Hoxhaj: Ramushi na prishi me Evropën, Albini me Amerikën

Aktuale

Hoxhaj: Ramushi na prishi me Evropën, Albini me Amerikën

Më: 23 janar 2021 Në ora: 14:54
Ramush Haradinaj

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Enver Hoxhaj, ka prezantuar sot planin e rimëkëmbjes për shëndetësi në Komunën e Gjilanit.

Ai ka takuar pensionistët e kësaj komune, ku ka theksuar se gjatë mandatit të tij do të ketë rritje të pensioneve në bazë të kategorive, duke filluar nga 30 përqind.

Hoxhaj nga Gjilani ka shtuar se ai do të jetë kryeministër i Kosovës, pasi që vendi ka nevojë për një kryeministër që i ruan marrëdhëniet me të gjitha shtetet mike.

Hoxhaj: Ramushi mendonte se mund të shtyhet me Merkelin e Albini na prishi me Amerikën

"Ne nuk mundemi më me pas kryeministra ku njëri merr në thua dhe na prish me Evropën qysh na pati prishur Ramush Haradinaj. Ia merrte mendja që mund të shtyhet me Angela Merkel dhe me Macron dhe i la të rinjtë, të rejat e Gjilanit dhe krejt qytetarët e Kosovës pa viza. Apo Albini i cili na prishi me Amerikën. Ne nuk jemi, as Kinë, as Rusia, as Gjermania, e cila mund të bartë këtë barrë. Neve na duhet një politikë e mençur, neve na duhet t'i ruajmë arritjet që i kemi arritur deri tash bashkë", ka theksuar ai në Gjilan.

Para pensionistëve, Hoxhaj ka prezantuar planin që gjatë qeverisjes së tij do të ketë rritje të pensioneve. E kjo rritje sipas tij, nuk është premtim i fushatës, por është zotim i tij.

Hoxhaj: Do të ketë rritje të pensioneve deri në 40 përqind

"Në emër të qeverisë që do ta udhëheqë unë do të ketë rritje të pensioneve 30 deri në 40 përqind varësisht prej kategorisë, ata të cilët janë pensionistë kontributdhënës do ta kenë shumën që do ta marrin, ata të cilët janë pensione të cilët nuk kanë dhënë kontribut po janë në skenën pensionale. Po prej 30 deri në 40 përqind dhe do të jetë një rritje kështu e mirëfilltë. Ky nuk është ndonjë premtim zgjedhor por zotim", ka paralajmëruar Hoxhaj.

Planin për rimëkëmbje të shëndetësisë para pensionistëve gjilanas e ka prezantuar sekretari i PDK-së, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se gjatë qeverisjes së PDK-së pensionistët do të kenë trajtim dinjitoz, derisa ka prezantuar se në planin e tyre përfshihet sigurimi shëndetësor dhe barna falas, mjek për çdo familje dhe sistem shëndetësor modern.

Ismaili: Qytetarët do t'i marrin barnat pa para vetëm me letërnjoftim

"Ne kemi parapa në programin tonë që këto barna të jenë falas që tre muajt e parë, lista e barnave falas do t'iu shkojë të gjitha barnatoreve të Kosovës dhe në të gjitha barnatoret e Kosovës qytetarët të jenë në gjendje t'i marrin barnat pa para vetëm me letërnjoftim të Kosovës. Nëse e ka recetën prej mjekut edhe letërnjoftimin e Kosovës ato barna do t'i marr pa para secili qytetar", ka shtuar ai.

Hoxhaj gjatë ditës në Gjilan do të zhvillojë takim edhe me të rinjtë e kësaj komune.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat