Kraki: Na duhen Kosova e Shqipëria, na duhet ndryshimi

Aktuale

Kraki: Na duhen Kosova e Shqipëria, na duhet ndryshimi

Nga: A.SH Më: 25 janar 2021 Në ora: 22:01
Nezir Kraki

Profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, ka thënë se Kosovës dhe Shqipërisë i duhet
ndryshimi.

Sipas tij, Kosova ndryshimin e ka tashmë të garantuar me 14 shkurt, ndërsa për Shqipërinë është urgjente dalja nga cikli i izolimit, nga cikli oligarkizues që ne vend të lidhjeve me Brukselin, trash e forcon lidhjet me nentoken italiane.

Postimi në Facebook:

Na duhet ndryshimi...

Ky vit duhet absolutisht t’i gjejë Kosovën dhe Shqipërinë me qeveri legjitime, me qeveri që s’janë banda kravatash por ekipe sherbyesish.

Edhe shqiptarët meritojnë ta kenë Pranverën e tyre. Momentin historik kur ndodhë prerja kohore e kalendarit dhe kur nis diçka e re. Diçka që i shtynë njerëzit të aderojnë në një projekt të ri kolektiv. Në projektin e jetës me t’ardhme, jetës me dinjitet.

Është urgjencë historike kombëtare që shqiptarët të faktorizohen në Ballkan dhe në Evropë, sidomos tash kur edhe në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer Amerika që na di hallet. Amerika normale.

Kosova ndryshimin e ka tashmë të garantuar me 14 shkurt. Por veç fitorja nuk mjafton. Duhet strategji e vizion që Kosova të (ri)shtetëzohet brenda dhe të (ri)afirmohet jasht. Dhe kjo nuk ka gjasa të ndodhë nëse nuk mbyllet cikli i zhbërjes, cikli i kulturës politike korruptuese e varfëruese. Ciklin e zhbërjes e mbyll vota e lirë. Shpresën e rikthen vota e lirë.

Në Shqipëri gjendja është më komplekse sepse aty ka vite që program i vetëm qeverisës është klientelizimi masiv i shoqërisë përmes varfërimit, varësimit dhe largimit. Sot Shqipëria njihet e shihet si shtet mafijoz. Si një Lazarat gjigant, me qeveri e ministri. Shqipërinë sot s’e llogarit kush për shtet as për partner. Prandaj është urgjente dalja nga cikli i izolimit, nga cikli oligarkizues që ne vend të lidhjeve me Brukselin, trash e forcon lidhjet me nentoken italiane.

Na duhen dy shtete normale, të forta e krenare. Dy shtete që s’na turpërojnë, që s’na largojnë.

Na duhen Kosova e Shqipëria.

Na duhet ndryshimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat