Kandidati për deputet i LVV-së: Vendimi i KQZ-së ishte arbitrar dhe i pashembullt

Aktuale

Kandidati për deputet i LVV-së: Vendimi i KQZ-së ishte arbitrar dhe i pashembullt

Më: 25 janar 2021 Në ora: 13:33
Adnan Rrustemi

Adnan Rrustemi, ish-përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, tregoi se vendimi i KQZ-së për të mos certifikuar listat është tërësisht politik.

Ai theksoi se lista e LVV-së prej 110 kandidatësh është në përputhje të plotë me ligjin.

Për këtë arsye partia ku vetë Rrustemi kandidon nuk e ndërroi listën pavarësisht se  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mos certifikojë kandidatët.

“Ne konsiderojmë që vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte arbitrar dhe i pashembullt në kuptimin e përmbushjes së përgjegjësive që ka KQZ-ja. Ishtë në kundërshtim me vetë praktikat e KQZ-së por edhe në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet,” – tha kandidati për deputet i LVV-së.

Ndër të tjera ai nënvizoi se ishte i bindur se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do ta linte në fuqi këtë vendim në asnjë mënyrë por nëse ndodh e kundërta ata do e çojnë çështjen deri në Gjykatën Supreme.

Pyetur nga gazetarja Mulaj nëse vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ndikojë në shtyrjen e afatit të zgjedhjeve apo drejtpërdrejt në partinë e tij, Rrustemi theksoi se do të ishte shumë mirë nëse nuk do të kishte kontestime ama sidoqoftë nuk mendon se kjo do të ndikojë të rezultati apo shtyrja e tij.

Ndërkohë që nuk la pa përmendur se do të jetë Albin Kurti ai që do t’i prijë listës dhe janë në pritje të rezultatit ditën e nesërme që më pas të kandidojnë me listën e plotë në 14 shkurt dhe siç u shpreh Adnan Rrustemi të sjellin ndryshimin për Kosovën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat