarët “Miqtë e ajrit” specialistë të ardhur nga SHBA, ku nëpërmjet mikrooperacionit tepër sekret “Dora e tërthortë”, u përcaktuan veprimet e mëtejshme për ruajtjen e fshehtësisë të bashkëveprimit. U arrit vënia në dispozicion e aviacionit gjuajtës-bombardues taktik dhe strategjik të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s, në mbështetje të plotë, për neutralizimin gradual deri në asgjësimin e forcave të Brigadës Parashutiste të Korpusit të Beogradit, të vendosura kryesisht në mbrojtje në vijën e parë dhe atyre në thellësi.

Edhe në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, u ndryshua taktika dhe manovra, e cila konsistoi në bombardimin me aviacion për disa ditë rresht dhe fshehtësinë e fillimit të sulmit. Nisur nga parimet ekzistuese të mësymjes frontale, duhej që përgatitja me aviacion e shumta, duhej të zgjaste 30-45 minuta. Mirëpo në fakt nuk ndodhi ashtu. Përgatitja me aviacion zgjati disa ditë, aq sa forcat serbe u çoroditën dhe kur më 26.05.1999 forcat e Drejtimit të 1-rë Operativ, u hodhën në sulm në mënyrë të befasishme, forcat serbe nuk e prisnin këtë situatë luftarake sulmuese. Prandaj, edhe suksesi ishte tepër i madh, por nuk u shfytëzua si duhet arritja e tij. Forcave serbe iu shkaktuan humbje të mëdha në njerëz e teknike ushtarake. Qëllimi u arrit sipas planit të parashikuar e të planifikuar nga organet drejtuese. Gjatë këtij operacioni ranë në fushën e luftës 17 dëshmorë dhe u plagosën 78 luftëtarë, prej të cilëve 3 dëshmorë dhe një i plagosur, i përkasin efektivit të batalionit “Atlantik”, të shqiptaro-amerikanëve të ardhur nga kontinenti i Perëndimit të largët.

Fillimi i mësymjes, në front të gjërë me të gjitha forcat e operacionit “Shigjeta”, në gërshëtim të ngushtë, me të gjitha forcat e zonave operative të Dukagjinit, Pashtrikut, Drenicës, Llapit, Mitrovicës, Karadakut e Nerodimës, nën mbështetjen e fuqishme të aviacionit të NATO-s, arsyetuan ushtarakisht, qëllimin e ndërmarrë operacional, për t u sulmuar qytetet kryesore të Kosovës, nga ku, duke dhënë goditje të fuqishme, të çliroheshin ato dhe të krijoheshin kushte, për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Vetëkuptohet që rrjedha e veprimeve luftarake e operacionit “Shigjeta” në veçanti dhe e krejt veprimeve luftarake të UÇK në përgjithësi, gjatë muajve mars-prill-maj-qershor 1999, u gërshetuan dhe u mbarsën me shumë veprime të ngjeshura politike, diplomatike e psikologjike, të cilët ndikuan në rrjedhën e zhvillimit luftarak, duke sjellë ndryshime tepër të ndjeshme nga dita në ditë, e sidomos në fund të muajit maj e fillimit të qershorit 1999, nga ku për pasojë të progresit të veçantë e të përgjithshëm të veprimeve luftarake të UÇK-së e NATO-s, u arrit kapitullimi dhe nënshkrimi i Traktatit të Kumanovës, për tërheqjen e forcave jugosllave nga krejt Kosova.

Mendime pasoperacionale

Operacioni “Shigjeta” ishte hapi vendimtar historik i Qeverisë së Përkohshme, në luftë për çlirimin e Kosovës. Si i tillë, ai u hodh me mençuri të paparë, që në fillimet e tij e deri tek ai përfundimtar, të largimit të krejt forcave jugosllave nga territori i Kosovës. Dosja e  operacionit “Shigjeta” është me rreth 200 e ca faqe dhe përbëhet nga disa kapituj, ku me hollësi paraqiten planizimi, ideja, qëllimi, zhvillimi si dhe urdhrat vendimmarrëse. Ka pasur individë në luftë dhe pas lufte që janë interesuar direkt apo indirekt, për t u njohur me këtë dosje operacionale. Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet, që çdo gjë ta vënë në funksion të vetvetes, për t u bërë madhështorë në rrjedhat historike të pasluftës. Por, e vërteta ka qenë e do të mbetet e vërtetë, sepse ajo i takon popullit dhe bijve të tij luftëtarë, që ashtu siç ditën të luftojnë në ato ditë të stuhishme e luftarake, me të njëjtën sakrificë, do të luftojnë edhe sot në mbrojtje të historisë së popullit të vet, për ta ruajtur atë krejtësisht të pastër, sepse duke ruajtur pastërtinë historike, ruajmë amanetin e të rënëve, ruajmë ardhmërinë e kombit shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat