Dardan Molliqaj: Albin Kurti s’do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ-në, ja çka po dëshiron ai

Aktuale

Dardan Molliqaj: Albin Kurti s’do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ-në, ja çka po dëshiron ai

Nga: A.Zh Më: 23 janar 2021 Në ora: 17:01
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Dardan Molliqaj nga Partia Socialdemokrate, e ka quajtur të padrejtë dhe jodemokratik ndalimin e kandidimit të Albin Kurtit në zgjedhje.

Por, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po e kundërshton ligjin që ndalon deputetët e penalizuar të kandidojnë. Sipas tij, Kurti dhe VV-ja po duan “gjendje të jashtëzakonshme”, duke u “viktimizuar” për t’i mobilizuar votuesit e tij, përcjell Bota sot.

Ish-bashkëpartiaku i Kurtit, ka thënë se ai mund ta pranojë mos-kandidimin.

“Kurti me gjasë nuk do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ. Ai mund të pranojë mos-kandidimin. Por ai është duke krijuar kauzë viktimizimi, për t’i mobilizuar votuesit e tij, drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Ai po ndërton justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme pasi ta marrë pushtetin. “Të gjithë provuan të më eliminojnë” do të thotë, “të gjithë që s’janë me mua janë armiqtë e popullit” dhe do t’i duhet gjendja e jashtëzakonshme për t’i eliminuar ata”, ka shkruar Molliqaj në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Kurti i gjendjes së jashtëzakonshme

Është e padrejtë dhe jodemokratike t’i ndalohet kandidimi në zgjedhje kujtdo që është dënuar në të kaluarën për veprime politike. Mos-lejimi i kandidimit të personave që janë dënuar për aktivitete politike është instrument i rrezikshëm për disiplinimin e kundërshtarëve politikë, nga kushdo qoftë në pushtet.

Por, situata e krijuar këto ditë, ma kujtoi një citat të Albin Kurtit në dokumentin e tij të famshëm mbi organizimin e VV, dokument i cili ishte mospajtimi kyç në mes nesh që u ndamë dhe atyre që mbetën. “Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme, dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme...” (f.45) – kështu shkruante atëbotë Kurti.

Dhe sot pikërisht këtë po e realizon Kurti e VV-ja. VV-ja nuk po e kundërshton parimisht ligjin që ndalon deputetët e penalizuar të kandidojnë. VV-ja e di që nëse me të vërtetë e paska atë përqindje që po e parashikojnë, askush nuk do të mund ta ndalë Kurtin të bëhet kryeministër. Por VV-ja dhe Kurti po duan GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME. Sepse gjendja e jashtëzakonshme t’i zgjidhë duart për të qenë arbitrar. Për të shkelur kushtetutën, ligjin e të drejtat qytetare. Përmes gjendjes së jashtëzakonshme kanë operuar shumica e pushteteve autoritare e totalitare. Në gjendje të jashtëzakonshme s’ka ligj e procedura, ka vetëm NJË instancë që vendosë, e ajo është pushteti – lideri. Gjendja e jashtëzakonshme t’i jep KREJT.

Por Kurti me gjasë nuk do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ. Ai mund të pranojë mos-kandidimin. Por ai është duke krijuar kauzë viktimizimi, për t’i mobilizuar votuesit e tij, drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Ai po ndërton justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme pasi ta marrë pushtetin. “Të gjithë provuan të më eliminojnë” do të thotë, “të gjithë që s’janë me mua janë armiqtë e popullit” dhe do t’i duhet gjendja e jashtëzakonshme për t’i eliminuar ata.

Dhe në fund, Kurti nuk do ta ndryshoj këtë ligj fare. Përkundrazi, do ta përdorë njësoj si pushteti aktual, për disiplinimin e kundërshtarëve politikë në të ardhmen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat