E quajti “rebele” dhe të “padenjë” për presidente, nga kampi i Vjosa Osmanit i reagojnë Isa Mustafës

Aktuale

E quajti “rebele” dhe të “padenjë” për presidente, nga kampi i Vjosa Osmanit i reagojnë Isa Mustafës

Nga: A.Zh Më: 23 janar 2021 Në ora: 21:09
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kandidati për deputet nga lista “Guxo” e Vjosa Osmanit, Faton Peci, i ka reaguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i cili e ka quajtur “rebele” ushtruesen e detyrës së presidentes.

Peci ka thënë se Mustafa ka ambicie të sëmurë për të marrë postin e presidentit të Kosovës dhe për këtë, sipas tij, ai është në gjendje të shkatërrojë LDK-në, përcjell Bota sot.

Sipas Pecit, Osmani e ka mbrojtur integritetin e institucionit të pavarur (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve), nga Mustafa dhe ata që duan ta shkatërrojnë me “themel”.

“Isë, ora politike të është ndalur. Kohë të tjera po vijnë. Kosova nuk është pazar dhe postet nuk janë në shitje”, është porosia që ai ia ka dërguar të parit të LDK-së, teksa ka theksuar se Osmani është e denjë për postin e presidentes.

Postimi i plotë i Pecit në Facebook:

Tashmë është e ditur se ambicia e sëmurë për ta marrë postin e presidentit ka bërë që z.Mustafa t'i polarizojë skajshmërisht partitë dhe ta shkatërrojë një parti me traditë (LDK), vetëm për të qenë president.

Për fatin e mirë të Kosovës janë qytetarët ata që do të vendosin me votën e tyre se kush do të jetë president e kush kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Koha e skemave të manipulimit, diferencimit dhe marrjes së pozicioneve përmes devijimit të vullnetit qytetar tashmë ka marrë fund. Prandaj, mendimi juaj dhe pesha juaj politike për ta përcaktuar se kush do të jetë president dhe kryeministër i takon së kaluarës. E kuptoj ndjesinë tënde. Më mirë do të ishe ndi nën kryetarllëkun e ish-presidentit Thaçi, por ç'të bëjmë, nuk është më.

Sa për ta kthjelluar kujtesën tuaj, institucionin e presidencës e ka mbrojtur zonja Osmani, teksa ti ke synuar dhe ëndërron ta marrësh postin e presidentit me pazare politike.

Zonja Osmani e ka mbrojtur integritetin e një institucioni të pavarur, për të cilin ju dhe të tjerët duan ta shkatërrojnë me themel.

Isë, ora politike të është ndalur. Kohë të tjera po vijnë. Kosova nuk është pazar dhe postet nuk janë në shitje. Zonja Osmani është përfaqësuese e denjë në krye të shtetit. Ajo guxon, nuk ka dosje, ka vendosmëri e konsistencë. E ardhmja u takon vetëm atyre që kanë parime e guxojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat