Paralajmëron Vetëvendosje: Më 14 shkurt arrijmë fitoren e tretë, Albin Kurti kryeministër

Aktuale

Paralajmëron Vetëvendosje: Më 14 shkurt arrijmë fitoren e tretë, Albin Kurti kryeministër

Nga: A.Zh Më: 24 janar 2021 Në ora: 17:46
Albin Kurti

Arbër Zaimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se fitorja e kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të jetë e treta.

Ai ka thënë se Albin Kurti do të jetë kryeministër me legjitimitet popullor më të fortë dhe figurë më të pastër se të gjithë kryeministrat e pasluftës.

Zaimi në shkrimin e tij, ka përmendur fitoren e VV-së në Mitrovicë që ishte bastion i PDK-së dhe atë në Podujevë, ku historikisht kishte fituar gjithmonë LDK-ja, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë i Zaimit në Facebook:

Në 2017 Lëvizja fitoi, por u prodhua PSD-ja e cila me rolin e vet si kinse-opozitë mbajti 2 vite në pushtet një kryeministër pa vota, si Ramushi.

Në 2019, Lëvizja fitoi sërish, dhe bëri qeverinë në koalicion me LDK-në. Kësaj radhe kapësit e shtetit nuk prodhonin dot më “PSD”, sepse për të gjithë u bë e qartë se me taktika të tilla VV nuk dëmtohej, ndërsa personave që dilnin prej saj, u digjej karriera politike. Prandaj kësaj radhe u prodhua ndarje në LDK, mes atyre që donin vazhdimin e korrupsionit qeverisës, dhe atyre që ishin kundër kapjes së shtetit. Kësaj radhe rolin e kinse-opozitës që mban në pushtet një kryeministër pa vota, e mori PDK-ja e cila arriti ta bëjë jo më shumë se gjashtë muaj atë që PSD-ja bëri dy vite me radhë. PDK-ja e kuptoi se, me veprimin si kinse-opozitë, po shkonte rrugës së PSD-së.

Por Lëvizja tash është dyfishuar. VV fitoi votat e shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut, ku kishte fituar gjithnjë PDK-ja. VV fitoi 52% dhe pa balotazh në Podujeve, ku historikisht ka fituar vetëm LDK-ja. Të gjithë sondazhet qofshin metodikë qofshin mediatikë, parashikojnë fitore të Lëvizjes rreth 50% (dhe Lëvizja në historinë e saj gjithmonë ka dalë 5-7% më lart se sondazhet në zgjedhje). Të gjitha partitë janë shprehur se Lëvizja do të fitojë. Madje edhe Batoni e Berati. Të gjitha partitë janë shprehur se dëshirojnë të qeverisin me VV. E vetëm kur VV ua bëri me dije se nuk ka nevojë për to, nisën fushatën e sharjeve.

Fitorja e Lëvizjes në vitin 2021 do të jetë e treta e vërteta. Albin Kurti do të jetë kryeministër me legjitimitet popullor më të fortë dhe figurë më të pastër se gjithë kryeministrat e pasluftës.

Këtë kapital të madh politik ai do ta vërë në funksion të zgjidhjes së problemeve të mëdha të Kosovës. Problemet si mosnjohja prej Serbisë, korrupsioni i brendshëm, ngecja e zhvillimit ekonomik, mund të gjejnë zgjidhje pozitive, vetëm me një kryeministër kaq të votuar dhe kaq të pastër si Albin Kurti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat