Armend Zemaj kërkon shkarkimin e bordit të SHSKUK-së dhe kreut të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Aktuale

Armend Zemaj kërkon shkarkimin e bordit të SHSKUK-së dhe kreut të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Më: 23 janar 2021 Në ora: 18:07
Foto

Derisa konkursi për kreun e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka arritur pothuajse në fazën finale, ky institucion rrezikon të mbetet pa bordin aktual.

Një propozim të tillë e ka bërë Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë mbledhjes të para disa ditëve që e ka pasur me këtë bord.

Burime të medias mësojnë se ka qenë vetë Zemaj ai që një lajm të tillë ia ka kumtuar kreut dhe anëtarëve të këtij bordi.

Siç duket arsyeja e gjithë kësaj është largimi i ish-këshilltarit të Ministrit të Shëndetësisë, Diellor Rizaj, nga Komisioni Vlerësues për të zgjedhur të parin e SHSKUK-së i cili ishte zëvendësuar me anëtaren tjetër të bordit, Agreta Gecaj-Gashi.

Përveç këtyre, sipas po këtyre burimeve, Zemaj i ka kërkuar një anëtari të bordit që të largohet nga komisioni i cili do të vlerësojë konkursin e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.

Klan Kosova ka komunikuar edhe me kreun e shëndetësisë i cili i ka mohuar këto pretendime duke thënë shkurtimisht vetëm “JO”.

Megjithatë, Klani nuk ka arritur të marrë një përgjigje zyrtare nga kabineti i kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti nëse kërkesa për shkarkim të bordit të SHSKUK-së ka arritur në Zyrën e Kryeministrit. Kjo ngase për të marrë një vendim të tillë duhet të votohet nga kabineti qeveritar.

Kujtojmë që nga gara është eliminuar ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Valbon Krasniqi, me arsyetimin se nuk e ka plotësuar kriterin kryesor sa i përket përvojës së menaxhimit në institucione shëndetësore – ku lidhur me këtë çështje i njëjti nuk i është përgjigjur pyetjeve të adresuara nga Klani.

Edhe kandidates Gloria Staka, e cila ka qenë Prodekane e Fakultetit të Mjekësisë, nuk i është njohur përvoja menaxheriale.

Kurse për pozitën e Drejtorit të SHSKUK në garë kanë mbetur Saudin Maliqi që është drejtues i Klinikës së Kirurgjisë Torakale dhe njëherësh ish-këshilltar i Zemajt, Basri Lenjani që është Drejtor i Klinikës Emergjente dhe ish-kandidat për deputet nga AAK-ja, Gani Halilaj që është Drejtori i Institutit të Forenzikës dhe Psikiatrisë dhe ish-kandidat për deputet nga PDK-ja dhe Driton Ukmata që është ish-këshilltar i ish-drejtorit Basri Sejdiu.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë ka kërkuar edhe shkarkimin e kreut të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Veçse burime brenda këtij bordi thonë se kjo gjë nuk është arritur në mbledhjen e së martës e cila u anulua nga Armend Zemaj. Të njëjtat burime thonë se anulimi i kësaj mbledhje u bë pikërisht për shkak se i pari i shëndetësisë nuk ka arritur t’i sigurojë votat e anëtarëve të këtij bordi për ta larguar Plakiqin.

Të njëjtat burime pohojnë se Plakiqit i është kërkuar edhe dorëheqja nga ky post. Lidhur më këtë, ministri në detyrë Armend Zemaj nuk ka kthyer përgjigje.

Katër kandidatët e mbetur në garë për drejtorin e SHSKUK-së pritet që të ftohen për intervistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat