Një muaj paraburgim edhe ndaj dy personave që u përfshinë në vrasjen e 15 vjeçarit në Prizren

Aktuale

Një muaj paraburgim edhe ndaj dy personave që u përfshinë në vrasjen e 15 vjeçarit në Prizren

Më: 23 janar 2021 Në ora: 14:08
Foto ilustruese

Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj edhe ndaj dy të miturve të cilët dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 15 vjeçarit në Prizren.

Kështu bëhet e ditur nga Gjykata Themelore e Prizrenit nëpërmjet një komunikate për media.

Për vdekjen e 15 vjeçarit që ndodhi të hënën e kaluar në Prizren është arrestuar edhe i dyshuari kryesor të cilit po ashtu i është caktuar ditë më parë masa e paraburgimit prej 1 muaj.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturve: L.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së, L.L. dhe H.G., për shkak të veprës penale pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Gjyqtarja e procedurës – Kymete Kicaj, kërkesën e prokurorisë së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së (në kuptim të nenit 61 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur) dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të miturve do ti llogaritet prej datës 22.01.2021 deri me datën 21.02.2021”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Gjyqtarja e procedurës për të mitur, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve L.L. dhe H.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, pasi që procedura përgatitore në këtë çështje sapo ka filluar, dhe në vazhdim do të merren në pyetje të miturit, dhe në rrjedhën e mëtejshme do të mblidhen edhe prova të tjera për të zbardhjen e kësaj çështje penale. Po ashtu për Gjykatën qëndrojnë bazat ligjore për caktim të paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, posedim i mjeteve të rrezikshme, për më tepër të miturit pas pjesëmarrjes në rrahje, në rrjetet sociale kanë vazhduar me kërcënime dhe provokimin e mëtejme të situatës edhe ashtu të rënduar duke postuar fotografi. Pra duke marrë parasysh sjelljet e tyre dhe vendosmërinë për të kryer këto vepra penale, e duke pasur parasysh edhe raportet e acaruar në mes të familjeve, si dhe për të mos eskaluar situata edhe ashtu e rënduar, në rrethana të tilla mos marrja e masave adekuate jep indicie se do të krijonte raste për përsëritjen e veprave penale për të cilat të miturit kanë kërcënuar dhe provokuar. Andaj, nën këto rrethana caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të miturve, për momentin është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm se do të sigurojë zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës përgatitore dhe sigurimin e prezencës së të miturve”, thuhet në komunikatë.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat