Pika me anë të së cilës Kushtetuta ia mundëson Vjosa Osmanit ta shkarkojë Valdete Dakën

Aktuale

Pika me anë të së cilës Kushtetuta ia mundëson Vjosa Osmanit ta shkarkojë Valdete Dakën

Më: 23 janar 2021 Në ora: 19:34
Valdete Daka, Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka përmendur integritetin e KQZ-së, teksa i ka tërhequr vërejtje kryetares së kësaj komisioni, Valdete Dakës, për atë që Osmani e quajti “shtyrje përpara të agjendave partiake” pas mos-certifikimit të subjekteve të caktuara politike.

Ndonëse pjesë e procesit zgjedhor, Osmani si ushtruese e detyrës së një ndër funksioneve më të rëndësishme shtetërore, e gëzon të drejtën e shkarkimit të kryesueses së KQZ-së.

Një gjë e tillë i mundësohet me anë të Nenit 61.5 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë se “Mandati i Kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtar të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes, ose nga Presidenti i Kosovës, me efekt të menjëhershëm, në rrethanat kur: d) Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”.

Tërheqja e vërejtjes së Osmanit, me anë të një video-mesazhi, erdhi një ditë pas mos-certifikimit të listës së subjektit politik në të cilën ajo garon, atë të Vetëvendosjes.

Ushtruesja e detyrës së të parit të vendit ka thënë, ndër të tjera, se nëse edhe njëherë abuzohet me KQZ-në sikur ditën e djeshme do të detyrohet të ndërmarrë masa.

“I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, ka deklaruar ajo.

Periudha e ankesave nga partitë që nuk iu certifikuan listat është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

Institucionet ku subjektet politike mund të adresohen janë PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat