Dastid Pallaska: Ja pse Vetëvendosje po e kërkon votën masive të mërgatës - ka këtë kërkesë

Aktuale

Dastid Pallaska: Ja pse Vetëvendosje po e kërkon votën masive të mërgatës - ka këtë kërkesë

Nga: A.Zh Më: 23 janar 2021 Në ora: 14:37
Dastid Pallaska

Avokati Dastid Pallaska, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e kërkon votën masive të mërgatës, për shkak të neglizhencës së saj nga qeverisjet e kaluara.

Ai si arsye për këtë përmend edhe llogaridhënien, duke thënë se mërgata është më pak kërkuese ndaj pushtetit, përcjell Bota sot.

Pallaska ka kërkuar nga mërgata që të marrë masivisht në zgjedhje. Sipas juristit, ata duhet të kërkojnë përgjegjësi dhe llogari për votën e dhënë.

Postimi i Pallaskës në Facebook:

Vota e mërgatës në zgjedhjet e 14 shkurtit, implikimet politike

Neglizhimi i mërgatës nga qeverisjet e kaluara ka krijuar zemërim legjitim te kjo pjesë e shoqërisë sonë. Ky zemërim është po aq i pranishëm edhe tek qytetarët që pas pavarësisë kanë marrë rrugën e vështirë të mërgimit për shkak të mungesës së perspektivës për të ndërtuar një jetë më të mirë në vend.

Duke pasur këto dy konsiderata në mendje, nuk është e befasishme pse Lëvizja Vetëvendosje ka shënjestruar qëllimshëm mërgatën si një trup votues me prirje anti-establishment. Kjo mbase edhe mund të jetë taktikë legjitime, sikur ky të ishte shkaku i vetëm i këtij shënjestrimi politik.

Është edhe një arsye - shumë më e madhe dhe më pak fisnike - pse Lëvizja Vetëvendosje e kërkon votën masive të mërgatës. Për dallim nga vota e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, e me të cilët pushteti duhet të ballafaqohet çdo ditë, vota e mërgatës nuk mbartë të njëjtën kërkesë për llogaridhënie. Kjo jo për shkak se mërgata është më pak kërkuese ndaj pushtetit. Thjesht, largësia ndikon në interesimin e kujtdo për problemet më të rëndësishme politike të vendit, ato të përditshme, në të cilat dështojnë më së shumti politikanët. Po ashtu, distanca rritë edhe lëndueshmërinë nga propaganda, të cilës mbase nuk mund t’i rezistojnë as shumica që jeton në vend. Kjo është arsyeja kryesore pse vota e mërgatës është ideale dhe e preferuar për partitë politike me tendenca autoritare.

Mërgata jonë duhet të jetë e vetëdijshme për këtë keqpërdorim të mundshëm të dashurisë dhe përkushtimit që ndjenë për atdheun. Gjithsesi ky rrezik nga keqpërdorimi i besimit nuk është arsye për të mos votuar më 14 shkurt.

Përkundrazi, mërgata duhet të marrë pjesë në zgjedhje, dhe atë në mënyrë masive. Edhe nëse gabojnë në përzgjedhjen e tyre politike, për shkak të propagandës së sofistikuar të cilës i janë nënshtruar me vite, nuk duhet t’i fajësojmë.

Për të gjithë ata që votojnë nga mërgata duhet të kemi vetëm një kërkesë. Që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogari për votën e dhënë. E për të qenë në pozitë për të kërkuar përgjegjësi, duhet të shijojnë qeverisjen e të zgjedhurve të tyre përtej periudhave të pushimeve vjetore.

Vetëm në këtë mënyrë kjo votë e mërgatës mund ta ndryshojë qeverisjen e vendit për të mirë. Ndryshe, vota e mërgatës do të keqpërdoret dhe, padashje, do të shndërrohet në mburojë të autokracisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat