Apeli e kthen në rigjykim për një pikë të aktakuzës rastin ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve, për dy tjera refuzon aktakuzën

Aktuale

Apeli e kthen në rigjykim për një pikë të aktakuzës rastin ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve, për dy tjera refuzon aktakuzën

Më: 25 janar 2021 Në ora: 16:29
Gjykata e Apelit

Rreth një muaj pasi e kishte liruar nga akuzat për korrupsion ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) Ilir Tolaj, Gjykata e Apelit ka vendosur të kthej për rigjykim një rast tjetër ku Tolaj po akuzohet gjithashtu për korrupsion.

Gjykata e shkallës së dytë ka vendosur të anulojë aktgjykimin lirues që shkalla e parë kishte nxjerrë në nëntor të vitit 2019 ndaj Tolajt dhe të akuzuarit tjerë, Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha.

Të gjithë këta të akuzuar do të gjykohen edhe njëherë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, në rastin e të akuzuarve I.T., A.P. H.F., B.F. dhe Z.K. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 25.11.2019, në pikën 2 të pjesës liruese, sa i përket aktakuzës 1, për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit nga neni 422 par.1 dhe 423 lidhur me nenin 81 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (pika 1.7 dhe pika 1.9), është prishur dhe çështja i është kthyer gjykatës së njëjti në rigjykim dhe rivendosje.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Kurse për pikën II të aktakuzës, për të cilën të akuzuarit gjithashtu ishin liruar nga akuzat, Apeli e ka ndryshuar duke ardhur në përfundim se për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Pika II e pjesës liruese, të aktgjykimit në fjalë, për veprën penale nga akuza 1, pika 1.8 dhe akuza 12, është ndryshuar, ashtu që aktakuza në këtë pjesë është refuzuar, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.” – thuhet në njoftimin e Apelit.

Po ashtu, shkalla e dytë e ka ndryshuar edhe pikën I e pjesës refuzuese të aktgjykimit të Themelores, me ç’rast, aktakuza e prokurorisë është refuzuar për shkak se sipas Apelit, këto vepra penale janë gjykuar me aktgjykim të formës së prerë.

“Pjesa tjetër e aktgjykimit, konkretisht në pikën 1 të pjesës refuzuese, për veprat penale nga akuza 1 pika 1.1, 1.2, 1.3, 1.6, dhe akuza 2 për të akuzuarit I.T. dhe A.P, është vërtetuar” – përfundon njoftimi i Gjykatës së Apelit.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe të akuzuarit tjerë, Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuqi dhe Bekim Fusha, më 25 nëntor 2019, ishin shpallur të pafajshëm për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuar në këtë rast është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, mirëpo në seancën e mbajtur më 11 qershor 2019 ishte veçuar procedura ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për pikën e parë, të dytë, të tretë, gjashtë e shtatë, në të cilat pika Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha, me ndryshim të akuzës, ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues.

Ndërkaq, Ilir Tolaj është liruar për pikën e tetë të akuzës, ku akuzohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në qershor të vitit 2010, kurse për akuzën e dytë, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në tentativë, i njëjti është liruar bashkë me Arbenita Pajazitin.

Për pikën e nëntë të akuzës ku Tolaj, Fejza, Fusha e Kuqi akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare mes 1 marsit 2011 e 30 prillit të po të njëjtit vit, gjykata kishte marrë aktgjykim lirues.

Aktgjykim lirues ishte shpallur edhe për pikën e dhjetë, ku Tolaj bashkë me Kuqin akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2011.

Kurse, gjykata kishte refuzuar akuzën për pikën e tetë, ku Hajrullah Fejza akuzohet për marrje ryshfeti.

Ndërkaq, për pikën e dymbëdhjetë, ku Fejza bashkë me Tolajn akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në ose rreth 24 dhjetorit 2010, gjykata sërish kishte marrë aktgjykim lirues.

Gjykatësja Naime Krasniqi–Jashanica kishte deklaruar se kjo lëndë është bartur nga gjyqtarët e EULEX-it dhe se prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu ka bërë ndryshimin e aktakuzës.

“Kjo prokurore që ka bërë ndryshimin e kësaj aktakuzë na ka hedhur në huti edhe për neve si trup gjykues, për faktin që kjo aktakuzë është parashkruar për pikat e para deri në pikën 10”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi–Jashanica, në arsyetimin e aktgjykimit.

Pretendimet e aktakuzës së ndryshuar:

Me aktakuzën e ndryshuar të dorëzuar në Gjykatë, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të Përkohshëm Penal, aktualisht e penalizuar me paragrafin 1 të nenit 422 dhe 423 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH)dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, mes datës 26 shtator 2007 dhe 1 tetor 2007, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj. Sipas aktit akuzues, “Jona Med”, kishte ushtruar padi kundër MSH për lejimin e dështimit të kontratës pa përmbushur detyrimet e saj nën të dhe pastaj lidhjen e kontratës me kompani të tjera farmaceutike, e kontrata kishte qenë në vlerë prej 3.8 milionë euro. Padia kishte qenë e suksesshme, e aktakuza thotë se Gjykata Ekonomike ka marr vendim për dëmshpërblim kundër MSH në vlerë prej 1.5 milionë, përveç kostove të drejtimit të procesit të ri dhe të panevojshëm të tenderit.

Ilir Tolaj, më tutje thuhet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, pasi i ka thënë komisionit vlerësues se cili operator duhet të zgjidhet në dy tenderë emergjentë, një tender kishte thënë t’i jepet “Koslabor” e tjetri Kompanisë Ekskluziv nga Gjilani. Sipas aktit akuzues pronari i kësaj të fundit , Burim Shkodra kishte qenë student i Tolaj e në lidhje me Arbenita Pajazitin pasi kjo e fundit i kishte shitur licencën e saj vëllait të Arsim Shkodrës. Sipas akuzës, Tolaj nuk ka dëshiruar të ndërronte kontratat ekzistuese të MSH sepse dëshironte që të lëshonte kontratë të reja në interesa të veta dhe për përfitimin material të atyre me të cilët kishte lidhje financiare ose ndryshe. Kurse, Pajaziti, akti akuzues thotë se ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare pasi nuk ka deklaruar konfliktin e interesit dhe nuk është larguar nga komisioni i vlerësimit.

Tolaj dhe Pajaziti, akuzohen se kanë kërkuar vet e përmes Alban Pozhegut, nga Raimonda Hyseni për të nënshkruar se kinse ka marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve, kur ajo nuk kishte marrë pjesë fare. Një gjë e tillë, konsiderohet se u ka mundësuar fituesve të tenderëve përfitime materiale. Sipas akuzës, procedurat tenderuese për këto kontrata nuk kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Prokurimin Publik të 15 Janar 2004.

Tutje, në akuzë thuhet se Tolaj e Pajaziti kanë keqpërdorur pozitat e tyre në nëntor dhe dhjetor të vitit 2007, duke takuar furnizuesit në datë të ndryshme ndërmjet 15 dhe 18 nëntorit dhe duke u kërkuar furnizuesve të cilët nuk kanë mundur të furnizojnë deri më 21 dhjetor 2007, të sigurojnë garanci bankare. Akuza thotë se garancitë bankare ishin mënyrë që furnizuesit të paguhen nga buxheti financiar i vitit aktual për mallra që do të dorëzohen në vitin e ardhshëm financiar. Pajaziti, sipas akuzës, i ka thënë komisionit për pranim që të nënshkruante një deklaratë të rrejshme të pranimit të barnave nga furnizuesit të cilët nuk ishin në gjendje të furnizonin MSH para 21 dhjetor 2007. Tolaj e Pajaziti, thuhet se kanë bërë të mundur që furnizuesit të merrnin një përfitim material, domethënë pagesa paradhënie me mashtrim, e Pajaziti thuhet se ka mashtruar Ministrinë e Financave duke i thënë Komisionit për Pranim të nënshkruaj certifikata të rreme të pranimit duke pretenduar se malli ishte marrë kur në fakt nuk kishte qenë kështu. Më tej, thuhet se kur produktet janë pranuar pas 21 dhjetor 2007, ato nuk kanë qenë në përputhje me kontratat.

Sipas akuzës, më tutje thuhet se Tolaj ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke drejtuar një fushatë për të dëmtuar “Jona Med” e këtë duke u siguruar që kjo kompani të mos fitojë asnjë kontratë nga MSH, duke dërguar inspektor dhe duke kërkuar që t’i dënojnë, duke bërë kallëzime penale dhe padi civile ndaj “Jona Med” dhe duke përdorur ndikimin e tyre për të siguruar që “Jona Med” të mos merrte licencat e importit dhe eksportit.

Ilir Tolaj dhe Bujar Bukoshi, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare në qershor të 2010, kur Tolaj ishte këshilltar personal i Bujar Bukoshit, sipas aktakuzës, Tolaj ka përdorur influencën e tij si Këshilltar që kontrata një plus e fituar nga “Jona Med”të mos vazhdohet. Edhe pse kontratat kanë qenë të hartuara, Bujari Bukoshi nuk kishte nënshkruar kontratat për “Yess Pharm” apo për “Jona Med”. Dy kompanitë kanë ngritur padi civile kundër Ministrisë.

Tolaj, Fejza, Fusha, dhe Kuqi, sipas aktakuzës, mes 1 mars 2011 dhe 30 prill 2011kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke ndarë kontratë për “ Lirimed”. Nuk i’u kanë përmbajtur procedurave të prokurimit pasi ka ekzistuar një raport përfundimtar i nënshkruar, me të cilin i është ndarë kontrata “Jona Med”. Kuqi, udhëheqës i prokurimit, thuhet nuk e ka nënshkruar, dhe komisioni vlerësues ka vazhduar duke i ndarë kontratën kompanisë që nuk i përmbush kriteret e tenderit.

Tolaj, dhe Kuqi, akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2011 duke shpallur dhe pastaj pa ndonjë arsye të mirë duke anuluar tenderët për barëra esenciale për pacientë, “Beta”, “Interfon” dhe “Fluradabine”. Pronari i kompanisë që furnizonte me këto barëra, sipas aktakuzës nuk është pëlqyer nga Ministria, dhe në vend së të përdornin përjashtime nga Ligjet e Prokurimit, këta të fundit kanë vazhduar me heqjen dhe anulimin e tenderëve për këto barëra.

Zenel Kuqi, thuhet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke mos mbajtur shënimet për lotet 72 dhe 73 të cilat përmbanin dosjet e Sante Pharm, e kjo sipas akuzës ka nënkuptuar se nuk ka qenë e mundur të sfidohej vendimi për këto lote.

Ilir Tolaj dhe Arbenita Pajaziti akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në tentativë.

Ata thuhet se kanë tentuar të keqpërdorin detyrat zyrtare. Sipas akuzës, më 30 nëntor 2011 ose rreth kësaj date, Bekim Deshishku ishte thirrur në takim për të zgjidhur një kontest civil ndërmjet palëve. Në takim kishin qenë të pranishëm ehe Tolaj , Pajaziti e Ismet Hyseni. Në këtë takim thuhet se Pajaziti i kishte thënë Deshishkut që ta tërheq padinë që e kishte ngritur në Gjykatën Ekonomike. Sipas akuzës, Deshishkut i ishte thënë se nëse ai vepron kështu do të merrte një kontratë me një tender të emergjencës në vlerë prej 70.000 euro dhe do të konsiderohej i favorshëm për tenderët e ardhshëm. Të pandehurit Tolaj, Pajaziti dhe Hyseni pretendohet se me 30 nëntor 2011 kanë duke tentuar t’i japin kompanisë “Jona Med” përfitim material në vlerë prej 5.000 eurove duke fituar një tender dhe kontratë në vlerën prej 70.000 euro. duke vepruar jashtë autoritetit të tyre financiar.

Hajrullah Fejza, shef i atëhershëm i kontrollit të cilësisë, akuzohet se duke vepruar si zyrtar i MSH-së, në data të ndryshme ka kërkuar ryshfet.

Tolaj e Fejza, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare rreth ose në 24 dhjetor 2010 duke ndërhyrë në procesin e tenderit për Glivek duke insistuar që zyrtari i prokurimit Enver Maliqi të nënshkruaj dhënien e tenderit për “Farmkos”, kur kjo ishte shkelje e patendetës ndërkombëtare të Novartis. Ata thuhet se kanë insistuar që Maliqi të nënshkruante raste për lote ku kishte vetëm dy oferta, ndërsa ligji kërkonte tre oferta të përgjegjshme.

Pretendimet e aktakuzës së mëparshme:

Ndryshe, aktakuza e përpiluar nga Prokurorja Speciale e EULEX, Maria Bamieh, ngarkon Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha, Alban Thaçi, Basri Asllani dhe Bujar Bukoshi, Nexhat Shabani, Imer Ajeti me kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Ilir Tolaj, në atë kohë sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, dhe Ismet Hyseni si zyrtarë në po atë Ministri, në një datë mes 26 shtatorit 2007 dhe 1 tetorit 2007 kanë shpërdoruar detyrat zyrtare, duke lejuar një kontratë të obligueshme ligjore me kompaninë “Jona Med”, të skadojë pa përmbushur kushtet. Pas padisë të “Jona Med” ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, buxhetit të Kosovës iu shkaktua humbje prej 1.5 milion euro. E tëra kjo si pasoje të mosnjohjes së obligimeve kontraktuale ndaj kompanisë “Jona Med” dhe ndërprerjes së kontratës nga Ilir Tolaj.

Tutje, sipas aktit akuzues, Tolaj akuzohet se shpërdoroi detyrën e tij zyrtare, duke i thënë komisionit vlerësues se kush duhet të zgjidhej në dy tenderë emergjent, duke udhëzuar një tender t’i jepej “ Koslabor”, ndërsa tjetri “Exclusive Company”. Sipas aktakuzës , Tolaj nuk ka dashur të respektoj kontratën ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ka dashur të lëshoj kontrata të reja në interes të tij dhe për përfitime materiale për ata me të cilët kishte lidhje financiare apo lidhje të tjera.

Tolaj dhe Pajaziti, akuzohen se kanë kërkuar nga Raimonda Hyseni për të nënshkruar se kinse ka marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve, kur ajo nuk kishte marrë pjesë fare. Një gjë e tillë, konsiderohet se u ka mundësuar fituesve të tenderëve përfitime materiale. Fituesit kanë marrë kontrata substanciale, ku procedurat tenderuese për këto kontrata nuk kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Prokurimin Publik të 15 Janar 2004.

Arbenita Pajaziti, sipas aktakuzës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos deklaruar se ka konflikt interesi dhe duke mos përjashtuar veten nga komisioni vlerësues për tenderë.

Tolaj, Pajaziti, Hyseni, Kuqi, Fejza,dhe Bukoshi, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrat zyrtare duke udhëhequr një fushatë për të dëmtuar kompaninë “Jona Med”. Këtë veprim akuzohen se e kanë bërë duke u siguruar që “Jona Med” të mos marrë asnjë kontratë nga Ministria e Shendetësisë, duke dërguar inspektorë te kompania në fjalë dhe duke u kërkuar që ta dënojnë, dukë përgatitur një numër të tepruar të kallëzimeve penale dhe padive civile kundër kompanisë “Jona Med”, dhe duke përdorur influencën e tyre për të siguruar që kjo e fundit të mos marrë licencë për import- eksport.

Ilir Tolaj dhe Bujar Bukoshi, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare në qershor të 2010, kur Tolaj ishte këshilltar personal i Bujar Bukoshit, sipas aktakuzës, Tolaj ka përdorur influencën e tij si Këshilltar që kontrata një plus e fituar nga “Jona Med”të mos vazhdohet. Edhe pse kontratat kanë qenë të hartuara, Bujari Bukoshi nuk kishte nënshkruar kontratat për “Yess Pharm” apo për “Jona Med”. Dy kompanitë kanë ngritur padi civile kundër Ministrisë.

Tolaj, Fejza, Fusha, dhe Kuqi, sipas aktakuzës, kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke ndarë kontratë për “ Lirimed”. Nuk i’u kanë përmbajtur procedurave të prokurimit pasi ka ekzistuar një raport përfundimtar i nënshkruar, me të cilin i është ndarë kontrata “Jona Med”. Raportin Kuqi nuk e ka nënshkruar, dhe komisioni vlerësues ka vazhduar duke i ndarë kontratën kompanisë që nuk i përmbush kriteret e tenderit.

Tolaj, Fusha dhe Kuqi, akuzohen se kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke publikuar dhe pastaj pa ndonjë arsye të mirë duke anuluar tenderët për barëra esenciale për pacientë, “Beta”, “Interfon” dhe “Fluradabine”. Pronari i kompanisë që furnizonte me këto barëra, sipas aktakuzës nuk është pëlqyer nga Ministria, dhe në vend së të përdornin përjashtime nga Ligjet e Prokurimit, këta të fundit kanë vazhduar me heqjen dhe anulimin e tenderëve për këto barëra.

Fejza, Tolaj, Fusha, gjithashtu akuzohen se Fadil Lubeniqit që kishte fituar një tender për furnizimin e pikave intravenoze ,ku çmimi për një infuzion ishte 36 cent ndërsa Lubeniqi fitonte 2 cent, nuk ia kanë vazhduar kontratën pasi i njëjti nuk ka pranuar të paguaj 10% për të vazhduar kontratën. Dhe më pas kontratën ia kanë dhënë kompanisë “EXCLUSIVE” ku çmimi ishte 45 cent për infuzion, 9 cent më shtrenjtë nga që i ishte paguar Lubeniqit për infuzion.

Kuqi, gjithashtu akuzohet se ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke dështuar në ruajtjen e dokumenteve të tenderëve. I njëjti, ka pasur për obligim të arkivojë dokumentacionin e plotë të tenderëve. Edhe pse këto dokumente janë kërkuar nga Prokuroria, asnjë kopje nuk është dorëzuar as gjetur gjatë bastisjes së Ministrisë.

Të pandehurit Tolaj, Pajaziti dhe Hyseni pretendohet se me 30 nëntor 2011 kanë duke tentuar t’i japin kompanisë “Jona Med” përfitim material në vlerë prej 5.000 eurove. Duke fituar një tender dhe kontratë në vlerë prej 70.000 eurove duke vepruar jashtë autoritetit të tyre financiar.

Në periudhën kohore prej 1 qershorit 2010 deri më 11 janar 2012, Tolaj bashkë me Fushën pretendohet se kanë keqtrajtuar apo frikësuar persona për çka akuzohen për veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin Financiar dhe Kodin Penal të Kosovës Tolaj bashkë me Pajazitin dhe Hysenin u kanë dhënë përfitim material furnizuesve të medikamenteve apo mundësinë për përmbushjen e kontratave me anë të pagesave në avans. Për më tepër Pajaziti supozohet se në fund të vitit 2007 i kishte thënë komisionit pranues që të nënshkruajnë pranim të falsifikuar të medikamenteve nga këta furnizues.

Sipas aktakuzës, Tolaj, Pajaziti dhe Hyseni në vitin 2007 kanë anuluar obligimet ndaj “Jona Med”-it dhe operatorëve tjerë që t’iu japin kontratat atyre me të cilët kishin interes, duke i shkaktuar humbje buxhetit të konsoliduar të Kosovës.

Ndërsa në vitin 2011 të pandehurit e lartpërmendur së bashku me Fejzën, Fushën dhe Kuqin kanë hyrë në një kontratë dëmtuese duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 1.5 milionë euro për një periudhë tri vjeçare.

Tolaj sipas aktakuzës kishte përfituar shumën në vlerë prej 5.000 eurove nga një vendim i Nexhat Shabanit atëherë kryesues i Organit Shqyrtues të Prokurimit lidhur me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe Shabani pretendohet se ka marr shpërblim duke lëshuar këtë vendim i cili nuk ishte i regjistruar as vulosur e as arkivuar.

Tolaj dhe Fejza duke vepruar si zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar ryshfet nga persona të ndryshëm për fitimin e kontratave.

Tolaj sipas aktakuzës ka procesuar shuma të mëdha parash shume iu shmangur tatimit. Ai gjithashtu pretendohet se nuk ka paguar taksë në vlerë që kalon shumën prej 15.000 eurove.

Tolaj dhe Imer Ajeti, gjatë vitit 2012, sipas aktakuzës kanë tentuar t’i pengojnë hetimet e këtij rasti përmes ndërmjetësuesit që të njëjtit të kontaktojnë me Kryeprokurorin e EULEX-it dhe Kryetarin e Asamblesë së Gjykatave të EULEX-it për të larguar prokurorin e rastit dhe për ta hedhur poshtë rastin ndaj tyre.

Historiku i rastit:

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e nxjerrë më 19 korrik të vitit 2013, ish-sekretarin e përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, e ka dënuar me 10 muaj burgim për “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, kurse me 9 muaj burgim për “shmangie nga tatimi”.

Gjykata ka caktuar dënim unik prej 18 muajsh burgim, ku sipas aktgjykimit, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjithashtu, për kryerjen e veprës penale të “shmangies së tatimit” është dënuar me gjobë prej vlerës 1000 euro.

Me këtë aktgjykim i është ndaluar edhe ushtrimi i funksioneve në administratë apo shërbim civil për 3 vite.

Arbenita Pajaziti, është dënuar me 6 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, ndërsa edhe për një pikë tjetër të aktakuzës ku akuzohej për “nxitje të falsifikimit të dokumenteve zyrtare” është dënuar me 6 muaj burgim me kusht.

Gjykata i ka caktuar dënim unik prej 8 muajsh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta nuk kryer vepër penale për periudhën kohore prej 2 vitesh, që nga momenti që aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.

Pajazitit gjithashtu i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në administratë apo shërbim publik për 2 vite.

Hajrullah Fejza, është dënuar për veprën penale marrje ryshfeti, me 6 muaj burgim. Gjykata i ka caktuar dënim unik prej 8 muajsh burgim.

Sipas aktgjykimit, koha e paraburgimit, të njëjtit do t’i llogaritet në dënimin me burg.

Edhe Fejzës i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në administratë dhe shërbim publik për 3 vite.

Për pikat tjera të aktakuzës, të lartcekurit janë liruar nga akuzat.

Bujar Bukoshi, ish-ministër i Shëndetësisë, me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është liruar nga akuzat.

Edhe të akuzuarit e tjerë, Ismet Hyseni, Zenel Kuqi, dhe Bekim Fusha janë liruar nga akti akuzues.

Pas ankesave të mbrojtjes së Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, dhe Hajrullah Fejzës, në Gjykatën e Apelit, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit kishte marrë këtë aktgjykim: aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës është anuluar në lidhje me pikat 1.1,1.2,1.3,1.6,1.7,1.8,1.9,2,3.1,10 dhe 12, dhe lidhur me këto pika lënda është kthyer në rigjykim.

Kurse, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e ankimuar të Gjykatës Themelore, lidhur me pikat 1.4,1.5,11 si dhe pikat të cilat nuk ishin ankimuar nga prokurori 1.7,1.10,1.11,1.12,1.13,3.2,6,8 dhe 9.

Gjykata Supreme, ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Ilir Tolaj, dhe është refuzuar akuza për kryerjen e veprës penale shmangie nga tatimi. Me ç ‘rast është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit.

Gjithashtu, Supremja ka anuluar dënimin për Hajrullah Fejzën, i dënuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit, si dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje tek gjykata e shkallës së parë.

Gjithashtu, me 6 mars 2017, Gjykata Supreme kishte miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për Ismet Hysenin duke e konsideruar të bazuar.

Me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i datës 13 shtator 2016, vetëm sa i përket pikës II të dispozitivit lidhur me pikën 2, dhe vetëm sa i përket të pandehurit Ismet Hyseni, dhe çështja në këtë pjesë i ishte kthyer gjykatës së njëjtë në rivendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat