Buleshkaj: Vendimi i PZAP-së do e sqarojë situatën

Aktuale

Buleshkaj: Vendimi i PZAP-së do e sqarojë situatën

Më: 25 janar 2021 Në ora: 19:18
Yll Buleshkaj

Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se vendimi i nesërm që pritet të merret nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, do sqarojë tërë situatën e krijuar për certifikimin e kandidatëve dhe subjekteve politike.

Buleshkaj ka deklaruar se PZAP-ja do merret me secilin rast konkretisht dhe do sjell një vendim i cili do jetë i përshtatshëm për të gjitha subjektet politike.

"PZAP-ja do jap përgjigje të duhur që besoj se do pajtohen të gjithë pasi që do e bëjë vlerësimin e secilit rast. Unë besoj se PZAP-ja do e bëj sqarimin e situatës së krijuar”, ka deklaruar Buleshkaj.

Ai ka thënë se rekomandimi i bërë nga Zyra ishte i drejtë dhe cilësor. Lidhur me certifikimin e kandidatëve që kanë probleme me ligjin, Buleshkaj ka deklaruar në zgjedhje të kaluara ka pasur disa raste tilla me disa kandidatë, por që më pas janë certifikuar të gjithë.

“Vite më parë ka qenë një situatë e tillë kur i është kërkuar mendim Gjykatës dhe prapseprapë, janë certifikuar të gjithë. Kësaj radhe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është munduar të sqarojë situatën mirëpo mund të themi që e ka qartësuar pjesërisht”, ka thënë ai.

Lidhur me pikën Q për Ligjin e Zgjedhjeve të Përgjithshme, Buleshkaj ka thënë se si Zyrë kanë pasur hamendje pasi që disa nga rastet ishin të çuditshme.

Qartësimi i pikës Q duhet të bëhet në procedurë të saktë nga KQZ-ja që të mos jemi të njëjtë ndaj të gjitha llojeve të dënimeve. Kemi informacione që ka pasur vendim edhe shkelësit e rregullave në trafik. Sidoqoftë, nga ana jonë, ka qenë edhe koha e shkurtër që të bëhej një trajtim i duhur”, ka shtuar tutje ai.

Buleshkaj ka potencuar se me ngjarjet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka pasur lëkundje të institucioneve mirëpo kredibiliteti i KQZ-së është akoma në nivel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat