Fytyrat që nuk do i shohim në këtë legjislaturë

Aktuale

Fytyrat që nuk do i shohim në këtë legjislaturë

Më: 25 janar 2021 Në ora: 10:25
Fytyrat që nuk do i shohim në këtë legjislaturë

Emra të njohur në politikë, por edhe të padëgjuar më herët do të jenë pjesë e kandidimit për deputet në zgjedhjet e parakohshme të cilat do të zhvillohen më 14 shkurt.

Që nga data 3 shkurt kur edhe do të fillojë zyrtarisht fushata elektorale, qytetarët kanë mundësi të shohin e të mësojnë më tepër për këta kandidatë.

Por ajo çfarë ra në sy këtë herë janë emrat e shumë prej ish-deputetëve të zëshëm të Kuvendit të Kosovës të cilët nuk do të jenë pjesë e kandidimit.

Hajredin Kuçi, Donika Kadaj-Bujupi,  Fatmir Rexhepi, Ismet Beqiri e Gazmend Abrashi, janë ata të cilët më s’do t’i shohim në legjislaturën e Parlamentit të Kosovës.

Lidhur me këtë ka folur ish-deputetin dhe njëri nga emrat më të rëndësishëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçin.

Ai deklaroi se arsyet e tërheqjes vullnetare i ka bërë të ditura tashmë, por që pavarësisht kësaj do të vazhdoj të kontribuoj në politikë dhe në PDK, anipse s’do të jetë deputet.

Madje ai tha se beson që përbërja e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës do të jetë më e mira e mundura.

“Arsyet e tërheqjes vullnetare i kam sqaruar tanimë. Unë jam nënkryetar i PDK-së dhe kontributin në politikë do të mund ta jap edhe jashtë të qenurit deputet. Qytetarët do të vendosin për përbërjen e legjislaturës së re, që besoj do të jetë më  e mira e mundur”, tha ai.

Kurse Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaroi se është në pushime e se për këtë çështje dëshiron të deklarohet pas zgjedhjeve.

Por kohë më parë, Rexhepi pati deklaruar që dëshira e tij është të shoh përbërje të re si legjislaturë, si nëpër partitë politike e ngjashëm.

Madje sipas tij e gjithë përbërja politike ka nevojë për ndryshime e prurje të reja.

“Për momentin jam në pushim dimëror, dëgjohemi pas zgjedhjeve”, tha shkurt, Fatmir Rexhepi.

Por është pikërisht Ismet Beqiri, që për shumë vite ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por që më s’do të kandidojë për të njëjtin emërim, si deputet i legjislaturës së re.

Madje Beqiri deklaroi se do të vazhdojë të jetë pjesë e LDK-së dhe se kontributi i tij në këtë parti do të jetë në vazhdimësi, por që synimet e tij për të ardhmen do t’i thotë ndërkohë.

“Kam marrë pjesë në procese zgjedhore 8 herë në të gjitha kam fituar, poashtu edhe dega ime të cilën e udhëheq. Do të ketë edhe procese tjera zgjedhore në të ardhmen. Patjetër vazhdoj të jem në jetën politike, jam nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i degës së LDK-së në Kodrën e Trimave. Për synimet e mia në të ardhmen do t’i them me kohë”, tha Beqiri.

Ismet Beqiri tha gjithashtu se shpreson që kjo legjislaturë të jetë më e mirë se dy të fundit, që për të ishin zhgënjyese.

“Për mua LDK ishte dhe është shtëpia e vetme e imja politike. Shpresoj kjo legjislaturë të jetë më e mirë se kjo e fundit ose së paku 2-3 legjislaturat  paraprake që lenin për të dëshiruar (ishin zhgënjyese për mua, edhe pse jam bukur skeptik) , uroj të me demantoj koha për këtë”, shtoi ai.

Pjesë e legjislaturës që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit s’do të jetë edhe Donika Kadaj-Bujupi, një nga deputetet që bëri disa lëvizje nëpër parti gjatë legjislaturave të kaluara.

Anipse ishte për shumë vite deputete e Kuvendit të Kosovës e që mori pjesë në disa prej vendimmarrjeve më të rëndësishme, Donika Kadaj-Bujupi vendosi që të mos kandidojë më.

Madje Donika-Kadaj-Bujupi së fundi pati deklaruar edhe vetë se partia pjesë e së cilës ishte, pra AAK nuk e thërriste më as në mbledhjet që zhvillonte.

E siç duket mos-dakordimi me partinë ndikoi edhe që të mos-kandidojë më.

“Angazhimin politik përherë e kam parë në funksion të së mirës së përgjithshme, rritjes së barazisë së qytetarëve, dhe krijimit të një hapësire të re për gruan në sferën publike. Secila përpjekje imja është menduar në këtë drejtim. Si deputete përmes diskutimeve e propozimeve institucionale e legjislative; në rrugë përmes protestës të përbashkëta. Ky rrugëtim politik sigurisht se i ka pasur lëshimet e veta. Por edhe mos suksesin. Por me rëndësi është që, përkundër rrjedhës, ka pasur kohëra të rëndësishme arritjesh e momente të kujtueshme të përmbushjes”, pati deklaruar ajo.

Tutje ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës tha se duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon,e duke mos e gjetur shprehjen e organizuar në kolektiv, për bindjet e saj, ka vendosur që në këto zgjedhje të mos garojë.

“Duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon, dhe duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e mia, unë kam vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garojë. E gjetur mes dy mundësish: të garojë për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses”, theksoi ajo.

Mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit se kush do të jetë pjesë e ulëseve të Kuvendit të Kosovës, saktësisht kush do të jenë 120 deputetët kosovarë që do t’i përfaqësojnë qytetarët në një nga institucionet më të rëndësishme udhëheqëse në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat